займ на карту онлайн потребительский кредит

Keqkuptimi i civilizimit dhe ideja se po thyejmë barriera, erdhi mbrëmë përmes shfaqjes “Eksperimenti”

Tetor 3, 2019 - 11:15 am

Qendrim Badalli

Shfaqja po jepej në sallën e vogël, por të vogla nuk ishin edhe emocionet që publikut iu transmetuan me një skenografi kreative për shfaqjen që po vinte nën regjinë e Ekrem Sopit dhe me autor Agush Mulliqin, shkruan KultPlus.

Premiera “Eksperimenti” për gati një orë mbajti frymën e një numri të madh të pranishmëve që shijuan performancën e aktorëve Dardan Gashit dhe Teuta Krasniqit.

Shfaqja filloi me një çift studentor që me lajkatime dhe me një gjuhë prej të rinjve, flasin për dashurinë, për seksin. Ata, ashtu siç ndodh rëndom, dëshirojnë të eksperimentojnë por eksperimenti që ata zgjodhën ishte i çuditshëm. Në fakt, eksperimentin e bënë dy shokët, që kishin vendosur që t’i ndërronin për marrëdhënie seksuale të dashurat e tyre, me të cilat më pas u martuan.

Shfaqja vazhdonte me çiftin e martuar që në secilën pore të jetës së tyre kishte probleme, në radhë të parë, shkaku i lidhjeve të tyre paralele gjatë periudhës studentore, shkaku i “eksperimentit” që ata kishin bërë. Teksa po flisnin se a të mbajnë një mace apo qen, ata fillonin të flisnin sesi qeni na qenka besnik dhe këtu ishte momenti për një grindje tjetër: përmendja e besnikërisë asocionte me tradhtitë e tyre bërë njëri-tjetrit.

Rrahjet, britmat, vajtimi, ishin pjesë e pandashme e përditshmërisë së tyre. Ata në çdo gjë kujtuan të kaluarën për t’ia vështirësuar vetes të tashmen deri në fund, kur edhe i dhanë fund martesës së tyre, duke dhënë mesazhin ndoshta kryesor të shfaqjes së djeshme: pasojat e një eksperimenti të pamenduar mirë.

Regjisori, Ekrem Sopi, ka thënë për KultPlus se ky problem është i pranishëm në vendin tonë edhe pse ndoshta jo deri në këtë masë.

“Realisht ne kemi punuar bashkë me Agushin në këtë tekst por ky e ka edhe atë destinimin për një problem analog që është në shoqërinë tonë. Unë mendoj se ky problem është i heshtur në familjet tona, nuk them që deri në këtë masë, apo ndoshta edhe po, por mendoj se ne nuk guxojmë shumë të prekim në këtë çështje sepse kjo është një varrë e madhe, por mendoj se teatri e ka këtë punë, që t’i pasqyrojë problemet tona”.

Tutje, ai ka thënë se ideja e kësaj shfaqjeje është që të ngritën pikëpyetje dhe të hapet debati për këtë çështje.

“Unë nuk jam regjisor që pretendoj të dërgoj mesazhe, ideja është që të ngritë pyetje, të ngritë çështje dhe mendoj se ne duhet të kemi debat, në familje tona. Këtu konsiston gjithçka, nëse ka debat të shëndosh për me zgjidh problemin, ne e zgjidhim problemin, nëse nuk ka debat atëherë kanë me u heshtë problemet dhe mund të vijmë deri në këtë masë sa dhe shpërthen gjithçka dhe mund të kaloj në problem serioz, thirrja është që të kemi debat”.

Autori i kësaj shfaqjeje, Agush Mulliqi, ka thënë se qëllimi ka qenë transmetimi i një ideje dhe tregimi sa më të sinqertë, larg nga storiet e njohura të mbushura me klishe.

“Ideja ka qenë që ta shkruaj një tregim dashurie, por ne jemi mundur që tregimi të jetë sa më i sinqertë dhe jo të i paraqesim klishetë që lidhjet janë krejt bardh dhe me lule dhe sipas meje kjo është dashuria e vërtetë, me probleme, me konflikte, me përleshje”.

Mulliqi ka shtuar se keqkuptimi i civilizimit ka qenë tema qendrore e kësaj shfaqjeje.

“Tema kryesore është keqkuptimi i civilizimit tek ne, sidomos në Kosovë, me idenë se po i thyejmë disa barriera dhe ne jemi duke e tepruar, jo vetëm në rastin e lidhjeve të çifteve, por edhe në sfera tjera të jetës mendoj se ka keqkuptim të civilizimit”.

Premiera “Eksperimenti” do të vazhdojë të jepet në Teatrin Kombëtar të Kosovës edhe netëve në vazhdim. / KultPlus.com

Të ngjajshme