“Sot nuk të dua, nesër mund të të dua”. Letrat mes Dritëroit dhe Sadijes, një dashuri që zgjati 52 vite

27 Shtator, 2020 - 8:21 pm

Dritëroi dhe Sadija padyshim kanë qënë dhe mbeten një nga ciftet më të dashura për shqiptarët, dhe historia e tyre mbetet ndër më të bukurat e dashurisë që zgjati deri në fundin e jetës së tyre. Dashuria e tyre zgjati plot 52 vite, dhe nëse ekziston një botë e përtejme, me siguri ajo do të vazhdojë të zgjasë midis tyre edhe atje. Si një dëshmi e kësaj dashuri midis shkrimtarit të famshëm dhe bashkëshortes së tij, këtu po botojmë disa letra që dy të dashuruarit këmbenin në mesin e viteve ’60 midis tyre, periudhë gjatë së cilës ato edhe u martuan. Dritëroi, që nuk para i kishte shumë qejf telefonat, vlerësonte në veçanti letrat (të cilave, u ka dedikuar edhe një nga poezitë më të bukura të tij), kur ato shkruheshin me vërtetësi e ndjenja të pastra. Më poshtë gjenden disa nga këto letra:

E dashur Sadije,
Nuk e dij se ç’ka ndodhur me mua. Në moshën e Krishtit unë të bëhem kaq i papërmbajtur në çfaqjen e ndjenjave të mija?Mjafton të qëndroj pakëz në vetmi e të jepem i tëri pas teje. Kurse kur jam me shokët nuk e kam mëndjen në muhabetin e përgjithshëm. Më thonë se paskam ndryshuar kaq shumë sa s’njihem. Unë nuk kam qejf të ndryshoj natyrën time, prandaj ngushëlloj vehten, duke menduar se shokët, me që dijnë historinë time me ty, gabojnë në gjykimet e tyre. Po ç’është e vërteta unë ju jap të drejtë atyre se diçka ka ndodhur.

Në mesditë të jetës dashuria qënka e çuditshme.Dua që në këtë çast të jem me ty.Ti të rrish karshi meje, të flasësh, të qeshësh.E di ti se më pëlqen qeshja jote? Ti qesh fare, fare. E sheh si është natyra e njeriut e dyfishtë? Unë në tregime e në vjersha jam shumë i përmbajtur, apo jo? Edhe në shkrimet e dashurisë bile jam i përmbajtur. Po kur nis të të shkruaj ty dhe e humb gjakftohtësinë. Adio, gjakftohtësi, armë e shkrimeve të mija! Pse vallë?Kjo siç duket është merita jote.Unë në përgjithësi kurrë nuk kam hapur sytë rrugëve pas fustaneve, po tani i kam mbyllur fare – kudo vetëm ty të shoh.Letra është një shprehje e çastit.

Sikur ne t’i shkruanim letrat e t’i mbanim pa i dërguar qoftë edhe një ditë, natyrisht po të ishim në gjëndje shpirtërore normale, të tretën ditë do t’i grisnim e do të thoshim me vehte: ç’marrëzi kemi shkruar! Të tri letrat që të kam nisur para kësaj kanë plot marrëzira, se shpirtërisht nuk kam qënë mirë. Po mos u mërzit, njeriu duhet të ketë edhe çaste marrëzie, se do të na mbyste atëherë monotonia. Duhet të zbavitemi me ndonjë letër me nuanca anormale.

Njerëzit zakonisht në këto letrat e dashurisë kanë qejf të bëhen ose hamletë, të tregojnë sa vuajnë e sa janë të mërzitur nga bota, ose të bëhen si xhaxhallarë të urtë me shprehje plot mirësi e didaktikë, t’i mësojnë vajzat të mos bijen në gabime, t’u thonë atyre se ka njerëz që janë të liq e ku të di unë. Këta u shëmbëllejnë atyre njerëzve, të cilët kur flasin me femra i venë më shumë rëndësi intonacionit të zërit, gjesteve elegante, manierës së të qëndruarit dhe harrojnë të mjerët, natyrën e tyre. Fatkeqët! Me këtë, pa ditur edhe vetë, bëhen të mërzitëshëm.Unë sot gjithënjë kam jetuar me ty.Shkonja në rrugë – isha me ty, shkonja në kafe – isha me ty, shkonja në bibliotekë të kërkonja ndonjë libër – isha me ty. Po ç’u bë kjo, thosha me vehte, ëngjëll mbrojtës?

Dreq o punë. Është mirë kur të duan, apo jo? Po jo kur të duan “se na bashkojnë zakonet dhe afërsitë krahinore”! Kur të duan krejt ndryshe, krejt pa përcaktuar, pa rregulla, atëherë mund të jesh e lumtur.Unë nuk kam qef të më duan me rregulla, nuk dua të hyj nëpër unazë si akrobat. Bile unë kam qejf kështu: nuk e ndjen vehten mirë me mua një ditë, thua: më mërzite, Dritëro, sot nuk të dua, nesër mund të të dua, m’u çduk tani nga sytë! Çaste të tilla ka, apo jo?

Po njeriu është edhe rrufjan-hipokrit, që ka frikë të hapet e të shprehë gjithënjë të vërtetën.Megjithëse ti kështu nuk më ke thënë asnjëherë, po unë ka patur raste, që çaste të tilla, të shkurtra fatmirë- sisht, i kam nuhatur.E dij që këto janë në natyrën e njeriut, prandaj as jam mërzitur fare. Po mos nuhatnja të tilla çaste, unë nuk do të të desha dhe nuk do martohesha me ty. I marrë, do thuash, po është e vërtetë.Tani të të them pse nuk të kam marrë në telefon.

E di ti se unë nuk kam qef të flas në telefon se më mbarohen fjalët?S’di ç’të them.Që të flas, unë dua ta shoh njerinë, ose ta përfytyroj.Në telefon as e shoh, as e përfytyroj. Nuk e kuptoj se si më ka lindur kjo mani e pse më mbyllet goja në telefon. Duhet të jetë ndonjë sëmundje! Prandaj mos ma merr për të keq që nuk të kam telefonuar. Në Durrës nuk kam shkuar për të pyetur atë shokun tim, se ç’bëri me syzet që kam porositur për ty. E kam marrë ca herë në telefon, po ka qënë me leje dhe nuk më ka dalë.Kam filluar të bëj një jetë më normale, më realiste.

Për librin tim* me tregime kam pyetur në ndërmarrje të botimeve e më kanë thënë se së shpejti duhet të dalë në qarkullim. Më nxori mjaft telashe ky libër. Sipas numrit ky është libri i katërt që botoj, po më i vështiri dhe më i ngatërruari. Ky i pesti me vjersha që po pregatit s’besoj të ketë fatin e tregimeve. Në vjersha jam në terrenin tim dhe di të orientohem, megjithëse një zvaranik më tha se shumë vjersha duhet t’i heq. Lexova një libër nga Dostojevski dhe më ka lënë pa gjumë me tipat dhe figurat e tij të tmerrshme.Një burrë tërë natën mendon para qivurit të gruas së tij, që ka vrarë vehten.Cilat kanë qënë arësyet që gruaja e tij vrau vehten?Rreth kësaj shkruhet tregimi.Ka një moment të hatashëm.

Burrin e ka ftuar një njeri në duel (përpara se ky të martohej). Ai refuzon, nuk pranon të bëjë duel.Të gjithë e quajnë frikacak. Pas shumë situatash gruaja e çdashuron atë. Ai është shtrirë e fle. Ajo merr revolen dhe ia vë në tëmbth tytën e hekurt. Ai hap sytë, e shikon me gjakftohtësi tytën dhe i mbyll prapë.Gruaja tronditet. Përherë të parë kupton se ky nuk është frikacak. Po si është e mundur që refuzoi duelin? “Të refuzosh duelin – tha ai – kërkon më shumë burrëri!”Me të vërtetë është tregim i fortë.Gjynah që ti nuk e lexon dot.E kështu, moj e dashur, mjaft griva, po e mbyll letrën.

Të puth, Dritëro

19 Gusht 1964

*Bëhet fjalë për librin “Zhurma e erërave të dikurshme”, botim i ndaluar në vitin 1965.

E dashur Sadije,
Kjo është letra e fundit për 1964-n. Bukur ndodhi me ne. Na ishin dy njerëz diku në një qytet, u takuan, u dashuruan. Viti ecte, ecte.Dhe kështu erdhi dita e fundit e 1964. Njeriu ditën e fundit të vitit bëhet pak fillosof, apo jo? Të kujtohet kur më ke takuar mua me një shishe në dorë vjet në këtë kohë? Ku ta dinje ti se ai njeri me atë shishe një ditë do të bëhej burri yt?

E sheh sa të papritura ka në një vit? Po ti mund të mos bëheshe gruaja ime. Kudo që të ishe e me këdo që të takoheshe ti do të ishe njeri i mirë dhe i bukur. Ndofta unë ty të kam ëndërruar edhe në vite të tjerë, edhe pa të parë? Ë, ku ta dish? Po bëhem pak mistik e qesharak. Në fund të këtij viti, plot dashuri për ty, të uroj të jesh e mirë, e bukur, e dashur. Unë jam ngaherë edhe burri, edhe i dashuri yt. Të puth shumë, shumë.Dritëro.

E dashur Sadije,
U ktheve në shtëpi e lodhur, po me fitore. U bëre zyrtarisht gruaja ime.S’ka tani tërc mërc. Emrin tim e ke edhe në pashaportë. Bëjmë shaka, se s’ka ndonjë rëndësi një vulë e thatë. Ne edhe sikur mos e kishim atë vulë prapë bashkë do të ishim.

Sa u lodhe dhe sa nerva prishe ato nja dy ditë që isha unë në Shkodër. Po kushdo që të ishte ashtu do të mërzitej si ti. Nisesh për një gjë serioze e të del përpara një pengesë mizerabël! Mua më vinte shumë keq për ty.Po mirë që mbaruam shpejt.Unë ty të dua gjithënjë e më shumë.Mos kij për këtë asnjë dyshim.

Edhe celebrimin e bëmë, edhe e duam shoku shokun.Vetëm, me që janë bërë tërë formalitetet, ti duhet të vish ndonjëherë në Tiranë.Llogjikisht tani nuk duhet të kesh asnjë pengesë nga asnjeri.Të them të vijsh se mua ngaherë më merr malli për ty.Dje, pas celebrimit tonë të famshëm, unë kam qirasur gjithë ata njerëz.Të trashëgohesh, thosh njeri; të trashëgohesh, thosh tjetri. Sikur ne u fejuam dje! Siç duket ajo e djeshmja paska rëndësi dhe u quajtka si martesë.

Sot më erdhi telegrami yt dhe u gëzova që e ndjen vehten mirë. Kur u nise dje unë u trëmba, se do të sëmureshe shumë rrugës. Lutjen a e bëre? Mos e lërë pasdore dhe mos i nënvleftëso formalitetet, si unë se ngatërron punën siç e ngatërrova unë në zyrën e gjëndjes civile në Shkodër. Po më mirë që e bëmë celebrimin në Tiranë, u bë më natyrshëm e më njerzishëm. Edhe Qakua me Vaskën ishin simpatikë.Eja papritur ndonjëherë.

Të puth shumë
Dritëro

7 Janar 1965.”

“I dashtun,
Në Shkodër po bjen borë. Ç’mrekulli? Sikur të ishe dhe ti do të ishte edhe ma mirë. Megjithëse ndejta deri tashti tue ba plane simestrale, gëzimi i dëborës së parë që po bjen nuk më asht shue. Kjo dëbora lidhet gjithëmonë me kujtime të bukura.Nesër filloj edhe shkollën, do dalë të bajë disa fotografi. Sot më dukesh sikur të përcillnja në ndonji vend të afërt, sikur ti do të vijsh përsëri së shpejti. Vetëm kur ikën më kap mërzija. Tashti e shoh sa e lidhun jam me ty. Mirë thue ti jemi lidhë me fije të padukëshme aqë keq sa nuk mund të zgjidhemi ma.

Tashti hajde mbas tre javësh se këtu harxhon edhe shumë të holla. Unë të premtoj se nuk do të mërzitem. Tashti fillon edhe shkolla, kështu që do të jem gjithëmonë e zanun, por mos kujto që s’do kem kohë të lirë të mendoj për ty. Çdo natë mendoj dhe due që të shohë në andër. Ti je njeriu ma i mirë dhe ma i afërt për mue, edhe atëherë kur jam e inatosur me ty.Mor fishek meqënëse ke premtue se do të mbarojsh novelën, puno, mos u sill shumë.Artikullin a e shkrove, do të kesh mendue mjaftë në autobuz. Katër orë nuk i thojnë pak, mandej bashkëudhëtari nuk besoj të të ketë mbajtë me muhabet.S’kisha pse të bahesha xheloze.Po shkoj të fle se ora shkoi vonë.Të puth përpara se të marrë gjumi, sidomos synin që nuk të sheh para mirë. Do ta shëroj edhe atë me të puthuna.

Të puth shumë Sadija P.S. Sot sa ika prej shkollës së tregtisë, mora tre letrat e tua. Natën e mirë i dashtun.
8 Shkurt 1965.”

Të ngjajshme