Pranverë e ftohtë kosovare

20 Prill, 2018 - 11:30 am

Pranverë e ftohtë kosovare
Me të ikur, me të vrarë, me varre…
Pranverë kësisoj u harrofsh fare.

Poezi nga Petraq Kolevica

Bie shi,
Fryn erë e ftohtë,
Rrjedh shi,
Rrjesh gjak
E rrjedhin lotë.
Qumësht gjinjësh
I rrjedh nuses që shtëngon
Foshnjën e ftohtë në zemër.
E ku t’i gjesh emër
Gjithë kësaj gjëme të saj?
Qiell pa skaj
Gjëmon
Dhe shi lëshon.
Mbi trupa të njomë fëmijësh,
Përmbi çembere të vejash,
Mbi koka me borë thinjash.
Mbi kaçurrela të rejash.
Rrjedh shi
Përmbi fëmijë të mekur
Nga të qarët.

Rrjedh shi
Përmbi të vdekur.
Përmbi të vrarët.
Ç’pranverë qënka kjo
Moj botë?
Ç’pranverë?
Me shi,
Me erë të ftohtë!
Rrjedh shi
I vrullshëm,
I ngadaltë.
Njerëz te unshëm
Ecin nëpër baltë.
Prindër pa fëmijë;
Fëmijë, pa prindër.
Grua pa burre
Bijë, pa baba.
Pleq të sëmurë
Ecin, ecin… Po ja!
Tek ngasin,
Rrëshqasin,
Bien, qytetarët,
Po prapë ngrihen,
Ecin përsëri Kosovarët.

Dhe rrallë e më rrallë
Kthejnë kryet
Të shohin pyjet,
Tokën e pakë.
Shtëpitë në flakë
Dhe mullarët.
Dhe prapë shi
E madje breshër.
Te ftohtët u futet në eshtër
Dhe fjalë… fjalë…
Në veshët vjen e shpon një gënjeshtër.
Ngadalë!
Kush tha?
Ata?
E shka do t’bahet me na?
Rrjedh shi,
Rrjedh gjak
E rrjedhin lotë,
Të vrullshëm,
Të ngadaltë.
Njerëz të unshëm
Ecin nëpër balte.
S’ka tokë më,
Po llucë, baltë.
Ku të varrosin të vdekurit.
Të vrarët?
Po si ti gjejnë rrugët Kosovarët,
Në këtë botë të mugët? /KultPlus.com

Pranverë 1999

Të ngjajshme