Ka veç një problem kjo botë, njeriun

7 Prill, 2019 - 9:10 pm

Flogerta Krypi

Berlin
Ka veç një problem kjo botë
Njeriun,
Atë që e njeh veç ti
Ato të këmbënyjtuarit
Që ngrenë rrjeta ku të përpijnë
Të kthejnë në vemje
E pasi të kanë ngrënë
Ashtu si krokodili qajnë
Por jo për ty
Po se kripa të djeg
Fytyrën ta gërryn
Derisa veten e vërtetë sheh.

Berlin
Kurrë se kam kuptuar
Pse njeriun?
Nga të gjithë
Pse me dasht njeriun?
Kur ata si myshqe a likene
Zënë vend nëpër gurë
E gurin thërromojnë
Pa lanë asnjë shenjë
Se aty ku sot shtrihen,
dikur,
Ka jetuar një thërrime gur.

Berlin
Kurrë nuk ma ke shpjegu
Pse njeriun?
Ai kurrë nuk të ka dasht
Kurrë nuk ka për të dasht
Ka për të vjedh
E besomë Berlin
Nuk ka qeli në këtë botë
Që maskat e njeriut mban
Që të vret vetë
Dhe po vetë të qan
E këtu besomë
Fajin krokodilat nuk e kanë.

Unë e di,
Berlin
Se dhe unë fatkeqësisht
Njeri jam lind.
Po tash më thuj Berlin
Pse njeriun?
Pse mu?
Unë desha thjesht një jetë
Pa u ndje vetëm
Pa qenë ngjyrë jeshile…
Pse njeriun Berlin?
A ia ka vlejt?

Berlin
mes rrëmujës gjendet fryma jote
çdo gjë shuhet nën shtëllunga
çdo varg është bërë i rëndomtë
kam ftohtë prej vitesh
dhe në shkretëtirë bie borë.

Berlin
kthetrat e natës më coptuan lëkurën
damarët rrjedhin qelb
buza më lëshon helm prej kohësh
po më vrasin nga pak
nuk ka shpëtim
largimi i hidhur po vjen.

Berlin
krahët janë qepur me kohë
pendët janë kthyer në mallkim
po unë do ngrihem fuqishëm
nëpër qiej
fatmirësisht, nga ikje të tilla ska kthim.

Berlin
sa keq që nuk u takuam dhe një herë
të qeshnin mes trishtimit në Invalden
mes rrënoja muresh
të ngrinim pasqyra për shiun
të fshijnë plagët që lamë ne.

Berlin
mos harro, në çdo ikje
me mua qesh/ KultPlus.com

Të ngjajshme