Një hypertext në tren

24 Dhjetor, 2020 - 3:30 pm

(Adil OLLURI: Bartësi i shpirtrave të përzënë, Onufri, Tiranë, 2020)

Shkruan: Gentiana SOFTOLLI

Autori

Adil Olluri  (1984-), shkrimtar, studiues i letërsisë dhe kritik letrar, studimet universitare (bachelor dhe master) i ndoqi në Universitetin e Prishtinës, në Degën e Letërsisë Shqipe të Fakultetit të Filologjisë, ku  ka përfunduar edhe studimet e doktoratës me një temë shumë të veçantë: “Proza e Ymër Shkrelit”.  Është ndër autorët më të përkthyer në gjuhë të huaj. Vetëm tregimi “Kthimi i babait” është përkthyer në dhjetë gjuhë të huaj, një tregim-monolog që trajton fatin e të pagjeturve të luftës së fundit.  Olluri është autor që në shkrimet e tij letrare, konkretisht në fushën e kritikës, merret edhe me fenomene letrare si posdmodernizmi te libri “Trilogjia postmoderne”, e deri te kritika tematike, siç bën te libri studimor “Fytyra e Tiranisë: rrëfimi për diktaturën në romane bashkëkohore” (2017). Po ashtu, ai ka botuar: “Romani postmodern shqiptar”, monografi  (2011), “Shumë rrugë dhe një rënie”, tregime (2013), libër ky i përkthyer në gjuhën italiane në vitin 2016 dhe “Bartësi i shpirtrave të përzënë”, roman (2015), tashmë disa herë i ribotuar. Në fillim të këtij viti që po lëmë pas botoi librin me tregime “Kthimi i profetit”, i cili u cilësua si libër “tematikisht provokues dhe estetitikisht sprovues”.  Në pjesën më të madhe, vlerësohet për qartësinë në të rrëfyer dhe tregime antihimnizuese, të cilat janë të përmbledhura te “Shumë rrugë dhe një rënie”

Romani

“Bartësi i shpirtrave të përzënë”  është i vetmi roman i Adil Ollurit, i cili trajton temën e  luftës së fundit në Kosovë. Ashtu si te tregimet, këtë libër e bën të veçantë pikërisht qasja ndaj kësaj teme, pa bujë dhe himnizime, pra si një rrëfim i vogël i një historie të madhe e të rëndë, siç është dëbimi i shqiptarëve nga Kosova. Kjo shpalohet përmes përjetimeve të llojllojshme të familjarëve të ndryshëm,  brenda një jave të frikshme, ku tragjedia nis me trenin, simbol ky i ikjes  dhe i shpëtimit  nga gjenocidi serb. Kjo është vetëm pamja fabulare që e përshkon trenin e dhimbjes, ndërsa ana e tjetër është mjeshtëria e rrëfimit që na sjell autori me një konsistencë prej autori e regjisori, duke kapur detajet dhe imazhet më të trishta, që vetëm gjuha e letërsisë di t’i shpalojë.

Titulli

“Bartësi i shpirtrave të përzënë” është titull pothuaj konotues. Bartësi është treni, shpirtrat – njerëzit e përzënë nga lufta. Bartësi  personifikohet dhe njëjtësohet me frymët e gjalla, një objekt që bart të gjallë e të vdekur drejt “tokës së premtuar”, për ta shpëtuar shpirtin. Titulli në njëjës, bartësi, pra objekti bëhet shpëtimtar i shpirtrave njerëzorë, një titull që nuk afishon luftën, por dhimbjen biblike e mitike, një titull që nuk shënjon identifikim nacional, etnik, një gjetje autoriale tipike për eksodin biblik.

Bartësi, treni është krejt fusha, mejdani ku ndodh gjithë ngjarja, është teatri ku ndodh drama dhe tragjedia njerëzore, është monitori prej nga shfaqen lufta për jetë a vdekje, është pikëshikimi prej nga shpirtrat vrojtojnë, vuajnë, luftojnë për mbijetesë. Duke qenë se romani i takon epikës, titulli edhe pse tregon një situatë, më shumë është lirik, sesa epik. Narracioni i këtij romani në pjesën më të madhe është retrospektiv, me narrator të gjithëdijshëm, i cili si temë trajton jetën e një familjeje treanëtarëshe që, në kohë lufte,  jetojnë të ngujuar në një banesë në Prishtinë.

Inovacioni

Vepra në fjalë mund cilësohet si një inovacion në kulturën e shkrimit pasi që, ndryshe nga autorë të tjerë, Olluri  romanin e tij  e shkroi në vetën e dytë, duke e bërë të mundur kështu një komunikim më ndryshe të autorit narrator me personazhet dhe autorit me lexuesit, përmes të cilës vetë  rrëfen sprovat, frikën dhe gjykimin ndaj vetvetes deri në imtësitë më të vogla, çka nuk ndodh zakonisht në romanet klasike.  Kjo është një frymë dhe tendencë që, përveç rrëfimit,  të na bëjë edhe vrojtues më të thellë të ngjarjes.

Dihet veta e tretë është normë për romanët klasike, ndërsa veta e dytë është tipike për tekstet funksionale, siç janë letrat, apo edhe për tekstet letrare që kanë model letërkëmbimi. Prandaj, një inovacion i tillë, në romanin e Adil Ollurit, vjen lehtë, pa përthyerje të mëdha gjuhësore, por rrëfimi e shkrimi rrjedhin natyrshëm, sa që lexuesi shpesh i rrëmbyer nga fragmentet herë-herë tragjike, herë-herë tragjike-komike, harron  vetën e dytë si referencë, duke  u bë një me përjetimet e personazheve. Në mënyrë të veçantë, kjo përhumbet kur bëhet përshkrimi i përjetimeve të familjes, e cila është boshti i rrëfimit të romanit, një përshkrim në formën më të kulluar nga autori, i cili vë në pah anën humane të njerëzve të rëndomtë përballë situatave të vërteta në luftë,  e cila shpeshherë është mitizuar në forma të ndryshme, duke kaluar deri në patetizëm dhe përmes epiteteve të ndryshme, në emër të rrëfimeve të mëdha. Prandaj mund të themi se këtu, pra në këtë roman, inovacion është edhe mënyra  se si ndërron  diskursi në një rrëfim për luftën, nga ai heroik e gati mitik, në një diskurs ‘të thjeshtë’ demitizues e antiheroik deri te formulimi motivues:Çka t’bahet me krejt, edhe me neve”.

Megjithëse, te “Bartësit të shpirtrave të përzënë”, dominues është diskursi social dhe historik në radhë të parë pasi që në qendër të romanit vihet një periudhë lufte, e cila ka vetëm dy dekada që ka përfunduar dhe për një pjesë goxha të madhe, plagët e saj ashtu si edhe kujtimet e trishta për të  janë ende të freskëta. Sado që janë të kundërta me njëra tjetrën, figura përfaqësuese të këtij romani janë analeksa dhe proleksa. Periodizimi i ndodhive gjatë kohës së luftës duke i kujtuar netët e gjata me britma, të shara e rrahje, që dukeshin se s’kanë fund, për të vazhduar me trenin dhe ndodhitë jo më pak të dhimbshme, na bëjnë të ditur një funksioanlizim të rrëfimit analektik. Mirëpo, në anën tjetër kemi lutjen dhe shpresën e vetme të protagonistëve, po edhe të gjithë atyre shpirtrave të përzënë “me pshtu pa therrë n’kambë”, çfarë vë në pah funksionalizimin edhe të rrëfimit prolektik, e cila artikulohet si dëshirë, ëndërr e secilit që gjendet në trenin luftës.

Kult dhe frikë

Për të balancuar ngjarjen, autori vë në përballje dy kulte, atë të vdekjes dhe të lindjes. Kulti i vdekjes së dy vëllezërve pranë njëri-tjetrit, ku nga dhembja dhe pikëllimi për vëllain e vrarë, tjetri revoltohet kundrejt pushtuesit, dhe që të dy vriten  dhe bien kokë me kokë, shënon një simbolikë trishtuese, por që e ngrit lart kultin e vdekjes, sepse nuk ndahen deri në vdekje, madje edhe në vdekje janë bashkë.

Në fund të romanit, autori rrëfen për  lindjen e një fëmije, e që simbolizon shpresën dhe aspiratat për një jetë më të mirë, por njëkohësisht ngrit lart kultin e lindjes, por edhe të lirisë.

Përgjithësisht,  ku roman përmbledh në vete dy luftëra: lufta nga pushtuesit, që i përzënë “shpirtrat” nga vatrat e tyre, dhe, në anën tjetër kemi luftën psikologjike që është edhe më e vështirë,  ku e vetmja simbolikë heroike është që vdekjen ta presësh qetësisht dhe të jesh  i gatshëm për orën tënde dhe deri atëherë të përballesh dhe ta dominosh frikën. Në të gjithë rrugëtimin me tren,  frika është mbizotëruesja më e madhe e gjithë veprës e cila na bën të kujtojmë një frazë të popullit “nuk ka ma t’ambël se shpirti yt”, e cila me raste na duket edhe si pjesë komike e një ngjarjeje tragjike, e cila del krejtësisht njerëzore. Personazhet gjatë gjithë kohës bëjnë orvatje të vazhdueshme për të shpëtuar veten dhe të afërmit e tyre, duke harruar shpesh se kjo dhimbje i ka pllakosur qindra mijëra të tjerë nëpër fusha e male, nën qiell të hapur.  

Hypertext në tren

Romani bartësi i shpirtrave të përzënë është një hypertext që ka bazë e ndërtohet mbi një ngjarje të vërtetë, së cilës autori i është qasur në një formë krejtësisht ndryshe nga çfarë jemi mësuar të lexojmë më parë, duke ndryshuar kështu tërësisht formatin. Në vend të heroit trim e tejet burrëror, ai vë në qendër një hero frikacak, si Bardhylin, me profesion mësues. Mozaikun e personazheve e plotësojnë Valdetja dhe Jeta, duke u pasuar edhe nga Selmani, vëllai i Bardhylit, i cili mendohet të jetë një përfitues i luftës në krahasim me vëllain e Valdetes, që  ka një karakter më luftarak, sepse u bashkohet radhëve të Ushtrisë Çlirimtare  të Kosovës.  Protagonistët  Bardhyli, Valdetja dhe Jeta marrin përsipër shumë sfida të cilat edhe mund të shihen si të gjeneralizuara, nëse duam të zgjerohemi edhe më shumë në situata të tjera të familjeve shqiptare gjatë lufte.  Ndërsa, përveç ushtarëve serbë,  si antagonist, në një farë mënyre  shfaqet  edhe vëllai i Bardhylit, Selmani, i cili  i bën më të ndjeshme dhe më dramatike situatat. Në këtë kontekst,  historia e kësaj familjeje është shkruar në tri akte, duke vazhduar më tutje klasifikimin e saj në kapituj për të na njoftuar kështu për një strukturë kompozicionale prej nga rrëfimin e ndërton në disa nivele, por asnjëherë  pa humbur vijën dhe linjën kryesore fabulative, eksodin e shqiptarëve.

Po ashtu, duhetë thënë se ky roman përmban edhe elemente filmike, përfshirë këtu trenin dhe enterierin e tij, i cili po bartte shpirtra të përzënë, ku në mesin e asaj turme njerëzish, e cila po gumëzhinte sa nga të qarat, e sa nga rënkimet, po qëndronte edhe një i  pafrymë, duke mos i lënë për asnjë çast të harrojnë makthin që mund t’i zë. Ky enterier, brenda të cilit bëhet një lojë e dyfishtë psikologjike, është e përshkruar me finesa të cilat të duket se nga secili kend është vënë një objektiv i kamerës. Në anën tjetër, eksterieri përshkruhet duke vënë në fokus fshatrat e braktisura, pamje me shtëpi të djegura, që deri dje kishin kryer ritualet e përditshme njerëzore banorët jorezidentë të trenit. 

Përfundim

Që nga titulli e gjer në faqen e fundit të këtij romani, autori ka arritur që të shfaqë një anë tjetër të medaljes së luftës, të cilën e kemi njohur, por që pakkush e ka rrëfyer në frymën reale, tipike njerëzore, duke bërë që një temë e madhe, siç është lufta e fundit në Kosovë, të shtrohet  me një lirizëm të ndjeshëm dhe rrëfim tejet racional./ KultPlus.com

Të ngjajshme