Tirana pa miq

13 Tetor, 2019 - 6:56 pm

Poezi nga Lindita Arapi.

TIRANA është bosh
Pa bori makinash, pa taka të larta
Nga tavolinat e kafeneve pikon shi.
Valë-valë pulëbardhash udhëhumbur
më fshikin të trullosura.
Ikin në kërkim të detit.
Lajmëtaret e para në Tiranë.
Cilin shpirt keni parë nëpër qiell?
Cilin nga miqtë e mi nuk do ta shoh më kurrë?

Tirana zbrazet,
unë vij të lidh nyjet e këputura
Të ngjis me netë vere pjesët e mbetura bosh të jetës sime
Me ato të miqve të mi.
Jetën që ndodhi pa mua.
Po nuk ju gjej më.
Vetëm kujtimet.

Kush ka soditur ujërat që rrjedhin kuturu?
Rrëkezat nuk lidhen, dhe po qe se takohen rastësisht, ndahen sërish.
Kjo është jeta pa ju, miqtë e mi.

Derisa një ditë vdekja të më gjejë edhe mua,
Në mos në ndonjë kafene të mbushur me kujtime
Në shtrat, flokërënë nga historitë e pajetuara.

Të ngjajshme