Nesër vjen “Frymëmarrje në Gardh”

22 Janar, 2018 - 9:24 am

Më 23 janar në Galerinë e Ministrisë së Kulturës hapet ekspozita “Frymëmarrje në Gardh” e artistit Mentor Berisha.

Kuratori i kësaj ekspozite është profesor Fadil Hysa.

“Mentor Berisha është piktor dhe skulptor i brezit të ri të artistëve figurativ të Kosovës i cili kultivon një stil të veçantë pikturimi dhe skulpturimi, që rrallë e ndeshim tek artistët e brezit të ri. Në pikturat e tij mund të shohim imazhe nga e kaluara jonë, e cila rrezikon të tretet në harresë por fatmirësisht, ndonjëherë rrallë, si në këtë rast, ato ri-gjejnë rrugën e kthimit në kohën tonë përmes laboratorit krijues të artistit”, thotë kuratori, thuhet në komunikatën dërguar për medie.

“Frymëmarrje në Gardh” vjen nesër më 23 janar me fillim nga ora 19:00 në Galerinë e Ministrisë së Kulturës. Ekspozita mbështetet financiarisht nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit dhe drejtohet nga Dhurata Ramosaj Shala – koordinatore e Galerisë së Ministrisë së Kulturës./ KultPlus.com

Të ngjajshme