Reagime nga Blerim Reka, Vlora Çitaku e personalitete tjera për Nobelistin që e përkrahu Millosheviçin

10 Tetor, 2019 - 6:06 pm

Reagime të shumta ka ngjallur ndarja e çmimit Nobel për Letërsi për shkrimtarin austriak Peter Handke.

Handke njihej si përkrahës i Sllobodan Millosheviqit dhe si person që haptas kishte mohuar masakrat në Ballkan.

Ish-diplomati dhe profesori universitar, Blerim Reka, përmes një statusi në rrjetin social Facebook e ka quajtur skandaloze këtë vendim.

“Skandaloze! Nobel për letërsi i ndahet Handkes, shkrimtarit që e mbështeti kriminelin e luftës, Millosheviq! Po sikur që paraprakisht po atë çmim ia ndanë Ivo Andriq koautorit të (projektit për dëbimin e shqiptarëve nga trojet e tyre në ish-Jugosllavinë – sqarim ynë) Çubrilloviqit dhe Ambasadorit Mbretëror Jugosllav, ngrehësit të dollisë në përurimin e Adolf Hitlerit si Kancelar. Nuk do të habitesha nëse vitin që vjen Nobelin e fiton shkrimtari i Robert Mugabes!” ka shkruar ai në Facebook.

Ndaj vendimit të Akademisë Suedeze ka reaguar edhe ambasadorja e Kosovës në Amerikë, Vlora Çitaku.

“Skandaloze! Komiteti i Nobelit ka vendosur të nderojë Peter Handken – një burrë që e ka lartësuar Millosheviqin, e njohur si ‘Kasapi i Ballkanit’ dhe e ka përkrahur regjimin e tij gjenocidial – me çmimin për Letërsi. Nuk ka asgjë nobel lidhur me këtë. Është vendim i paarsyeshëm e i turpshëm”, ka thënë ajo.

Pa fjalë ka thënë se ka mbetur me këtë vendim, Alexander Ivanko, ish-zëdhënësi i misionit të OKB-së në Bosnje e Kosovë.

“Jam absolutisht pa fjalë! A e ka humbur Akademia Suedeze toruan?! Peter Handke?! Mbrojtësi i Milosheviqit dhe mohues i Srebrenicës?! Si dikush që ka punuar në Sarajevë gjatë luftës, unë siguroj se aty s’ka pasur qytetarë të atij qyteti që kanë mbytur njëri-tjetrin! Forcat serbe kanë gjuajtur, qëruar e vrarë mijëra civilë. Handke nuk ishte aty, por ka mohuar se kjo ka ndodhur. Pa fjalë!” ka shkruar ai në Facebook.

Të ngjajshme