Fillon kampanja “Srebrenica 25: Së bashku kundër virusit të mohimit”

4 Korrik, 2020 - 12:40 pm

Kampanja e titulluar “Srebrenica 25: Së bashku kundër virusit të mohimit”, fillon javën e ardhshme, me rastin e 25-vjetorit të gjenocidit në Srebrenicë.

Qendra SENSE për drejtësi tranzitore në bashkëpunim me Shoqatën e viktimave dhe dëshmitarëve të gjenocidit, kanë mbledhur pesëmbëdhjetë organizata të shoqërisë civile nga Kroacia, Bosnjë-Hercegovina, Serbia, Mali i Zi dhe Kosova për të nisur fushatën.

Më 7 korrik në ora 17:00 kampanja fillon zyrtarisht me hapjen e ekspozitës multimediale në Qendrën SENSE në Pula. Ajo do të vazhdojë deri më 11 korrik, datën në të cilën në vitin 1995 ra Srebrenica, ka njoftuar Al Jazeera.

Kampanja do të zhvillohet në të njëjtën kohë në internet, në rrjete sociale dhe portale, dhe në hapësirat e ekspozitës sipas programit. I gjithë materiali do të shfaqet “online” nga organizatat e përfshira.

“Kjo deri më tani është kampanja më e madhe regjionale e shoqërisë civile me synim për të parandaluar mohimin e krimeve të luftës të kryera në vitet nëntëdhjeta në hapësirën e ish-Jugosllavisë”, thuhet në njoftim të organizatorëve.

Më shumë se 8000 boshnjakë janë vrarë nga kriminelët serbë gjatë masakrës së Srebrenicës. / KultPlus.com

Të ngjajshme