Para 20 viteve e dhunoi policia serbe, Vasfije Krasniqi Godman do të rikthehet në vendin e krimit

12 Prill, 2019 - 2:55 pm

Këtë pranverë po shënohet 20 vjetori i krimeve të luftës në Kosovë. Gjatë këtyre ditëve janë shënuar përvjetorë të shumë masakrave, vrasjeve, plagosjeve, torturave e keqtrajtimeve dhe krimeve tjera të luftës, njofton QKRMT, shkruan KultPlus.

“20 vjetorin e këtyre krimeve e kujtojnë edhe shumë të mbijetuar/a të dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë, por të cilët asnjëherë nuk u deklaruan publikisht për tmerret e përjetuara.

E mbijetuara e dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë Znj.Vasfije Krasniqi Goodman, me ndihmën dhe mbështetjen e Qendrës Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës (QKRMT), më 16 tetor 2018 foli për herë të parë publikisht për përjetimin e saj gjatë luftës”, thuhet në këtë njoftim.

Më poshtë po e sjellim në vazhdim njoftimin e QKRMT për vizitën e Vasfije Krasniqi Godman në fshatin Babimost.  

Më 14 prill 1999, znj.Vasfije Krasniqi Goodman (në atë kohë 16 vjeçare) u rrëmbye nga një polic serb dhe u dërgua në fshatin Babimost (komuna e Obiliqit), ku u dhunua seksualisht nga një oficer policor dhe një civil.

Në 20 vjetorin e këtij tmerri, Krasniqi Goodman ka vendosur që ta vizitojë vendin e krimit, ku përkundër përpjekjeve për të kërkuar drejtësi, dhunuesit kanë mbetur të pandëshkuar.

Këtë të diele më 14.04.2019, ora 13:00, përfaqësuesit e QKRMT-së dhe aktivistë tjerë të të drejtave të njeriut, së bashku më znj.Vasfije Krasniqi Goodman do të bëjnë një vizitë në vendin ku ka ndodhur krimi, në fshatin Babimost, përballë Hotel AMAZONA. Znj.Krasniqi Goodman do të ketë një fjalim rasti para të pranishmëve.

Të ngjajshme