Haxhiu reagon për rastin e dhunimit, premton ndryshime në infrastrukturën ligjore

29 Gusht, 2022 - 8:14 pm

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka reaguar për rastin e 5 personave, të cilët dyshohet se morën pjesë në dhunimin e një 11 vjeçareje në Prishtinë, ngjarje e cila ndodhi sot, shkruan KultPlus.

Haxhiu thotë se është tronditës fakti që fëmijët, vajzat dhe gratë ende nuk janë të sigurtë, sepse dhunuesit qëndrojnë në liri, sepse nuk shqiptohen dënimet meritore, sepse ende krime të tilla të rënda nuk trajtohen seriozisht dhe ende tentohet të normalizohen, heshten e harrohen.

Postimi i plotë:

“Edhe një krim tjetër. Edhe një viktimë. Edhe shumë dhunues të lirë.

Është tronditës fakti që fëmijët, vajzat dhe gratë ende nuk janë të sigurtë, sepse dhunuesit qëndrojnë në liri, sepse nuk shqiptohen dënimet meritore, sepse ende krime të tilla të rënda nuk trajtohen seriozisht dhe ende tentohet të normalizohen, heshten e harrohen.

Fatkeqësisht, ky është ende realiteti ynë i cili duhet të ndryshojë orë e çast, dhe për këtë duhet angazhim serioz i institucioneve bashkërisht por edhe i gjithë shoqërisë.

Ftoj institucionet relevante që të trajtojnë këtë krim të rëndë, duke dëshmuar sa më parë përkushtim dhe rezultat në përndjekje dhe ndëshkim ndaj dhunuesve të të gjitha formave.

Si Ministri e Drejtësisë, jemi të përkushtuar që të ndërtojmë infrastrukturën më të duhur ligjore, që për aq sa na jep kompetencë ligji, të kryejmë të gjitha detyrat që i kontribuojnë drejtësisë.

Policia duhet të sigurojë lirinë e qytetarëve dhe gjykatat duhet të veprojnë, ato nuk duhet ta vështirësojnë tutje jetën qytetare me lirim të kriminelëve”, shkruan ajo. /KultPlus.com

Të ngjajshme