Fillon ‘Anibar’, arti mbërthen Pejën

15 Gusht, 2017 - 11:44 am

Peja ka ndërruar atmosferë, duke u shndërruar kështu në një qytet të kulturës, rinisë, artit, filmave, aktiviteteve e duke pritur shumë vizitorë, krejt kjo për të shënuar javën më të bukur të vitit, javën e Festivalit Ndërkombëtar të Filmit të Animuar ‘Anibar’, përcjellë KultPlus.

Gjatë kësaj jave, të gjithë të interesuarit në kulturë, film, të interesuarit për të takuar njerëz të njohur e interesantë në animacion, filmografi, art, arkitekturë e shumë fusha të tjera, do të kenë mundësi të marrin pjesë në aktivitete të llojllojshme, duke filluar prej orës 10:00 të mëngjesit e deri në 22:00 në mbrëmje.

Përpos filmave do të hapet edhe një ekspozitë në galerinë e arteve në Pejë, do të ketë punëtori për fëmijë dhe të rinj, takime e prezantime në ambiente të ndryshëm, dhe në fund të çdo dite do të ketë ndeja të cilat shënojnë fundin e secilës ditë të Festivalit.

Gjatë kësaj jave, do të bashkohemi të gjithë për të Rikthyer Qytetin – duke qenë kjo kauza kryesore e këtij festivali, ku do të vihen në jetë hapësirat e pashfrytëzuara publike prej kohësh.

“Gjatë kësaj jave, të gjithë së bashku do e RECLAIM THE CITY, për ta lënë një shije të mirë të kulturës e artit edhe pjesën tjetër të vitit”, thuhet në komunikatë. / KultPlus.com

Të ngjajshme