Gonxhja: Zbulohet në Bulqizë varri i parë monumental romak në Shqipëri

2 Shtator, 2025 - 6:12 pm

Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja bëri të ditur sot një zbulim të rëndësishëm arkeologjik në Strikçan të Bulqizës, ku është evidentuar varri i parë monumental i periudhës romake në Shqipëri.

Ky zbulim, i realizuar gjatë projektit kërkimor–shkencor “Kërkime Arkeologjike në Luginën e Bulqizës”, të udhëhequr nga Instituti i Arkeologjisë, përfshin një monument me përmasa mbresëlënëse, rreth 9 x 6 metra, me një dhomë funerare 2,4 m të lartë dhe elementë të rrallë arkitektonikë e epigrafikë.

Në monument është gjetur një mbishkrim dygjuhësh kushtuar individit të varrosur, Gelliano-s, dhe perëndisë Jupiter. “Ky mbishkrim përbën të parin e këtij lloji të zbuluar ndonjëherë në zonën e Dibrës”, thekson Gonxhja.

Varri është konceptuar me tre ambiente: dhomën e varrimit, paradhomën dhe një shkallare monumentale. Në të janë ruajtur pjesë të inventarit arkeologjik, përfshirë enë qelqi, objekte kocke, armë si dhe fragmente tekstili të thurura me fije ari, që dëshmojnë statusin e lartë të të ndjerit.

Sipas specialistëve, strukturat e sipërme sugjerojnë tipologjinë e një mauzoleumi, duke e bërë këtë zbulim të pazëvendësueshëm për studimin e prapatokës romake në Shqipëri.

Për shkak të rëndësisë së veçantë, Instituti Kombëtar i Trashëgimisë Kulturore, në bashkëpunim me DRTK Tiranë dhe në koordinim me Institutin e Arkeologjisë, do të ndjekë procedurat për vendosjen në mbrojtje paraprake të këtij siti arkeologjik.

MEKI, IKTK dhe Instituti i Arkeologjisë do të vijojnë të mbështesin kërkimet shkencore që pasurojnë gjithnjë e më shumë hartën arkeologjike të vendit tonë.

Të ngjajshme