Triumfi i Andriqit dhe mohimi i Kadaresë

Tetor 6, 2017 - 1:30 pm

Shkruan: Bajram Mjeku

Pas shpërbërjes së Jugosllavisë, u spekulua shumë se sponsor i shkrimtarit serb, Ivo Andriq për Nobelin ishte shefi i Jugosllavisë komuniste, Josip Broz Tito. Në fakt, raportet e Josip Brozit me Andriqin ishin të ngrira për bindje politike. I pari komunist, i dyti monarkist me prirje shoviniste. Ky i fundit, Josip Brozin e injoroi deri në përbuzje, përkundër fuqisë politike që kishte shefi i Jugosllavisë komuniste gjatë 35 vjetëve të sundimit të tij.

Josip Broz u përkushtua që për Nobelin të promovonte një shkrimtar tjetër, mikun e tij Miroslav Kërlezha. Synimi i tij nuk u realizua kurrë. E kundërta e Andriqit, kroati Kërlezha shkruajti në mënyrë afirmative për shqiptarët dhe i vlerësoi jashtëzakonisht mirë.

Gjatë dy viteve sa kam jetuar në Oslo, nuk kam mundur të kuptoj miqësinë e madhe serbe me shtetet skandinave, në veçanti me Mbretërinë norvegjeze. Një mbrëmje dhjetori të vitit 2000, isha mysafir i dramaturgut norvegjez, Erling Kittelsen. Oslo, në prag të ndërrimit të mileniumeve dhe festave të Krishtlindjeve ishte dekoruar aq bukur, sa gjithë jetën do t’më ndjell magjia e saj.

Dramaturgu Kittelsen gjatë bisedës thoshte se gjithë ajo që dinte për letërsinë shqiptare ishte shkrimtari Ismail Kadare, pasi kishte lexuar disa nga romanet e tij. Derisa shëtisnim, u gjendëm përballë godinës së mrekullueshme Nobel Peace Center. Ishte rast i mirë të flitnim për Andriqin dhe çmimin prestigjioz, të cilit i ishte ndarë tre vjet para se të lindja unë. Siç asnjëherë nuk mora përgjigje për miqësinë serbe me popujt skandinavë, nuk mora përgjigje as për Andriqin dhe Çmimin Nobel për letërsi që iu dha atij.

Kur Evropa në gjysmën e dytë të shekullit njëzet shquhej për të drejta e liri njerëzore, projektuesi i elaboratit për zhdukjen e shqiptarëve u laurua me Nobel. Ndodhi në dhjetor të vitit 1961, kur në Pallatin e Akademisë suedeze në Stokholm, Ivo Andriqit, Nobelin për letërsi ia dorëzoi anëtari i Akademisë suedeze, dr. Anders Esterling. Edhe në pesë dimrat e ardhshëm, bashkëkombësi i tij, ministri famëkeq i Punëve të Brendshme në Federatën jugosllave Aleksandar Rankoviq, vriste e torturonte mijëra shqiptarë në Kosovë sipas elaborateve të Andriqit.

Komiteti i Nobelit, shpalli dje mbasdite laureatin e ri të Çmimit për Letërsi, shkrimtarin britanik Kazuo Ishiguro. Kumtesa e shkurtër e Akademisë thotë: “Çmimi Nobel për Letërsi për vitin 2017 i jepet autorit anglez Kazuo Ishiguro, i cili te romanet me fuqi të madhe emocionale, ka zbuluar honin nën ndjesinë tonë iluzore të lidhjes me botën”.Pak orë para se të shpallej emri i fituesit të ri, Ismail Kadare i dëshpëruar tha se jam mësuar të mos e marrë këtë çmim. Kadare e di që e ka të vështirë këtë triumf. Udhërrëfyesi më i madh i gjithë shkrimtarëve që krijuan në epokën e kampit komunist, mbetet shkrimtari i madh rus, disidenti Aleksandar Solzhenjicin. Ky i fundit fitoi Nobelin për letërsi në vitin 1970, derisa kundërshtonte zemrën e perandorisë komuniste dhe gjithë jetën e kaloi në kampin më mizor të botës në Gulagun siberian./KultPlus.com

Të ngjajshme