Reagon Gashi: Me heqjen e flamurit, Spanja tentoi ta dëmtojë suksesin e sportistëve kosovarë

2 Korrik, 2018 - 2:36 pm

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi, e ka quajtur veprim jo të mirë dhe ndërhyrje politike të Spanjës, heqjen e flamurit të Kosovës nga faqja zyrtare e Lojërave Olimpike Mesdhetare “Tarragona 2018” që po mbahen në shtetin spanjoll.

Tani për tani Kosova në sajt është e paraqitur me inicialet “KOS”, ndërsa Ministri i Kulturës, Kujtim Gashi në një prononcim për Ekonomia Online, ka reaguar për herë të parë lidhur me këtë veprim, i cili sipas tij, ka ardhur si pasojë e presionit të shtetit të Spanjës.

“Është një veprim jo i mirë i shtetit spanjoll sepse sporti nuk njeh kufi e as politikë. Nëse ka pasur kërkesë nga Qeveria, kjo tregon që në Spanjë ka ndërhyrje politike në aktivitete sportive dhe është për keqardhje. Me gjasë ditën e fundit ka pasur një presion politik atje nga shteti i Spanjës për të hequr flamurin nga ekranet”, është shprehu ai.

Mirëpo sipas tij ajo që është me rëndësi është fakti se Kosova ka marrë pjesë si shtet, me të gjitha simbolet e veta.

Ekonomia Online njofton se në fillim flamuri i Kosovës ka qenë prezent në faqen ku përfshihen ekipet pjesëmarrëse, por ai është larguar një ditë pasi xhudistet kosovare Nora Gjakova e Distria Krasniqi kishin fituar medaljet e arta.

Me këtë veprim sipas Gashit, Spanja ka dashur që të prishë rezultatet e arritura nga sportistët kosovarë, të cilët atë e kanë impresionuar me paraqitjet e tyre.

“Përndryshe, jam jashtëzakonisht i impresionuar me atë se si sportistët dhe shteti ynë është paraqitur në Spanjë me të gjitha simbolet dhe ndoshta kjo ka qenë arsyeja që ata kanë dashur ta prishin gjithë atë aktivitet të madh dhe gjithë ato rezultate që kanë sjellë sportistët tanë” tha ai.

Ministri i Kulturës ka qenë pjesë e delegacionit të Kosovës që po merr pjesë për herë të parë në këto lojëra. Ai ka theksuar se Kosova është trajtuar si shtet dhe është paraqitur me të gjitha simbolet e saj, derisa kur janë fituar medaljet është intonuar edhe himni shtetëror. Sipas tij, Komiteti dhe sportistët janë trajtuar jashtëzakonisht mirë.

“Por, ajo ndodh, është një incident i vogël që ka mundur të ndodhë me heqjen e flamurit nga ekranet ditën e fundit, është një gjest jo i mirë dhe një ndërhyrje politike e shtetit të Spanjës në zhvillimin e sportit”, tha ai.

Meqë Spanja vazhdon të mos e njohë Pavarësinë e Kosovës, ministri ka deklaruar se nuk kanë komunikim zyrtar me autoritetet atje për të kuptuar arsyen e heqjes së flamurit, raporton EO.
Por, ai ka shtuar se KOK-u ka kontaktuar me Komitetin Olimpik Ndërkombëtar dhe atë të Spanjës, dhe sipas tij së shpejti pritet të vijnë informacione rreth këtij veprimi./KultPlus.com

Të ngjajshme