Konferencë shkencore për Skraparin në Akademinë e Shkencave

20 Janar, 2023 - 2:57 pm

Është mbajtur në Akademinë e Shkencave, konferenca shkencore “Veçori të Luftës Antifashiste në krahinën e Skraparit (1942-1944)”.

Kryetari i Akademisë së Shkencave Skënder Gjinushi iu uroi të pranishmëve mirëseardhjen si dhe falenderoi kryetarin e bashkisë së Skraparit  Adriatik Mema për vullnetin e shprehur për ta organizuar bashkërisht këtë konferencë dhe për kujdesin e tij personal për mbarëvajtjen e saj.

“Në historinë e qëndresës antifashiste dhe të luftës çlirimtare të popullit të Skraparit mund të shihen të gjitha fazat e pamjet e antifashizmit në Shqipëri, prej krijimit të çetave të para vullnetare e deri tek betejat e vërteta me ushtritë pushtuese si ajo e Tendës së Qypit; që prej trimërive vetjake deri tek brigadat e organizuara si Brigada VII”, tha Gjinushi.

Për vetë pozicionin gjeografik dhe mbrojtjen e sigurinë që i ka dhënë natyra, Skrapari ishte gjatë luftës strehë dhe rezidencë e shtabeve të formacioneve kryesore antifashiste dhe joantifashiste që u krijuan në shkallë rajonale e kombëtare, e vendkomandave të tyre dhe e spitaleve partizane dhe njëherësh edhe e misioneve ushtarake të huaja.

“Është detyra e historianëve së pari, të konsolidojnë të vërtetën historike mbi rolin e pozicionin e Shqipërisë dhe shqiptarëve gjatë luftës së dytë botërore”, u shpreh Gjinushi në fjalën e hapjes.

Në konferencë u paraqit dhe kumtesa e Paskal Milos, “Roli dhe vendi i Skraparit gjatë Luftës së Dytë Botërore në Shqipëri” si dhe “Marrëveshja e Beratit shtator-tetor 1943 në dritën e dokumenteve arkivore gjermane” nga Marenglen Kasmi./ atsh/ KultPlus.com

Të ngjajshme