Dita Botërore e Lirisë së Shtypit, artisti Driton Selmani sjellë shprehjet fyese të politikanëve ndaj gazetarëve

3 Maj, 2019 - 5:54 pm

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës ka nisur aktivitetet e saja për nderë të Ditës Botërore të Lirisë së Shtypit me një audio-incizim, në të cilin dëgjohen shprehjet fyese të politikanëve ndaj gazetarëve që janë bërë gjatë këtyre viteve.

Ky instilacion artistik i vendosur në qendër të Prishtinës dhe i konceptuar nga artisti Driton Selmani, paraqet një realitet të gjuhës dhe mendimit që përdorin njerëzit e politikës.

Gentiana Begolli Pustina, kryetare e AGK-së, tha se përmes këtij instalacioni të gjithë qytetarët pa dallim, kanë mundësi të shprehen në lidhje me atë se si e shohin realitetin në Kosovë.

“Instalacioni është një mundësi për të gjithë qytetarët që të shprehin mendim e tyre rreth realitetit në Kosovë, me të cilin realitet ballafaqohemi ne në rend të parë si qytetarë pastaj edhe si gazetarë. Padyshim qëndrimi i AGK-së, është se realiteti në Kosovë është i korruptuar, andaj ne do të shkruajmë së pari atë mesazh këtu në kamion, dhe pastaj qytetarët do të kenë mundësi të kalojnë këndej pari dhe të shprehin qëndrimet e tyre”, tha Begolli-Pustina.

Në anën tjetër Ardiana Thaçi-Mehmeti, anëtare e bordit të AGK-së, theksoi se gazetarët nuk janë armiqtë e askujt, por se janë miq të së vërtetës.

“Ne gazetarët nuk jemi armiqtë e askujt, por jemi miq të së vërtetës që ndodh që kjo e vërtetë, në shtetin tonë të mos i pëlqej kryetarit të shtetit, kryeparlamentarit apo kryeministrit apo ligjvënësve. Ne nuk po bëjmë ‘fakenews’. Të vetmet lajme të rreme apo të pavërteta që ndoshta kemi mundur t’i transmetojmë ndonjëherë mund të kenë qenë deklarata të politikanëve që shpesh herë i kanë thënë dhe të cilat kanë dal që nuk janë të vërteta. Ne i kemi cituar sepse është dashur t’i citojmë, sepse kanë qenë qëndrime të tyre”, tha ajo.

Ndërsa Dardan Hoti, po ashtu anëtar i bordit të AGK-së tha se në ditën ndërkombëtare të shtypit, kanë vendosur të ngrisin zërin për padrejtësitë që u bëhen në vendet e tyre të punës.

“Kemi ende shumë punëtorë pa kontrata të punës, kemi ende shumë punëtorë e punëtore që në fakt punojnë jashtë orarit të punës dhe nuk paguhet ajo punë. Kemi shumë diskriminim gjinor brenda mediave. Kemi po ashtu pushimet e lehonisë të cilat nuk respektohen prej pronarëve të mediave. Përderisa ne çdo ditë shkruajmë për shkeljet e ndryshme të punëtorëve në krejt Kosovën, besoj tani është koha të flasim edhe për drejtat tona, të shikojmë nga vetja dhe të fillojmë të shkruajmë pak për diskriminimet që bëhen brenda mediave”, tha Hoti./ KultPlus.com

Të ngjajshme