Termokiss merr pjesë në ekspozitën me renome botërore Documenta 14

25 Korrik, 2017 - 9:14 am

Qendra e revitalizuar në Prishtinë Termokiss, përveç se po e gjallëron qytetin me aktivitete të ndryshme shoqërore e kulturore, gjithashtu po i jep mundësi të rinjve që jenë pjesë e ngjarjeve të mëdha botërore.

Documenta është një nga ngjarjet artistike më të mëdha në botë, ku artistë të mëdhenj si Pablo Picasso e Wassily Kandinsky i kanë ekspozuar veprat e tyre. Ajo mbahet një herë në pesë vite në Kassel të Gjermanisë, e sivjet plot artistë kosovarë si Sokol Beqiri e Lala Meredith-Vula janë pjesëmarrës, së bashku me punë kuratoriale nga Erzen Shkololli.

Këtyre artistëve tash iu bashkangjitën edhe dhjetë anëtarë të komunitetit Termokiss, të cilët nga 2 deri me 16 gusht do të jenë pjesë e projektit “Title on the spot”, në bashkëpunim me qendra të tjera shoqërore si Toestand (Zvicër), Happy Positiv (Zvicër), Soshenko 33 (Ukrainë) e qendra të tjera të ngjashme në Gjermani.

Ata do ta ndërtojnë një “fshat kolektiv të ideve”, themeli i të cilit bazohet në metodat e përbashkëta të produktivitetit, bashkëpunimit dhe transparencës, e me fokus të veçantë tek “procesi i krijimit”. Produkti final me formë të panjohur, definohet dhe ndriçohet prej punës dhe ideve të përbashkëta të këtij komuniteti të përkohshëm. / KultPlus.com

Të ngjajshme