Vdes Dilip Kumar, aktori legjendar i njohur si ‘Mbreti i Tragjedisë’

7 Korrik, 2021 - 6:44 pm

Dilip Kumar, një nga aktorët më të hershëm dhe më të famshëm të filmit në Indi, ka vdekur në Mumbai në moshën 98 vjeç. Legjenda e Bollywoodit luajti në më shumë se 65 filma për gati pesë dekada, shkruan BBC, transmeton KultPlus.

Si “Mbreti i Tragjedisë” u cilësua pas angazhimit në një sërë rolesh serioze. Në disa prej tyre personazhet e tij vdiqën si dashnorë të zhgënjyer dhe pijanecë. Ai njihet gjithashtu si aktor me performanca shumë shprehëse, duke u identifikuar ndjenjat e secilit personazh.

Kumar u shtrua në spital më 30 qershor pasi u ankua për marrje fryme. Ai kishte qenë i sëmurë shpesh për muaj me radhë.

“Dilip Kumar do të rikujtohet si legjenda e kinemasë. Ai ishte i bekuar me një madhështi të pashoqe, shkaku i së cilës njerëzit e gjeneratave të ndryshme e donin shumë. Humbja e tij është humbje për botën tonë kulturore”, ka thënë kryeministri indian, Narendra Modi, në një mesazh të postuar në rrjetin social, Twitter.

Emri i tij i vërtetë ishte Muhammad Yusuf Khan dhe kishte lindur më 11 dhjetor 1922 në një familje myslimane. Familja e tij ishte nga Pakistani dhe ai e vizitoi shtëpinë e të parëve në vitet e 80-ta.

Kumar ishte shumë i famshëm edhe në Pakistan. Kryeministri i Pakistanit, Imran Khan, ka shprehur pikëllimin e thellë për vdekjen e Kumarit.

“Për gjeneratën time, Dilip Kumar ishte aktori më i mirë”, ka shkruar Khan.

Ai e kishte ndryshuar emrin kur kishte debutuar në Bollywood, në industrinë e filmit në gjuhën indiane me qendër në Mumbai, pasi ishte angazhuar në filmat “Jwar Bhata” dhe “Sea Tides” më 1944.

Gjatë karrierës së tij ka luajtur në më shumë se 60 filma. Më të famshmit mes tyre janë: “Jugnu” më 1947, ku ai luajti përkrah Noor Jehanin, dhe filmi i vitit 1948 “Shaheed”.

Ai luajti personazhe të shumëllojshme – heroin romantik në “Andaz”, pijanecin dramatik në “Devdas”, rolin komik në “Azaad” e shumë të tjerë.

Ka qenë pjesë e shumë filmave të zhanrit dramë si: “Footpath”, “Naya Daur”, “Musafir”, dhe “Paigham” gjatë viteve të 50-ta.

Koleget me të cilat punoi ishin: Madhubala, Nargis, Nimmi, Meena Kumari, Kamini Kaushal dhe Vyjanthimala.

Më 1966, Kumar u martua me Saira Banun dhe çifti aktroi së bashku në filmat “Gopi”, “Sagina Mahato” dhe “Bairaag”. Kurse, ai për herë të fundit u shfaq në një film në vitin 1998.

Varrosja e tij do të bëhet në 17:00 me kohën lokale (11:30 GMT). Kryeministri i Maharashtrës, Uddhav Thackeray tha që varrimi do të ndodh me nderime shtetërore. / KultPlus.com

Të ngjajshme