“Delegacioni”, filmi që shpërfaqë mendësinë shqiptare të viteve të 90’

19 Korrik, 2019 - 4:30 pm

Rrona Jaka

Regjimi komunist i cili shtirej se është demokratik është plaga më e madhe e Shqipërisë, periudha që la në ngecje shoqërinë dhe vrau njerëz të pafajshëm, burrat e ‘dobtë’ i bëri robër dhe vajzat e bukura e intelektuale i shndërroi në të pamoralshme, shkruan KultPlus.

Kjo është tematika e filmit ‘Delegacioni’ me regjinë e Bujar Alimanit i cili u shfaq para publikut kosovar në kuadër të PriFestit.

Me skenar nga Artan Minollari dhe regji të Bujar Alimanit, filmi “Delegacioni” tregon historinë e një të burgosuri politik i cili hiqet nga burgu që t’i takojë të deleguarit e jashtëm të cilët do t’i ofrojnë Shqipërisë mundësinë për anëtarësim në rrjetet e politikës evropiane. Në një kohë kur e mira dhe e keqja janë ndarë si me thikë, shokët e partisë duhet të bashkëpunojnë me “të keqen” për të mirën e vendit.

Filmi jep këndvështrimin e të burgosurit, në kuptimin e të burgosurit politik dhe të burgosurit të normës komuniste të asaj kohe. I regjistruar në zona malore, filmi ofron mundësi që shumë personazhe dytësore të futen brenda narratives dhe të shtojnë një copë të re informacioni. Sidomos paraqitja e dy mësuesve nga Tirana, të cilat zbulojnë dinamikën dhe thelbin e inatit të oficerit përgjegjës, i cili në bisedë e sipër me vajzat u thotë “Unë vajzën time e kam përjashtuar lëre më surratit tuaj”.

“Ky projekt nuk dihej se a do të punohej, por është një projekt filmik që tregon një periudhë të rëndësishme të epokës të Shqipërisë, por nga ana tjetër pasuron vlera statistike shumë të spikatura”, ka thënë regjisori i filmit Bujar Alimani.

“Ka një përplasje dhe një lloj gjetje shumë interesante të Minarollit, që e bënë këtë film të duket si komedi e zezë por në thelb ka një mesazh shumë njerëzorë duke treguar të kaluarën e Shqipërisë”, ka sqaruar gjithashtu regjisori.

Pjesë e trupës së këtij filmi kanë qenë aktorë të njohur si: Viktor Zhusti në rolin e Leos, Ndriçim Gjepa në rolin e shokut Spiro, Xhevdet Ferri në rolin e Asllanit, kurse Richard Sammel ka luajtur rolin e të deleguarit të Bashkimit Evropian në Shqipëri. Në role të tjera kanë qenë: Ermir Topi, Armend Smajli, Gani Morina, Tristan Halilaj, Kasem Hoxha.

Ky është bashkëpunimi i radhës midis Shqipërisë dhe Kosovës, dhe kjo mbështetje regjisorin Alimani e ka bërë të ndjehet i privilegjuar, meqë projektet filmike paguhen me taksa të qytetarëve ndërsa borxhi i artistëve është që të realizojnë filma të mirë, siç është vlerësuar ‘Delegacioni’.

‘Për të bërë film për atë periudhë historike ishte tejet e vështirë, të gjesh sot rrugët, ndërtesat, gjithçka është dekoruar dhe punuar. Kemi kërkuar edhe në zonat më të largëta të Shqipërisë, ku mund të ketë mbetur diçka nga ajo kohë, megjithatë ka qenë një punë e vështirë’, shprehet Alimani.

Mirëpo i pyetur se si ka arritur që në gjithë filmin të mbajë një qetësi dhe përmes saj të komunikoj shkëlqyeshëm me publikun, Bujari Alimani tregon se “qetësinë dhe gjatësinë e kuadrit e kam përdorur sepse është e pamundur  që në momentin kur e kyç kamerën të mos e zgjedhësh qetësinë dhe të trajtosh personazhin me hetuesi. Të gjithë në ato momente hetojnë, hetojnë ndjenjën, të gjithë mendojnë për atë periudhë. Kështu që mendoj që ajo qetësi është aq e shenjtë sa që jep i forcë filmit”.

Në rolin e të burgosurit politik është aktori Viktor Zhusti i cili këtë rol e luan me një heshtje që ka esencë dhe mesazh siç e thekson ai ‘nëse nuk e kupton heshtjen time atëherë nuk mund ta kuptosh as fjalën.’

‘Ky personazh kryesor i filmit nuk ishte një hero ishte një njeri që e bën akoma më të dhimbshme atë presionin dhe shantazhin që bëhej ndaj tij. Ky nuk bënte asgjë të jashtëligjshme, ai ishte një pedagog dhe krimi i vetëm i tij ishte që ishte intelektual. U dënua sepse iu kishte folur studentëve jashtë atyre parullave, paragrafëve politike. Ky njeri jeton brenda dhimbjes së tij andaj është i heshtur, nuk ia thotë asnjë njëriu’, rrëfen Zhusti.

Vështirësia e të qenit intelektual dhe misioni i shenjtë që bënin ata në një sistem të tillë të egër, përveç personazhit kryesor përçohet edhe përmes dy personazheve mësuese, ku njërën prej tyre e luan mjaft mirë aktorja kosovare Fatlume Bunjaku.

‘Edhe mësueset ishin brum i atij sistemi, por nuk pajtohen më të dhe synonin ta ndryshojnë atë. Kjo vërehet edhe nga dialogu i shkurtë që kanë në film. Ato janë nga qyteti  por detyrohen të shkojnë dhe të punojnë në fshat për të sjellur krejtësisht një frymë të re’, rrëfehet për rolin e saj, Bunjaku.

“Filmi zgjatë 77 minuta dhe ka qenë fitues i festivalit të Varshavës”, ka treguar për audiencën organizatorja e Prifest Vjosa Berisha./KultPlus.com

Të ngjajshme