Nesër fillon edicioni i 15-të i festivalit “Bunarfest”

7 Qershor, 2019 - 11:40 pm

Edicioni i 15-të i festivalit Bunarfest do të fillojë këtë fundjavë. Të shtunën më 8 qershor aktivitetet në kuadër të këtij edicioni do të fillojnë me pastrimit e lumit Lumbardhi, i cili do të fillojë me pikënisje nga Ura e Marashit në ora 12:00, ku përvec vullnetarëve të festivalit do të jenë pjesëmarrës edhe aktivistë nga klubi i ambientit të shkollës “Luciano Motroni”, “Gjon Buzuku”, si dhe vullnetarë të tjerë të cilët dëshirojnë të kontribuojnë për të pasur një ambient më të pastër.

Pas pastrimit të shtratit të lumit, në mbrëmjen e së shtunës do të mbahet koncerti muzikor në lokacionin e Marashit, me performancë të artistëve të njohur vendorë si Buta, Taste 2, DJ Wise, VLN on drums dhe DJ Mendar.

Ndërsa të dielën më 9 qershor, do të mbahet aktiviteti kryesor i festivalit – gara e lëshimit me goma, e cila fillon nga ora 14:00. Pas garës do të ketë edhe afterparty në Kejin pranë Urës së Gurit, ku do të performojnë bendi Offchestra dhe DJ Dagg.

Ndërkaq, një ditë para fillimit të festivalit, sot më 7 qershor u mbajt edhe tryeza e diskutimit me temë “A duhet ta prekim Lumbardhin?”, e organizuar në bashkëpunim mes organizatës X40, EC Ma Ndryshe dhe klubit të ambientit “Luciano Motroni”, ku panelistë ishin Edison Kasumaj – ekolog, Dren Marseli nga X40 dhe Muhamet Bajrami nga Sektori i Mjedisit në Komunën e Prizrenit.

Diskutimi kishte për qëllim prezentimin e gjendjes ekzistuese të lumit Lumbardhi në Prizren, sfidat dhe kauzën e festivalit Bunarfest dhe mënyrat se si do të duhej të trajtohet një habitat i tillë i lumenjve duke mos shkaktuar dëme ndaj florës dhe faunës, ndërsa pjesëmarrës ishin edhe përfaqësues të institucioneve komunale, shoqërisë civile, media, studentë dhe përfaqësues të klubeve të ambientit nga shkolla “Luciano Motroni” dhe gjimnazi “Gjon Buzuku”. /KultPlus.com

Të fundit

Të ngjajshme