Kështu pra, ti dëshiron të bëhesh shkrimtar?

12 Korrik, 2019 - 6:00 pm


Nëse nuk të vjen si një shpërthim nga brendësia pa marrë parasysh asgjë, mos e bëj atë punë! Nëse nuk të vjen pa të pyetur fare nga thellësi e zemrës, mendjes, gojës, rropullive të tua mos e bëj! Nëse do të të duhet të ulesh e të qëndrosh me sytë ngulur për orë të tëra mbi ekranin e kompjuterit apo përkulur mbi makinën e shkrimit duke kërkuar fjalën e duhur, kjo nuk është punë për ty! Nëse do e bësh për para apo për famë, lëre atë punë. Nëse do e bësh për të pasur gra në shtratin tënd as mos mendo të shkruash! Nëse do të të duhet të ulesh mbi të e ta shkruash dhe ta shkruash dhe ta rishkruash përsëri, më mirë lëre atë punë. Nëse të duket e vështirë vetëm duke e menduar, mos e bëj! Nëse përpiqesh të shkruash si dikush tjetër, mos u merr fare me të shkruarën.

Nëse ulesh aty dhe pret që shkrimi të gjëmojë jashtë teje dhe pret e pret dhe ai nuk del, merru më mirë me diçka tjetër. Nëse shkruan që së pari t’ia lexosh të dashurës, të dashurit, gruas apo prindërve ose një tjeter njeriu kushdo qoftë ti nuk je akoma gati. Mos u bëj si shumë shkrimtarë, si mijera njerëz që e quajnë veten shkrimtarë, mos u bëj i zymtë, i mërzitshëm dhe i shtirur, mos u konsumo duke dashuruar vetveten. Bibliotekat e botës gogësijnë përgjumshëm mbi tipa të këtij lloji. Mos i shto ata më shumë. Mos u merr fare me atë punë.

Për sa kohë që nuk të ka shpërthyer nga thellësia e shpirtit tënd si një raketë, për sa kohë që të qëndruarit indiferent karshi saj nuk të bën të çmëndesh apo të vrasësh veten a dikë tjetër, mos u merr me atë punë! Për sa kohë që dielli brenda teje nuk t’i ka djegur akoma rropullitë mos e bëj. Kur vërtet të jete koha dhe nëse je ti ai i zgjedhuri, ajo do të ndodhë vetë. Dhe do të vazhdojë e do të vazhdojë derisa të vdesësh ose derisa ajo të vdesë brenda teje. Nuk ka asnjë mënyrë tjetër dhe kurrë nuk ka pasur.

Të ngjajshme