Presidentja Osmani shpreh ngushëllime për vdekjen e profesoreshës Shqipe Bajçinca – Brestovci

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka ngushëlluar familjen, të afërmit, kolegët dhe komunitetin sportiv për ndarjen nga jeta të profesoreshës Shqipe Bajçinca – Brestovci.

“Me dhimbje të thellë e pranuam lajmin për ndarjen e hershme nga jeta të profesoreshës së Fakultetit të Edukatës Fizike të Universitetit të Prishtinës, Shqipe Bajçinca – Brestovci, e cila njëherësh ka bartur disa pozita në periudha të ndryshme, në organizata sportive brenda e jashtë Kosovës”, është shprehur Presidentja e cila tutje ka thënë se kontributi i saj në edukimin e brezave të rinj , por edhe në zhvillimin e sportit kosovar është i jashtëzakonshëm, ndaj do të kujtohet përherë si pjesë e kësaj historie.

“Ju shpreh ngushëllime të sinqerta familjes, të afërmve, kolegëve dhe komunitetit sportiv. Në këto çaste të rënda për familjen, bashkëndjej me ju dhe ju inkurajoj që të gjeni forcë në përballimin e dhimbjes”, shprehet presidentja. / KultPlus.com

Alban Ukaj pjesë e serialit për luftën në Bosnjë e Hercegovinë

“Yellow Bird” do të prodhojë një film me titull “A Life’s Worth”, një serial dramatik i frymëzuar nga ngjarje reale brenda konfliktit në Bosnjë dhe Hercegovinë në vitet 1990.

“A Life’s Worth” zhvillohet në vjeshtën e vitit 1993, në mes të trazirave shkatërruese që po shpërthehen në Bosnje. Ushtarët suedezë të OKB-së nisin një mision të rrezikshëm për të sjellë paqen në një tokë të thyer. Seriali ndjek udhëtimin e një grupi ushtarësh të rinj dhe komandantit të tyre teksa luftojnë me kompleksitetin e luftës.

Në këtë serial do të luaj edhe aktori i njohur shqiptar Alban Ukaj.

Në kast gjithashtu do të jenë edhe Edvin Ryding (“Young Royals”), Maxwell Cunningham (“Top Dog”), Erik Enge (“Tigers”), Johan Rheborg (“Solsidan”) dhe Toni Prince (“Drugdealer”) . Anëtarët e tjerë të kastit përfshijnë Lazar Dragojevic, Ivana Roscic, Alena Dzebo, shkruan Variety.

“A Life’s Worth” (Vlera e Jetës) është shkruar nga Mona Masri dhe Oliver Dixon, dhe është drejtuar nga Ahmed Abdullahi. Është mbështetur me fonde nga Creative Europe Media dhe Nordisk Film & TV Fond. Drejtori ekzekutiv  i “Yellow Bird”, Jakob Feeney, do të jetë producenti ekzekutiv i serialit tok me Maida Krakun si producente.

Maida Krak tha se ky serial ofron portretizimin intim të sfidave që përballen ata që janë në përplasje të luftimeve.

“Frymëzuar nga ngjarjet aktuale, është një nga serialet më të guximshme që kemi prodhuar, që përshkruan trupat suedezë të OKB-së në mes të një konflikti alarmues, ndërsa gjithashtu thellohet në dinamikën e miqësisë dhe dashurisë së një ekzistence alarmues”, tha tutje producentja e Yellow Bird.

Alexandre Piel, kreu i dramës në “Arte”, thotë se “kjo është një histori që duhet të tregohet gjerësisht, veçmas pasi shërben si një kujtesë prekëse se sa i brishtë mund të jetë kontinenti ynë evropian”.

Shtëpia filmike “Yellow Bird”, sipas revistes Variety ka lënë gjurmë me prodhime si “Headhunters” për CMore nga Jo Nesbø, pastaj seria e dramës kriminale “Bäckström”, si dhe të mirënjohurat “Threesome” dhe “The Truth Will Out”. / KultPlus.com

Presidenti Begaj: Anëtarësimi i Shqipërisë në NATO, një ndër datat më të rëndësishme të historisë sonë

Më 1 prill 2009, Shqipëria u bë anëtare me të drejta të plota në NATO.

Presidenti Bajram Begaj, përcolli sot një mesazh për 15-vjetorin e anëtarësimit të Shqipërisë në Organizatën e Traktatit të Atlantikut të Veriut.

Begaj thekson se anëtarësimi në NATO realizoi aspiratën e kahershme të popullit shqiptar dhe është një ndër datat më të rëndësishme të historisë sonë kombëtare.

“Data e 1 Prillit të vitit 2009 jetësoi vizionin Euroatlantik të shqiptarëve për të qenë pjesë e Aleancës politiko-ushtarake më të fuqishme të kohës sonë. Ky anëtarësim realizoi aspiratën e kahershme të popullit shqiptar, duke e kthyer atë te përkatësia e vet perëndimore, e mishëruar që në filozofinë e heroit tonë kombëtar, Gjergj Kastriotit, si strateg i aleancës së parë politiko-ushtarake me Perëndimin. Anëtarësimi i Shqipërisë në NATO është një ndër datat më të rëndësishme të historisë sonë kombëtare”, shprehet presidenti në një postim në rrjetet sociale.

Ai shpreh mirënjohje ndaj popullit shqiptar, SHBA-ve dhe aleatëve, të cilët mundësuan realizimin e këtij anëtarësimi.

“Shqipëria në këto 15 vite në NATO ka sjellë më shumë siguri për vendin, rajonin dhe hapësirën Euroatlantike. Krenar për efektivët e Forcave tona të Armatosura, si dhe vajzat e djemtë shqiptarë në misionet paqeruajtëse dhe operacionet e NATO-s, si: Afganistan, Irak, Bosnjë, Kosovë, Bullgari, Letoni dhe Deti Egje. Shqipëria do të vijojë të jetë e palëkundur që, së bashku me aleatët, të mbrojë lirinë e të kontribuojë për një botë në paqe”, deklaroi presidenti Begaj./ atsh / KultPlus.com

81 vjet nga lindja e Rikard Ljarja, aktori ikonë në kinematografinë shqiptare

Aktori Rikard Ljarja lindi më 1 prill 1943 në Shkodër. Në vitin 1960 mbaroi maturën dhe në vitin 1965 u diplomua në Shkollën e Lartë të Aktrimit “Aleksandër Moisiu” në Tiranë.

Pas diplomimit, punoi për 8 vjet me radhë si aktor i teatrit “Migjeni” në Shkodër. Prej vitit 1973 deri në vitin 1996 ai ishte aktor, skenarist dhe regjisor i filmave të prodhuar nga Kinostudio. Prej vitit 1996 deri në 2002, kur doli në pension, shërbeu si drejtor artistik në Televizionin Publik Shqiptar.

Aktori karizmatik, realizues i sa e sa roleve, ka mbetur në kujtesën e publikut si fillrojtësi Dedë tek “Rrugë të bardha”, mësuesi Dritan Shkabaj tek “Komisari i dritës” apo Skënderi tek “Duel i heshtur”.

Rikard Ljarja mbetet ende një prej aktorëve më të dashur prej publikut. / KultPlus.com

79 vite nga masakra e Tivarit

Në Tivar më 1 prill 1945 u vranë e u masakruan rreth 1700 shqiptarë, ndonëse nga kujtimet e dëshmitarëve që përjetuan këtë masakër del se ky numër mund të jetë shumë më i madh.

Në gjysmën e dytë të vitit 1944, derisa forcat aleate (amerikane-angleze-ruse) përparonin në të gjitha frontet e luftës kundër ushtrisë hitleriane, Tito i shfrytëzoi këto rrethana, për luftimin e forcave të mbrojtjes kombëtare shqiptare dhe ripushtimin e Kosovës. Për t´i realizuar më lehtë synimet e saj, udhëheqja jugosllave, në fillim të janarit 1945 urdhëron mobilizimin e “brigadave të Kosmetit” për t´i dërguar në Frontin e ashtuquajtur të Sremit-në Serbi.

Ndonëse qendra e rezistencës shqiptare në gjysmën e dytë të dhjetorit 1944-janar 1945 ishte përqëndruar në Drenicë, ”Shtabi Operativ i Kosmetit”, urdhëroi Shaban Polluzhën që ta lëshonte Drenicën dhe të nisej në drejtim të Podujevës, për t´u bashkuar me Brigadën VII,e cila po marshonte për Serbi.

Shtabi i Brigadës së Drenicës largimin nga Kosova do ta kushtëzojë me ndërprerjen e vrasjeve dhe të plaçkitjeve mbi popullsinë civile nga ana e ushtrisë jugosllave, mirëpo pas dështimit të nënshtrimit të Shaban Polluzhës më 25 janar nisin operacionet ushtarake në shkallë të gjerë për asgjësimin e Brigadës së tij.

Shtabi Operativ i “kosmetit” i urdhëruar nga SHS i UNÇJ-së me qëllim të shpërbërjes së bërthamës së qëndresës shqiptare në Kosovë, gjatë muajve mars-prill 1945 mobilizon me dhunë shqiptarët për t´i dërguar në frontin e dytë të ashtuquajtur të”Adriatikut” në veriperëndim të Jugosllavisë. Skenaristët e Masakrës së Tivarit, për dërgimin e mobilizuesve shqiptarë në pjesët veriperëndimore të Jugosllavisë,kishin zgjedhur rrugën Prizren-Kukës-Shkodër-Tivar-Dubrovnik-Rijekë. Për këtë front mobilizuan shqiptarët nga Vushtrria, Podujeva,Prishtina,Kaçaniku,Ferizaji,Gjilani,Lipjani,Shtimja,Thera- nda,Burimi,Peja, Gjakova, Rahoveci, Sharri, Prizreni… etj. / KultPlus.com

“Travel off Path”: Shqipëria destinacioni perfekt këtë verë

Evropa në përgjithësi është një nga destinacionet më të mira të plazhit në planet me vende si Shqipëria, Greqia, Spanja, dhe Portugalia, shkruan Sam Sears në një artikull të botuar në “Travel off Path”.

Shqipëria ka qenë në një trajektore në rritje me udhëtarët vitet e fundit për një sërë arsyesh, por një prej tyre është bregdeti i saj fenomenal.

Qyteti bregdetar i mrekullueshëm i Shqipërisë, Ksamili, është një nga destinacionet më të mira të plazhit për t’u arratisur, dhe zgjedhja më e mirë për pushime verore të lira në parajsë.

Deti Jon

Shqipëria është një nga vendet më në trend në Evropë, tashmë një destinacion nën radar për shumë udhëtarë.

Niseni vizitën tuaj në Shqipëri me një ndalesë në kryeqytetin e gjallë, Tiranën.

Sfondi i bukur i maleve piktoreske të gjelbërta e bën qytetin unik dhe akoma më tërheqës.

Vija bregdetare e Shqipërisë është e mahnitshme.

Durrësi është plazhi më i afërt me Tiranën ku mund të bëni një udhëtim ditor.

Udhëtarët që nuk janë në dijeni të perlave të vërteta të Shqipërisë duhet të bëjnë një udhëtim pak më në jug të vendit.

Ksamili

Shqipëria ka pasur një rritje të turizmit vitet e fundit, shumë udhëtarë kanë përfituar nga kostoja e ulët e jetesës dhe lejeqëndrimi i lehtë për nomadët dixhitalë.

Vendi ofron plazhe jashtëzakonisht të bukura, ndër të cilat spikat një parajsë si Ksamili

Ksamili shtrihet përballë brigjeve lindore të Korfuzit duke ndarë të njëjtat ujëra blu mahnitëse me një nga sekretet e çmuara të Shqipërisë.

I krahasuar me Maldivet, fshat i bukur bregdetar ka rreth 10 000 banorë.

Ja vlen të udhëtoni për të pushuar në Ksamil, një nga sekretet më të ruajtura të Evropës, i mbushur me ujëra blu, rërë të bardhë, mot të përsosur dhe një atmosferë të qetë.

Ndryshe nga shumë destinacione të njohura të plazhit, Ksamili është i pacënuar dhe mund të kaloni ditë të lumtura në plazhin me diell.

Një arratisje verore e përballueshme në ‘parajsë’

Nomadët dixhitalë nuk janë të vetmit udhëtarë që kërkojnë të kursejnë shpenzimet në udhëtimet e tyre; kjo vlen për të gjithë.

Dhe kush nuk do të dëshironte të përdorte pasaportën e tij dhe të arratisej në plazhe parajsore të përballueshme?

Ksamili mund të jetë i vogël dhe nuk ka shumëllojshmëri në opsionet e akomodimit, por me siguri këtu mund të gjeni një vend të rehatshëm për t’u çlodhur.

Hotelet dhe bujtinat kushtojnë deri në 64 dollarë në natë, ndërsa hotelet buzë detit deri në 200 dollarë./atsh / KultPlus.com

25 vjet nga masakra në Gjakovë dhe Lybeniq të Pejës

Mbi 60 shqiptarë të lagjes së I-rë në Gjakovë janë masakruar nga forcat serbe, në mesnatën e 1 dhe 2 prillit të vitit 1999. Në atë lagje u qëlluan dhe u dogjën të gjallë burra, gra e fëmijë. Flaka që dilte nga shtëpia e familjes Vejsa tronditi të gjithë banorët e qytetit. Krismat e automatikëve nuk kishin të ndalur. Shtëpia digjej bashkë me trupat e njerëzve të gjallë e të vrarë.

20 vetë të familjeve Vejsa, Hoxha, Haxhiavdija, Caka, Gashi dhe Nuçi të strehuar në shtëpinë e Lulzimit u ngjitën në qiell bashkë me flakën që dogji trupat e tyre për ta sjellë dritën e lirisë.

Nga ana tjetër u vranë dhe u dogjën bashkë me shtëpitë edhe të katër anëtarët e familjes Cana dhe katër nga familja Gërçari.

Ndërsa po në këtë vit, më 1 prill, në fshatin Lubeniq të Pejës në orët e hershme të mëngjesit, formacionet ushtarake, policore, militare dhe paramilitare e kishin rrethuar në të gjitha anët këtë fshat, i cili shtrihet rrëzë Alpeve Shqiptare dhe në mes të fshatit Raushiq dhe Strellc, ku vranë shumë persona. / KultPlus.com

15 vjet nga hyrja e Shqipërisë në NATO

Më 1 prill 2009, Shqipëria u bë anëtare me të drejta të plota në Organizatën e Traktatit të Atlantikut të Veriut – NATO, pas përfundimit të ratifikimit të Protokollit të Anëtarësimit nga të gjitha vendet aleate dhe depozitimit të instrumentit të aderimit në NATO në Departamentin e Shtetit që është edhe mbajtësi ligjor i Traktatit të Uashingtonit.

Duke u bërë palë e këtij Traktati dhe shtet anëtar i NATO-s, Shqipëria përmbushi një synim strategjik dhe një objektiv parësor të politikës së Jashtme, duke avancuar ndjeshëm në realizimin e interesave të saj kombëtare.

Paraqitja e parë e Shqipërisë si anëtare me të drejta të plota e NATO-s u bë në Samitin e Aleancës që u mbajt në Strasbourg/Kehl më 4 prill 2009, ndërkohë që më 7 prill 2009, në selinë e Aleancës në Bruksel, u zhvillua ceremonia zyrtare e ngritjes së flamujve të Shqipërisë dhe Kroacisë në NATO, ndërsa një ditë më vonë Sekretari i Përgjithshëm i Aleancës zhvilloi një vizitë zyrtare në Shqipëri gjatë së cilës atij iu akordua titulli Doctor Honoris Causa nga Universiteti i Tiranës.

Anëtarësimi i Shqipërisë në NATO erdhi si rrjedhojë e vendimit të rëndësishëm për zgjerimin e Aleancës, të marrë më 3 prill 2008 nga të 26 krerët e shteteve dhe Qeverive të Aleancës gjatë një seance të posaçme të Samitit të NATO-s Bukuresht, nëpërmjet të cilit Shqipëria dhe Kroacia u ftuan të fillonin bisedimet për anëtarësimin.

Ky vendim erdhi pas mbylljes të ciklit të 9-të të Planit të Veprimit për Anëtarësimin (MAP) të Shqipërisë me NATO-n dhe pas kryerjes të një sërë reformave që synonin plotësimin e kritereve të nevojshme për anëtarësimin në Aleancë. / KultPlus.com

1 prilli – Sot shënohet Dita e Gënjeshtrave, kjo është historia që fshihet pas

Sot pothuajse në të gjithë botën shënohet Dita e Gënjeshtrave.

Dita e Rrenave është një zakon vjetor më 1 Prill që përbëhet nga shaka me gënjeshtra dhe mashtrime praktike.

Historia pas Ditës së Gënjeshtrave është e panjohur dhe ka pasur hipoteza të shumta në lidhje me origjinën e saj.

Megjithatë, teoria më e besueshme e lidh atë me fundin e shekullit të 16-të, kur Papa Gregori XIII propozoi zbatimin e kalendarit gregorian.

Kur kalendari Gregorian hyri në fuqi, 1 janari u bë fillimi i vitit. Ai zëvendësoi praktikën e fillimit të vitit në fund të marsit sipas kalendarit julian. Franca u bë vendi i parë që pranoi dhe zbatoi kalendarin e ri.

Pavarësisht lajmeve që po shpërndaheshin, disa individë nuk ishin në dijeni të ndryshimit ose refuzuan të ndiqnin ndryshimet e reja.

Ata vazhduan të kremtonin Vitin e Ri më 1 Prill.

Kështu, njerëzit që ndiqnin kalendarin gregorian filluan të tallnin dhe tallnin këta njerëz.

Praktika e përgjithshme ishte se ata që refuzonin të ndiqnin kalendarin e ri konsideroheshin budallenj dhe talleshin nga ata që e bënin.

Kështu, duke krijuar traditën e 1 Prillit të Ditës së Gënjeshtrave. / KultPlus.com