Egjipti zbulon thesar mumjesh e statujash në varrezën e lashtë pranë Kairos

2 Qershor, 2022 - 10:00 am

Arkivolë të drunjtë të pikturuar dhe statuja të bronzta hyjnish që datojnë prej vitit 500 p.e.s., janë gjetur nga arkeologët egjiptianë në Saqqara pranë Kairos.

Mes zbulimeve mahnitëse në varrezën në Saqqara përfshiheshin statuja të zotëve Anubis, Amun, Min, Osiris, Isis, Nefertum, Bastet e Hathor, së bashku me një statujë pa kokë të arkitektit Imhotep, sipas legjendes ndërtuesi i piramidës së Saqqara, thuhej në deklaratën e ministrisë egjiptiane të turizmi dhe antikiteteve.

250 arkivolët, 150 statujat e bronzit dhe objektet e tjera datonin prej periudhës 500 p.e.s.

Ato ishin të shoqëruara nga një instrument muzikor i quajtur sistrum dhe një koleksion enësh bronzi që përdoreshin në ritualet e adhurimit të perëndeshës Isis, thanë autoritetet.

Arkivolët e drunjtë të pikturuar ishin gjetur të ruajtur mirë në galeri varrosjeje, dhe kishin brenda mumje, hajmali dhe kuti të drunjta.

Statuja të drunjta të Nephthys e Isis të një periudhe më të hershme gjithashtu ishin gjetur, të dyja me fytyra floriri.

Një prej arkivolëve përmbante një papirus të ruajtur mirë të shkruar me hieroglife, ndoshta me vargjet e Librit të të Vdekurve, thanë autoritetet egjiptiane, që më pas u dërgua për studime në laboratorin e Muzeumit Egjiptian në Kairo, tha Mostafa Waziri, sekretari i këshillit të antikiteteve të vendit.

Një koleksion objektesh kozmetik gjithashtu u gjet, duke përfshirë mbajtëse pluhurash, vathë e byzylykë.

Objektet po transferohen në muzeumin e ri egjiptian që po ndërtohet pranë Piramidës së Madhe të Gizës.

Saqqara, në jug të piramidave të Gizës, ka furnizuar me një rrjedhë konstante zbulimesh të lashta vitet e fundit, që prej nisjes së gërmimeve nga një mision i veçantë arkeologjik në 2018./ KultPlus.com

Të fundit

Të ngjajshme