10 Maj, 2025 - 7:37 pm
Ministri i Kulturës Hajrulla Çeku ka përgëzuar aplinisten nga Kosova, Uta Ibrahimi për ngjitjen e 14 majave më të larta në botë.
Më poshtë gjeni postimin e tij të plotë:
Uta Ibrahimi e përmbylli ngjitjen e 14 majave më të larta në botë!
Me suksesin në majën Kanchenjunga, njërën ndër më të rrezikshmet në Himalaje, Uta bëhet personi i parë nga Ballkani dhe gruaja e parë shqiptare që ngjitet në të gjitha 14 majat më të larta në botë.
Një arritje historike dhe frymëzuese, që e vendos atë mes alpinistëve më të mëdhenj botërorë. Forca, guximi dhe përkushtimi i saj janë shembull për të gjithë, veçanërisht për gjeneratat e reja dhe për vajzat që ëndërrojnë lart.
Urime, Uta, krenari e Kosovës./ KultPlus.com