1 Maj, 2025 - 11:32 am
Vjollca Duraku
Mbrëmë, në Qendrën Barabar është dhënë premiera e shfaqjes “Shpirti” me regji të Agim Selimit. Shfaqja e bazuar në veprën e njohur të Brian Weiss para publikut sjell një rrëfim ndryshe nga e zakonshmja dhe e prekshmja, duke e zgjeruar horizontin në aspektin spiritual.
Katerina ( Albionë Sahiti) gjendet në qendër të dramës. Ajo është një grua që vuan nga ankthi dhe depresioni, dhe për shkak të vuajtjeve shpirtërore që i përjetonte i ishte drejtuar psikikiatrit Dr.Brianit (Drin Berisha).
Të gjitha metodat e psikoterapisë që Dr. Briani i kishte përdorur për të shkuar te rrënja e problemit me të cilin po përballej Katerina nuk kishin dhënë ndonjë rezultat, pasi që jeta e saj nuk kishte pasur ndonjë ngjarje traumatike për t’i lënë gjurmë në personalitetin e saj.
Nisur nga kjo, psikiatri hebre vendos të eksplorojë kufijtë e shkencës dhe shpirtit përmes një metode të quajtur hipnozë, përmes së cilës arrin të shoh 84 jetë të mëparshme të klientes së tij. Aty konfirmohet edhe teoria e rimishërimit dhe esencës shpirtërore, si diçka që nuk ka as fillim, as mbarim.
Në jetët e mëparshme Katerina kishte qenë njeri me tjetër gjini, kombësi dhe ngjyrë të lëkurës. Në njërën prej jetëve kishte qenë valltare spanjolle, në një tjetër ishte përdhunuar nga babai i saj, një traumë iu shfaq gjatë mbytjes në ujë me fëmijën e saj, disa të tjera i kishte jetuar në kohën e antikitetit dhe në Egjiptin e lashtë.
Në gjenje hipnoze Katerina lidhet me energji më të larta (mjeshtrit), të cilët japin udhëzime për përvojat në Univers, në shtatë nivele. Në atë gjendje asaj i tregohet që psikiatrit i kishte vdekur djali i tij i posalindur. Ky informacion e shokon Dr. Brianin, sepse deri tani askush nga kolegët etij nuk e dinte këtë fakt.
Në fund, Katerina ndihet e çliruar pas gjithë seancave hipnotike, me anë të të cilave merreshin edhe mesazhe për jetën, vdekjen, vuajtjen, dashurinë dhe mbi filozofinë e jetës në përgjithësi. Kurse Dr. Briani ndihej i përmbushur me misionin e tij, për të shëruar njerëz dhe për të eksploruar kufijtë e shkencës përmes një qasjeje tjetër, të pa aplikuar më parë.
Pas shfaqjes, regjisori Agim Selimi tregoi për inspirimin e tij për të trajtuar një tematikë në aspektin e spiritualitetit.
“E kam lexuar para 12 vitesh veprën e Brain Weiss. Për mendimin tim ka qenë një vepër e cila më ka ndryshuar botëkuptimin dhe qasjen për jetën. Më ka inspiruar për të bërë dramë. Dramatizimin e veprës e ka bërë Agron Shala, e më pas e kanë vënë në skenë aktorët e vitit të katërt të Universitetit të Arteve. Mendoj që janë aktorë të talentuar”, ka thënë regjisori Selimi, duke potencuar që dashuria është e vetmja gjë që e ngrit nivelin e njeriut në të gjitha aspektet.
“Është një dramë psikologjike e cila na duhet secilit për të parë jetën në një këndvështrim tjetër, jo në këndvështrimin e frikës, egoizmit, konflikteve, të inateve por t’i qasemi jetës përmes dashurisë sepse dashuria është e vetmja gjë që mund t’i bëjë njerëzit më fisnikë dhe më të përsosur”, ka thënë regjisori Selimi.
Kurse, aktori Drin Berisha tha se ndihej i çliruar pas komenteve dhe reagimit pozitiv të publikut për shfaqjen.
“Është një ndjenjë shumë e mirë. Edhe emocioni gjatë shfaqjes është një ndjenjë e paharrueshme, por tash pas shfaqjes kur e shohim që njerëzit e kanë pëlqyer është një ndjenjë e çlirimit dhe e paqes në të njëjtën kohë. Procesi i realizimit nuk ka qenë aspak sfidues sepse e kemi pasur një regjisor shumë të mirë, Agim Selimin, i cili na ka drejtuar gjatë tërë kohës”, ka thënë Berisha me dëshirën që publiku të përfitojë si ndjenjë triumfin mbi ankthin, frikën, si dhe frikën nga vdekja.
Ndërsa, aktorja Albionë Sahiti ka thënë se ndihej e lumtur që kanë arritur të sjellin para publikut një shfaqje për të cilën është punuar me shumë pasion.
“Po ndihem shumë mirë. Po shpresoj që mesazhin e kemi përcjellë ashtu siç edhe kemi synuar, ngase besoj që mesazhi i kësaj shfaqjeje është jashtëzakonisht i fuqishëm, dhe i duhur për njerëzit. Provat kanë zgjatur dy muaj. Kemi qenë ekipe e vogël, por kemi punuar shumë. Shpresoj që ia kemi arritur një rezultat shumë të mirë. Megjithëse porcesi i ka vështirësitë e veta të vogla, por në përgjithësi jemi kënaqur”, ka thënë Sahiti.
Shfaqja “Shpirti” me regji të Agim Selimit është bashkëprodhim me Artpolis, e mbështetur nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit./ KultPlus.com