Rrëfimi prapa grilave

12 Janar, 2021 - 7:30 pm

Tina është njëra nga të burgosurat e burgut të Lipjanit në Kosovë.

Kur e takuam, nuk ishte prapa grilave. Ajo po qëndronte në sallën e pritjes, e gatshme për të shpalosur detaje nga jeta e saj.

Tina vjen nga Shqipëria. Një kohë të shkurtë të jetës e ka kaluar në Pukë dhe më pas janë zhvendosur në Fushë Krujë. Ajo është martuar në moshë të re dhe prej atëherë bashkëshorti i saj gjithmonë ka qenë mbështetja kryesore jo vetëm për të por edhe për familjen e saj.

Në vitin 1993,  familja e Tinës e blenë një mulli shtetëror dhe puna në të u bë biznes familjar, të cilin e punonin me shumë zell. Në fakt, ata të gjithë u siguruan që të kishte disiplinë, që puna të kryhej mirë dhe orari të respektohej. Ndër vite puna rritej dhe me të edhe dëshira dhe mundësia e tyre për të bërë më shumë.

“Kemi pasë shumë prodhim dhe jemi ndi të lirë ” kujton ajo për revistën ZA.

Në vitin 2016 familja e saj vendosi që të marrë një hap më tutje në zgjerimin e biznesit, duke e hapur një mulli në Kosovë. Tinës iu besua udhëheqja e biznesit dhe këtë detyrë ajo e morri me shumë përgjegjësi. Disiplinën dhe kulturën e punës që mësoi u mundua ta krijonte edhe në Kosovë.

Por diku rrugës, u bë një gabim, i cili Tinës si udhëheqëse e biznesit në Kosovë i kushtoi me burg. Kjo është arsyeja pse ajo sot ndodhet në Lipjan dhe prapa grilave. Ajo ka tre vjet e gjysmë që qëndron aty dhe pret pranverën e vitit të ardhshëm për tu liruar dhe për tu kthyer te familja e saj në Shqipëri.

Të qëndruarit brenda katër mureve të burgut i ofron mundësi që të kthehet prapa në kohë në kujtime të ndryshme. Ajo e kujton ndjenjën e mirë të punës në grup si familje dhe kthimit në shtëpi së bashku. I mungon rutina e zgjimit në mëngjes dhe ndjenja përmbushëse e kontribuimit në shtëpinë dhe rrethin e saj.

Tina kujton edhe sfidat që ka hasur si grua në udhëheqjen e biznesit, e sidomos për periudhën kritike politike në Shqipëri dhe rënien e ekonomisë. Ndër të tjerash, i kujton radhët e gjata të banorëve duke pritur në rend për të siguruar një thes miell. Por ajo prodhimin e miellit nuk e kishte ndalë asnjëherë edhe gjatë kohës kur për të gjithë mbizotëronte frika e ekzistencës.

Kujtimet shpesh e dërgojnë edhe në histori të largëta. Ajo shpesh mendon për gjyshen e saj, e cila ishte shtyllë e familjes së Tinës. Kur gjyshi i saj kishte emigruar në Amerikë në vitet e 40-ta, ishte gjyshja e Tinës ajo që ishte kujdesur për familjen. Ajo kujton vrullin e gjyshes për t’iu bërë ballë sfidave të jetës dhe ndihet borxhlike ndaj saj. Por kjo nuk ishte vështërsia më e madhe për gjyshen e Tinës. Largimi i gjyshit nga vendi ishte arsyeja e burgosjes së gjyshes së saj, e cila e kishte vuajtur dënimin me burg në malet e Shqipërisë. Prandaj Tina reflekton në këtë zinxhir të historisë dhe mendon se nuk thonë kot që historia përsëritet.

Katër vitet e fundit të jetës për Tinën kanë shërbyer si një kapitull i plotë i jetës, kapitull të cilin nuk e ka pritur të ndodhë. Jeta në burg i ka krijuar miqësi me gratë e tjera. Aktivitetet e organizuara përbrenda shërbimit korrektues kanë shërbyer për të gjitha gratë si mundësi për ta njohur njëra-tjetrën. Madje, ky rrjet njohjesh e ditët e kaluara bashkë ia lehtësojnë Tinës jetën aty brenda.

“Këtu prej fillimit jam ndi shumë mirë. Nga stafi nuk kam hasur asnjë lloj vërejtje. Jam trajtu shumë mirë. Jam mundu edhe me punu. Këtu është nji angazhim shumë i mirë që ne punojmë”.

Burgu i Lipjanit mundëson aktivitete të ndryshme që kanë për qëllim aftësiminin e grave në zanate.

“Punoj në kuzhinë, rrobaqepësi edhe në drejtori kur ka nevojë, të pastroj. Ku të ketë punë jam e gatshme të kontribuoj e të mësoj punën. Jam marrë me qepje, punëdore e shumë gjana të tjera. Gratë që punojnë këtu janë shumë inteligjente”.

Tina merr pjesë në klubin e rrobaqepësisë dhe e sheh si aftësim shumë të vlefshëm për jetën e saj. Trajnimet që i janë ofruar në fund edhe i kanë certifikuar pjesëmarrëset. Gratë që kryejnë dënimin në këtë qendër korrektuese përgatiten për jetën që i pret jashtë.

“Ne kemi ba edhe kurse. Kemi marrë certifikata për floktari dhe rrobaqepësi. Kohën e lirë mblidhemi në sallë bëjmë punë dore e luajmë letra”.

Këto aktivitete përveç që shërbejnë si mënyrë për të kaluar kohën dhe për tu shkathtësuar për një jetë pas burgut, ato edhe forcojnë raportet në mes të grave të burgosura.

“Kam shumë qef me pasë komunikim edhe kur të dalë me ato gra që më kanë lanë respekt dhe i du. Do të kem komunikim me to sepse janë tregu shumë të mira dhe nuk ka probleme. Kam qef të mbaj lidhje të afërta me to se jam ba si familjare. Tash edhe unë fëmitë i kam në moshë madhore dhe më kanë thanë që kushdo që ta ka respektu dhe ata që unë i du, e kanë derën hapur në shtëpinë tonë”.

Por, përkundër shoqërive të reja, për Tinën kjo periudhë katër vjeçare prapëseprapë ka qenë e vetmuar. Familja e saj ndodhet në Shqipëri dhe vizitat e të shoqit kanë qenë shumë të rralla. Për të qenë më afër familjes ajo ka dorëzuar kërkesën për transferim në një qendër korrektuese në Shqipëri. Kërkesa e cila i është dorëzuar institucioneve të Kosovës tashmë është shqyrtuar dhe Tina pritet të transferohet këtë vit dhe ta përfundojë dënimin në Shqipëri.

“Përderisa ekziston një marrëveshje me Shqipërinë… kam dorëzuar letrat për transfer sepse kisha vjehrrën e sëmurë dhe burrin atje. Familja janë kthy. Nuk ishte mundësia për të nejtë në Kosovë”, thotë ajo për revistën ZA.

Si alternativë për të qenë në kontakt me familjen, Tina e shfrytëzon platformën online Skype.

Gjatë bisedave me fëmijët e saj, ata shprehin shqetësim për kushtet e jetës dhe gjendjen emocionale të Tinës. Ajo thekson që stafi është tejet i kujdesshëm dhe grave të burgosura u ofron ndihmë, kurajo e këshilla për mirëqenien e tyre.

I shoqi i saj shpreh shqetësimin e tij për faktin se ajo ndodhet në burg, por realiteti qëndron ndryshe. Për të ia hequr merakun familjes për kushtet dhe mbështetjen e mirë që ka, ajo i përgjigjet me sens humori të shoqit.

“Jam më mirë unë këtu mrenda se ju që jeni jashtë. Ju nuk e dini si është burgu. Mendoni që është ashtu si në filma”.

Përvoja, takimet me gratë e tjera dhe aktivitetet për aftësim profesional kanë lënë mbresë te Tina. Vetmia që do të mund ta zbehte vullnetin e saj, në fakt pati efekt të kundërt kur angazhimi dhe mirëkuptimi që u krijua në komunitet i qartësoi qëllimet dhe gatishmërinë për jetën e saj më tutje.

“Unë jam 52 vjeçe sot dhe kurrë nuk e kisha ditë… sa shumë gjana kam mësu prej këtu. Nji fakultet të tanë e kam marrë. Po qajo më e rëndësishmja çka kam mësu është mos me i besu askujt. I kam besu njerzve shumë dhe kjo më ka pru deri këtu”.

Pengesat dhe mosbesimet me njerëz të ndryshëm që i ka hasë gjatë jetës i janë bërë mësim Tinës për të qenë më e kujdesshme dhe më rigoroze ndaj veprimeve të tjetrit por edhe të vetes. Periudha e reflektimit gjatë këtyre katër viteve për të ka qenë kohë e vendosmërisë për përcaktimin e karakterit të saj për të ardhmen që po vjen. Mbështetja e plotë që e ka nga familja është arsyeja kryesore pse ajo vazhdon të bëjë plane se si të vazhdoj jetën, duke filluar nga dita e parë që lirohet.

“Do ta hapë një rrobaqepësi të vogël përderisa këtu e kam marrë një çertifikatë. Unë s’kam ditë hiç nga kjo pjesë e biznesit por mund të ndërroj e të dalë në degë tjetër më ndryshe”.

Kur mendon për rikthimin në punën me mulli është e hapur ndaj idesë. Djali i saj e mbështetë në këtë iniciativë dhe e shtyn përpara drejt dëshirës që të punojë me fshatarët dhe të sigurojë punë për komunitetin. 

“Çdo gjë mund të arrihet kur ke mbështetje. Edhe në shpi kur të jesh kur nuk ke përkrahje ka probleme. Ka gra që kanë prirje për shumë gjëra por… mungesa e mbështetjes i lë prapa”.

Ditët prapa grilave, ndonëse të vetmuara i kanë dhënë Tinës shpresë për jetën. Historia e saj të lë të kuptosh sa e rëndësishme është ringritja pas rrëzimeve. Ajo po lufton për ta mbajtur gjallë forcën që të duhet për të jetuar edhe pas vështirësive.

E ardhmja është e panjohur, por ajo e ka vizionin. Ndoshta një ditë, Tinën do ta intervistojmë sërish në dyqanin e saj të rrobaqepësisë apo edhe në mulli.

*Tina është emër i vendosur për personazhin nga redaksia. Identiteti i saj mbetet i njohur vetëm për ne, ndërsa historia ndahet me ju./ Fondacioni Jahjaga/ KultPlus.com

Të ngjajshme