Përurohet Qendra “LIBART” dhe Biblioteka Qarkulluese

16 Korrik, 2020 - 5:00 pm

Sot është përuruar Qendra për Edukim dhe Kulturë “Libart” dhe Biblioteka Qarkulluese në Prishtinë, shkruan KultPlus

“Qendra LIBART dhe Biblioteka Qarkulluese do të operojnë në objektin e bibliotekës së qytetit “Hivzi Sulejmani”, thuhet ndër të tjera në njoftim.

Këtu keni njoftimin e plotë:

“Nga sot të rinjve kosovarë iu shtua një qendër e re rekreacioni në të cilën do të zhvillohen aktivitete të përjavshme e që në thelb kanë kultivimin e kulturës së leximit, dhe një bibliotekë me bazë ideore nga Suedia që synon ngritjen e cilësisë në sistemin arsimor të Kosovës.

Nën tingujt e muzikës dhe poetikës, organizata ETEA bëri hapjen e Qendrës për Edukim dhe Kulturë “Libart” në bashkëpunim me bibliotekën “Hivzi Sulejmani” dhe Komunën e Prishtinës si dhe “Bibliotekës Qarkulluese me strategjitë e lexim-kuptimit” si produkt i përbashket me The Library Project Kosova dhe GIZ Kosovo.  

Për të shënuar këtë datë, çdoherë duke respektuar rekomandimet e institucioneve gjegjëse, u mblodhën një numër i vogël i bashkëpunëtorëve që kontribuuan në krijimin e kësaj hapësire edukative e kulturore.

Drejtori i Organizatës ETEA, Agon Ahmeti në një fjalë rasti tregoi se për krijimin e qendrës LIBART, i kanë marrë parasysh hulumtimet, konsultat me bibliotekën “Hizvi Sulejmani” dhe Komunën e Prishtinës. Po ashtu, ai tha se ideja e tillë ka ardhë duke parë mungesën e aktiviteteve në biblioteka. Ndër të tjera, Ahmeti tregoi se nëse vazhdon kjo gjendje, Qendra LIBART do të vazhdojë aktivitetet edhe virtulaisht dhe duke respektuar gjithnjë rekomandimet.

Në kuadër të Qendrës LIBART do të funksionojë edhe Biblioteka Qarkulluese. Kjo e fundit zhvillohet në partneritet më organizatën The Library Project  Kosova, me seli në Suedi. Drejtoresha e kësaj  organizate, Safete Binaku, përmes një video-mesazhi u shpreh se ideja e  Bibliotekës Qarkulluese me strategjitë e lexim-kuptimit, është bazuar në një bibliotekë të ngjashme që gjendet në Stokholm. Ajo shtoi se qëllimi i këtij projekti është që nxënësit ta kuptojnë atë që e lexojnë, dhe theksoi se nxënësit kanë qejf të lexojnë sidomos kur kanë një mësues të mirë.

Bashkëpunëtore në krijimin e kësaj hapësirë është edhe Komuna e Prishtinës. Blerta Basholli, drejtoreshë e Drejtorisë së Kulturës në këtë  komunë tha se ata si komunë e kanë vlerësuar si shumë të rëndësishme krijimin e kësaj qendre. Ndërsa tregoi se në biblioteka ka qarkullim të të rinjve kur shkëmbejnë libra, por që ka mungesë të aktviteteve. Basholli u shpreh se janë OJQ-të, ato që po sjellin aktivitete dhe po krijojnë mundësi për rininë.

 Qendra LIBART dhe Biblioteka Qarkulluese do të operojnë në objektin e bibliotekës së qytetit “Hivzi Sulejmani”. Lidhur me rëndësinë e kësaj hapësire, shefja e bibliotekës Fatime Mehmetaj shtoi se beson që kjo qendër do të ketë aktivitete të shumta e të rëndësishme brenda vitit. Ndërsa për “Bibliotekën Qarkulluese”, Mehmeti tha se do të ndihmojnë sa të kenë mundësi për funksionimin e saj.

Përfaqësuesja e GIZ-it Gjerman në Kosovë, Zana Dobruna, e e cila është edhe eksperte e arsimit në këtë institucion, u shpreh se në emër të qeverisë gjermane, kanë mbeshtetur arsimin në Kosovë tash e 10 vite. Dobruna shtoi se po përpiqen ta bëjnë ndryshimin e paradigmës prej të mësuarit përmendësh në rritjen e kuriozitetit dhe mendimit kritik.

Natyra Rexhepi, mësuese në shkollën “Elena Gjika”, dhe njëherësh trajnere për strategjitë e lexim-kuptimit që hyjnë në kuadër të Bibliotekës Qarkulluese, u shpreh se kanë vënë në praktikë metodat e mësuara nga trajnimet, dhe theksoi që ndjen kënaqësi të tregojë që kjo ka qenë njëra ndër përvojat më të mira të saj.

Qendra për Edukim dhe Kulturë LIBART  mundësohet nga Komuna e Prishtinës, Organizata ETEA dhe Biblioteka Hivzi Sulejmani Prishtinë. Në këtë qendër çdo javë do të organizohen aktivitete të ndryshme që në fokus kanë edukimin joformal. Shikimi i filmave e dokumentarëve, bashkëbisedimet me shkrimtarë të njohur, debate për tema të llojllojshme socio-kulturore, dhe aktivitete të shumta muzikore e letrare, do të jenë vetëm disa prej veprimtarive që do të ofrojë kjo qendër.  

Ndërsa, Biblioteka Qarkulluese me strategjitë e lexim-kuptimit” implementohet nga organizata ETEA me seli në Prishtinë dhe organizata The Library Project – Kosova me seli në Stokholm me mbështetjen e GIZ Kosovo.

Qendra LIBART ka marrë për bazë hulumtimet e organizatës ETEA që kanë konstatuar  mangësinë e bibliotekave publike, siç janë mungesa e aktiviteteve për lexues. Këta të fundit, kane qene me shume kërkues në raport me atë që ofrojnë bibliotekat, konkretisht nuk u kanë mjaftuar shërbimet si huazimi i librit dhe ofrimi i hapësirës për lexim. Si rrjedhojë e kësaj, në konsulta dhe bashkëpunim me bibliotekën e qytetit te Prishtinës “Hivzi Sulejmani” si dhe me Drejtorinë e Kulturës – Komuna e Prishtinës është konceptuar ideja e një qendre të aktiviteteve brenda objektit të bibliotekës që tashme ka marruar emrin Qendra për Edukim dhe Kulturë LIBART.

Biblioteka qarkulluese me strategjitë e lexim-kuptimit është iniciuar nga Safete Binaku përmes organizatës The Library Project Kosova me seli ne Stokholm të Suedisë. Pas rezultateve të dobëta që Suedia shënoi në vitin 2012 në fushën e leximit të testit PISA, shkrimtari M. Widmark donte të kuptonte më shumë rreth sfidave në kuptimin e leximit tek nxënësit suedezë dhe inicio projektin “Një klasë leximi”, projekt ky nga i cili është inspiruar edhe “Biblioteka qarkulluese me strategjitë e lexim-kuptimit” qe tashme implementohet  së bashku me organizatën ETEA dhe me mbështetjen e GIZ Kosova”.

Të ngjajshme