Në ditëlindjen e tiranit

9 Dhjetor, 2019 - 2:15 pm

Poezi nga Shqiptar Oseku

do të doja sot t’u bie të gjitha këmbanave
t’i ndal veturat kalimtarët t’i ngrij në vend

do të doja që televizori të shfaqë
vetëm filma bardhezi
radio të emitojë vetëm Grande Messe des Morts

do të doja që zëdhënës të vendosur nëpër sheshe
të recitojnë ditë shifra emra toponime të sakta

pas 6 250 njerëzish të harruar
të pushkatuar të varur thyer rrashtash me kondak
të mbytur në ujë

16 487 njerëz të burgosur
të ngarkuar ngusht si kafshë nëpër kamionë
në rrugët drejt kënetave të Maliqit

1605 që u ulën pak të pushojnë
mbështetur në telaferra në qerpiç kasollash
e aty e dhanë grahmën e fundit
me sytë hapur

miliona urithë që lindën jetuan vdiqën
nën kthetra të bishës

do të doja që në çdo shtëpi shqiptare
të shfaqet një vajtuese
t’i shkulë flokët t’i grisë faqet gjak

t’i thërrasë të gjithë emrat e harruar
në shtjella të erës

e të vdekurit t’i dëgjojnë emrat e vet
te gropat e Dajtit te varrezat në Burrel në Spaç
nën stadiumin Qemal Stafa

e të mos na hedhin më mynxat e atet e veta

të na lënë ta pastrojmë çdo strehë prej tyre
çdo tjegull çdo tullë çdo tra nga Fabrika e Shijakut

do të doja të këndoj majekrahu
nga çdo cep i Shqipërisë – asaj të vërtetës –
ashtu si ka bërë gjithmonë fisi im

për të pastruar ajrin

të bëhen të gjallët me të gjallë
e të vdekurit me të vdekur përsëri

Oseku: Këtë poezi e kam shkruar në ditëlindjen e diktatorit Enver Hoxha. Them se i shkon mirë ditës ndërkombëtare për kujtim të gjenocidit. / KultPlus.com

Të ngjajshme