Billboard i dedikon një artikull këngëtares shqiptare tashmë me famë ndërkombëtare, Njomzës

13 Nëntor, 2018 - 8:30 pm

Nuk janë të paktë tashmë shqiptarët që kanë arritur të kenë sukses jashtë vendit, veçanërisht ata të kategorive sport dhe muzikë.

Në këtë të fundit, është tashmë edhe një artiste e re shqiptare, e cila po synon tregun amerikan të muzikës.

Bëhet fjalë për këngëtaren e quajtur Njomza Vitia, e cila së fundmi ka publikuar klipin e saj më të ri muzikor, “Lonely Nights”.

Se është në hapa të sigurt drejt famës, këtë e tregon edhe faqja prestigjioze e muzikës në botë, Billboard, e cila i ka dedikuar një artikull vajzës me prejardhje shqiptare.

“Në pamje të parë të klipit, Njomza shihet e ulur në dhomën e saj ku jeton, kur papritmas dhoma transformohet në një destinacion tropikal dhe romantik. Në të vërtet, fantazia dhe realiteti ndërthuren sikur Njomza ikën nga rutina e saj e zakonshme”, janë fjalët me të cilat Billboard ka përshkruar klipin e saj.

Regjisor o klipit është Chad Tennies, i njohur për punën e tij në video muzikore “Bad & Boujee” të grupit të famshëm të hip hop-it, Migos.

Njomza Vitia përndryshe është e lindur më 22 prill të vitit 1994. Ajo është një këngëtare dhe tekstshkruese.

Njomza rrjedh nga një familje nga Prishtina, prindërit e saj kanë emigruar së pari në Gjermani, vendi edhe në të cilin Njomza u lind, teksa më pas familja e saj u shpërngulën në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku jetojnë edhe sot.

Ajo ka filluar të merret me muzikës që nga mosha 14 vjeçare, kur formoi bendin e saj të parë, të quajtur “Scarlett”.

Fillimisht ajo ka kënduar këngë ‘cover’, teksa më pas ka nënshkruar kontratë me labelin e reperit tashmë të ndjerë Mac Miller. ‘Mixtape’-i i saj i parë u publikua më datë 22 prill në ditëlindjen e saj të nëntëmbëdhjetë, dhe është titulluar “Gold Lion”.

Në vitin 2015, ajo publikoi një këngë solo të titulluar “”Creatures of the Night”, producent i së cilës ishte vet Mac Miller, apo i njohur më shumë si ish-i dashuri i Ariana Grandes.

Një punë kaq e madhe e bën të qartë synimin që artistja e re shqiptare ia ka vënë vetes, drejt një tregu aq të madh siç është ai ndërkombëtar. /KultPlus.com

Të ngjajshme