Poeti Ag Apolloni- si e zbulova unë

26 Nëntor, 2017 - 11:04 am

Nga Kujtim Morina

Kisha lexuar më parë poezi të veçanta të Ag Apollonit por s‘më kishte bindur si poet. Në një mbrëmje leximi të organizuar nga poeti Agron Tufa tek kafe ‘E Për7shme” në Tiranë para 6-7 vitesh, ku z Apolloni ishte i ftuar në panel për të lexuar dhe iu kërkua një mendim për poezinë shqipe, ai iu përgjigj se do të veçonte vetëm disa poetë shqiptarë përfshirë Azem Shkrelin e ndonjë tjetër që s’po më kujtohet emri. M’u duk më shumë shprehje mendjemadhësie për t’u dukur para atij publiku të ngushtë, disa dhjetëra veta, krijues letrarë dhe studentë.

Më tej edhe titulli i librit të tij për të cilin kisha dëgjuar por jo lexuar, “Zomb” më dukej më shumë emërtim prej snobisti e gjoja modernisti. Ndërkohë, Ag Apolloni, mori nismën e ribotimit të revistës letrare “Jeta e re” në Prishtinë së bashku me një grup krijuesish letrarë aty dhe pas dy vjetësh a diçka e tillë ia la stafetën e drejtimit të revistës, krijuesit tjetër Agron Y Gashi, me siguri po mendoj unë i lodhur nga burokratët dhe mënyra si i bëjmë gjërat në botën shqiptare që pothuajse çdo gjë duhet të rregullohet “me mik” e “me lidhje” ku ligji dhe rregulli shumë herë janë të fundit në listë. Z Apolloni vijoi më tej duke themeluar një tjetër revistë kulturore dhe letrare “Symbol”, me siguri më elitare.

Librin me poezi të tij “Zomb” të botuar në vitin 2012 e mora në panairin e fundit të librit në Tiranë. Është një ribotim i librit të parë me të njëjtin titull të vitit 2009 por tani të përmirësuar dhe të zgjeruar me poezi të tjera. Që në poezitë e para të këtij libri, për mendimin tim, Ag Apolloni është një zbulim i poezisë së mirë dhe të artikuluar hollë. Ai e ndërton poezinë në simbiozë me muzikën, ritmin e kadencën e vargut. Poezia e tij është kryesisht me rimë por edhe me varg të lirë të ndërlidhur në të, me figuracion por jo aq shumë sa ta errësojë atë dhe t’ia humbasë toruan lexuesit. Madje një nga cilësitë e vargut të tij poetik a strofës së tij është liria e të shkruarit apo e thënë më qartë pas vendosjes së disa skicave apo shtyllave ku qëndron, poezia duket sikur ecën vetë me flatrat e një të dehuri që ka marrë një dozë të lehtë. Ai besoj shkon në gjurmët e poetëve shqiptarë Ndre Mjeda e Zef Zorba apo të poezisë moderne të Ezra Pound e Bob Dyllan. Poeti nuk heziton të shkruajë në gegnisht, me siguri se këtij lloj stili i përshtatet më shumë ky dialekt i shqipes por me një elegancë dhe kujdes në të zgjedhurit e fjalëve saqë besoj kuptohet lehtë edhe nga shqipfolësit e zonave më jugore të vendit.

Në poezinë “Flamengo”, po sjellim vetëm një strofë:

Prej ni grusht balte u bana
dhe ti nga i njajti brum je.
S’e di a ish dashni a urrejtje
po diçka na joshi ne.

Kështu i zgjedh titujt e poezive, një kombinim i terminologjisë muzikore, toponimeve të ndryshme, termave të njohur e panjohur ndërkombëtarë me referenca nga religjioni, kryesisht nga Bibla, Kurani dhe budizmi gjithashtu. Poeti rreket ta tërheqë lexuesin në botën e tij por të mos ia rrëmbejë lirinë, të ndërtojë imazhe sa më të prekshme apo edhe të vizatojë skica reale apo të kapë detaje të forta reale që janë sa vetë imazhi apo reflektojnë edhe më fort. Ai synon që lexuesi të ndjehet aty me praninë dhe lojën e tij dhe të marrë pjesë vetë në poezi madje edhe të përfitojë prej saj. Natyrisht se Ag Apolloni shkruan për një lexues të kultivuar por kështu është poezia e mirë dhe sot në botën e internetit, edhe termat apo referencat që nuk kuptohen menjëherë, lexuesi që e ka celularin apo tabloidin në dorë, mund t’i kërkojë menjëherë në internet dhe t’i gjejë. Kështu lexuesi tërhiqet në lojën e paralojën e poetit, përfiton në ndjesi e mendim, në skenën e krijuar apo të sajuar dhe prapa kuintave gjithashtu.

Nga mesi i librit, poezitë duket sikur e humbasin pak origjinalitetin dhe freskinë. Por kjo i ndodh edhe poetëve të tjerë aq më shumë që duke iu afruar fundit, libri e rimerr ritmin e kërkuar. “Zomb” është konceptuar në kuadrin e një poeme të ndarë në poezi të veçanta që kanë një rrjedhje logjike dhe harmonike apo si një roman në vargje që e fillon me një lidhje dashurie që shkon deri në zenit, pastaj zbret poshtë derisa çifti ftohet e ndahet. Më tej, poeti i vetmuar tashmë i këndon dashurisë së humbur, transcendencës së jetës dhe vdekjes e amëshimit. Vetë poeti ka bërë një shënim të gjatë në fund të librit që e titullon “filozofia e kreacionit” ku sqaron shtyllat kryesore ku është mbështetur në këtë libër, mënyrën si e koncepton ai poezinë, synimet e tij që këtë projekt ta vazhdojë, po mendoj unë si me modelin e Lahutës së Malcisë të Gjergj Fishtës apo Fije Bari të Uollt Uitman duke e zgjeruar në vite me këngë apo poezi të reja.

Në përfundim, do të thosha se për poezinë e Ag Apollonit dhe jo vetëm për të, vlen shumë ajo shprehja se përsëritja është mëma e dijes. Pra nga një fillim ku poezia e tij dukej e pakuptueshme apo e pandjeshme, duke e ripunuar, përmirësuar e evoluar në vite, kjo poezi e afron dhe e ndjell më shumë lexuesin në skutat apo orbitat e saj poetike derisa fiton të drejtën e qytetarisë së plotë mes krijuesve të qenësishëm letrarë. Pavarësisht nga një farë skepticizmi për poezinë shqipe të re të autorëve kosovarë, sidomos pas viteve 2000, mendoj se po afirmohet një brez i mirë i poetëve që nga Ag Apolloni, Ndriçim Ademaj, Donika Dabishevci, Ndue Ukaj, Ilire Zajmi, Xhevat Latifi, Sibel Halimi, etj. Më kuptoni, poezia shqipe është një, kudo që të shkruhet, por desha të shkruaj këtu për poezinë e re të Kosovës. Ky ishte një shënim i shkurtër për poezinë e Ag Apollonit duke pasur parasysh gjithashtu se ai e ka vijuar krijimtarinë e tij të botuar kryesisht nga shtëpia botuese OM Publisher me drama, prozë të shkurtër e të gjatë si dhe dy libra me studime e kritikë letrare./ KultPlus.com

Të ngjajshme