Dëshira e fundit e Bajramit

3 Qershor, 2021 - 11:30 pm

Milazim Krasniqi

Nga po na çojnë nuk e di,
Gjithë këta njerëz po qajnë.
Po na dëbojnë në Shqipëri,
A peng do të na mbajnë?


E lashë lodrën në dhomë,
Një avion të bërë prej kartoni,
Nëna e zbehur si kufomë
Më tha ta lë tek ballkoni.


Çantën e lashë në kuzhinë
Që kur të kthehem ta gjej kollaj,
Por shtëpia u mbush me tym
Flakët e kapluan fund e majë.


Shtëpia nga zjarri u tund,
E pamë kur u shemb, nga kodra.
E di që janë bërë shkrumb
Edhe çanta edhe lodra.


Tash këtu po na ndajnë
Duke bërtitur e me të shtëna,
Edhe pse e shohin që po qajmë
Edhe unë edhe nëna.


Nënë, mbama dorën, nënë,
Dorën mos ma lësho!
Nënë, pse me ty nuk më lënë
Të lutem, nënë, më mbro!


Por darë e hekurt më shkëputi
Nga dora e nënës, me furi.
Tash jam vetëm, gjëkundi
Ku jam as vetë nuk e di.


Po na bëjnë resht për një
Po mua pse, kur s’jam burrë.
Po shtien me breshëri,
Flaka po djeg si furrë.


Oh, trupi sa fort m’u nxeh
Po bie përtokë, po shoh hënën
Lart në qiell, pse ashtu u zbeh?!
Ah, ta kisha pranë vetëm nënën!

19 dhjetor 2015

* Xhevë Meta nga fshati Nivokaz ka rrëfyer se si djali i saj trembëdhjetë vjeçar, Bajrami, i kërkonte të mos ia lëshonte dorën, deri sa forcat policore serbe e ndanë nga e ëma dhe e ekzekutuan, bashkë me treqind e shtatëdhjetë e shtatë meshkuj të tjerë në fshatin Meje./ KultPlus.com

Të ngjajshme