Komisioni për të Vërtetën dhe Pajtimin, shpresë për familjet e të vrarëve dhe të zhdukurve gjatë luftës së fundit në Kosovë

17 Shkurt, 2022 - 1:23 pm

Flonja Haxhaj

Miradie Ramadani, nga Krusha e Madhe e Komunës së Rahovecit, kërkon të dijë të vërtetën për burrin e saj, pasi ajo dhe shtatë fëmijët e saj nuk e besojnë që kockat që u gjetën 13 vjet pas masakrës që ndodhi në këtë fshat, i përkasin Osman Ramadanit. Ata kërkojnë që të mësojnë të vërtetën për burrin dhe babanë që nuk e panë më që nga marsi i vitit 1999, përcjell KultPlus.

Ramadani tregon vuajtjet që përjetoi që pas largimit nga shtëpia për ta çuar djalin e saj shtatë muajsh në Gjakovë për kontrollë në spital, e që atëherë s’e pa më kurrë burrin dhe qëndroi larg gjashtë vajzave të saj pa e ditur për dy muaj se çka ka ndodhur me fatin e tyre.

E vërteta e asaj se çfarë i kishte ndodhur kryefamiljarit, po e mban peng këtë familje edhe sot, 23 vjet pas masakrës në Krushë të Madhe.

(Miradie Ramadani, Krushë e Madhe)

“Djali deri në klasën e tretë nuk e ka ditë që s’e ka babën, në klasën e tretë i ka tregu mësuesja. Erdh djali t’u kajtë, ‘pse po më rreni babi është gjallë, babi ish i vdekur‘. Edhe sot e asaj dite, veç zori se nuk i afrohet varrit, ‘s’është këtu baba jem‘ thotë, edhe e vërtetë është që nuk është aty. Veç na kanë mashtru.”- thotë Ramadani, e bindur që një copë prej eshtrave që është gjetur para gjashtë viteve nuk i përket burrit të saj.

E më shumë se dy dekada më vonë, brenga  për drejtësi dhe për të ditur të vërtetën për familjarët e tyre po i shqetëson edhe familjet e shumë të zhdukurve dhe të vrarëve tjerë gjatë luftës së fundit në Kosovë.

Për të nxjerrë ne pah historinë e secilit që është vrarë dhe zhdukur gjatë luftës së viteve 1998-1999 në Kosovë, në vitin 2017, ish-presidenti, Hashim Thaçi, kishte inicuar idenë për themelimin e Komisionit për të Vërtetën dhe Pajtimin (KVP).

”Qëllimi është nisja e një jete të re për të gjithë qytetarët, duke falur, por duke mos harruar, duke pranuar dhe njohur krimet, duke shprehur dhe deklaruar brejtje ndaj së keqes.”- kishte thënë Thaçi gjatë prezantimit të kësaj iniciative.

Por, pasi ai dha dorëheqje pas akuzës që iu ngrit nga Gjykata Speciale, puna e këtij komisioni është vënë në pikëpyetje dhe ende nuk ka pasur një nismë për vazhdimin e punës së tij.   

Nora Ahmetaj, e cila ishte pjesë e ekipit përgatitor të KVP-së, mandati të cilëve përfundoi në vitin 2020, thotë se nuk janë kontaktuar nga presidentja Vjosa Osmani për të diskutuar për vazhdimin e punës së këtij komisioni.

“Akti Normativ për themelimin e këtij komisioni është finalizuar por na kanë mbetur edhe disa dokumente të tjera per t’i përfunduar”- tha Ahmetaj.

Drejtori i Qendrës Burimore për Personat e Pagjetur, Bajram Qerkini, thotë se ky komision ka pasur qëllim pajtimin në mes të të gjitha etnive brenda kufijve të Kosovës, e jo pajtimin e shtetit me shtet.

“Me propozimin e ish-presidentit Thaçi, është vendosë për me themelu tipik një pajtim i cili kishte me qenë pajtim në mes familjarëve brenda Kosovës, në mënyrë që të gjitha minoritetet në Kosovë të ndihen të lirë e të ndihen të bashkuar.”- thotë Qerkini duke shtuar se ky komision duhet të pranohet nga të gjitha komunitetet në Kosovë.

Ndërkaq, nënkryetari i kësaj qendre, Negovan Mavriq, thotë se ky komision ekziston, por ai e quan të kotë ekzistimin e tij kur nuk i ka duart të punojë lirshëm.

“Komisioni duhet gjithsesi të ekzistojë sepse ne jetojmë bashkë dhe gjithsesi duhet të bashkëpunojmë.”- deklaron Mavriq.

Mavriq thekson se do të jetë e vështirë për njerëzit që i kanë familjarët e humbur dhe të zhdukur, por që sipas tij duhet të ketë një zgjidhje të kësaj situate sepse edhe serbët edhe shqiptarët duhet të vazhdojnë të jetojnë së bashku.

Bekim Blakaj, drejtor i Fondit për të Drejtën Humanitare në Kosovë, organizatë kjo që merret me ballafaqimin dhe dokumentimin e kaluarës së dhunshme të Kosovës dhe zbatimit të drejtësisë tranzicionale, thotë se në mënyrë që ky komision të rezultojë i suksesshëm, duhet të përfshijë të gjithë viktimat, pavarësisht etnisë.

“Komisionet e së vërtetës kanë mandat me e nxjerrë të vërtetën dhe ta bëjnë zyrtare atë të vërtetë, por ajo duhet të jetë e pranueshme prej të gjitha palëve e në rastin e Kosovës, duhet të jetë e pranueshme prej popullit shqiptar e edhe prej komuniteteve të tjera, sepse vetëm në atë mënyrë mund të kontribuojnë të ardhmen në pajtim.”-thotë Blakaj.

Ai poashtu thekson se e sheh vështirë të realizueshëm në këtë moment duke marrë parasysh situatën politike mes Kosovës dhe Serbisë.

Një ndër mbështetësit e iniciativës për themelimin e Komisionit për të Vërtetën dhe Pajtimin, ishte edhe Ambasada e Zvicrës në Kosovë. Vincent Hug nga kjo ambasadë tha se Zvicra e mbështeti këtë iniciativë pasi e sheh KVP-në si një  instrument të dobishëm për të dokumentuar dhe vendosur fakte mbi shkeljet e të drejtave të njeriut të cilat kanë ndodhur në të kaluarën e afërt dhe kontribuon në parandalimin e përsëritjes së tyre.

“Zvicra i ofroi mbështetje ekipit përgatitor në formën e ekspertizës për ballafaqimin me të kaluarën dhe projektimin e procesit dhe qëndroi e informuar për punën e ekipit përgatitor, përkatësisht procesin e konsultimit me publikun e gjerë dhe hartimin e Aktit Normativ për krijimin e një Komisioni të së Vërtetës dhe  Pajtimit.” – u shpreh ai.

Ndërkaq këshilltari i presidentes Osmani, Bekim Kupina, thotë se për momentin kjo iniciativë dhe të gjitha dokumentet përcjellëse janë duke u shqyrtuar brenda Kabinetit të Presidencës, meqë nuk ka pasur përfshirje në periudhat paraprake.

“Pas shqyrtimit nga Kabineti, do të diskutohet me akterë të tjerë, në mënyrë që të vendoset përfundimisht për të gjitha modalitetet që ndërlidhen me këtë Komision.” – tha ai.

Sipas Fondit për të Drejtën Humanitare, gjatë luftës së viteve 1998-99, në Kosovë janë vrarë e zhdukur 13.535 persona, prej tyre 10.812 janë shqiptarë, 2197 janë serbë, 275 i përkasin komunitetit rom, ashkali dhe egjiptas, 95 boshnjakë dhe 156 të etnive të tjera.

Derisa ende nuk dihet nëse do të funksionalizohet ky komision, familjarët e të zhdukurve presin akoma me shpresë për të mësuar të vërtetën për më të dashurit e tyre./ KultPlus.com

Të ngjajshme