Për kë shkruajmë?

3 Mars, 2018 - 1:51 pm

Ali Podrimja (Kumtesë e lexuar në Simpoziumin ndërkombëtar “Shkrimtarët dhe nacionalizmi”, mbajtur në Vjenë më 30 dhe 31 janar 93. Botuar, po ashtu, në librin “Zwischen Feder und Fahne”, Picus, Vjenë 1993)

Iracionalja

Në një qytet të Bavarisë, rastësisht më ra në dorë një gazetë e Zagrebit. Duke e shfletuar, hasë një tekst të mikut tim Mirko Kovaç. Me kënaqësi fillova ta lexoj. Vazhdimi ishte dramatik. Plotë gërçe. Ajo që e thoshte shkrimtari i nderuar serb, nuk dëshiroja të ishte e vërtetë. Ishte diçka monstruoze. Diku në Bosnje, në qytetin Foça, kryesisht i banuar me myslimanë, jeta kishte marrë tatëpjetën. Iracionalja mbisundonte arsyen. E kuptoja revoltën e mikut tim. Por nuk mund ta merrja me mend se njeriu ishte shndërruar në një gjësend pa vlerë; se në mbarim të shekullit XX urrejtja ndërnacionale ishte thjesht instinkt dhe Evropa spektatore në një teatër të absurdit. Sipas shkrimtarit të nderuar, një farë Vojisllav Maksimoviq, profesor serb i Universitetit të Sarajevës, rrugëve të përgjakura të Foçës qenka parë duke luajtur futboll me koka të myslimanëve të masakruar.
Nga ato viktima disa, ndoshta, kanë mundur të jenë edhe studentë të tij, të cilët atje buzë Milackës piktoreske, kanë përcjellë ligjëratat e tij mbi të bukurën në art. Por Vojisllavi kishte harruar se ishte profesor i Universiteti, që merrej herë pas here edhe me mjeshtërinë e shkrimit. Ai ishte shndërruar në një fantom dhe me gradën e majorit ushtarak kishte marrë pjesë në vrasje të shumta dhe pastrime etnike. Rrënimi i Vukovarit, i Mostarit, i Dubrovnikut, i Sarajevës dhe i shumë fshatrave e qyteteve të tjera më pak të njohura flitnin bindshëm se nuk ishte fjala për psikoetikën e individit. Paranoja, pra, nga dita më ditë zbulonte fytyrën e vet të shëmtuar jo vetëm në shkrime bulevardeske, por edhe në etnosin, ideologjinë dhe filozofinë e një populli që i afrohej katastrofës. Në krye të asaj të keqeje qëndronin shkrimtarë, gjysmëshkrimtarë, intelektualë, kuaziintelektualë, politikanë të dyshimtë e kriminelë në zë, që i gjurmonte policia ndërkombëtare. Me programe nacionaliste dhe elaborate fashistoide mbusheshin bibliotekat, ose krijoheshin të reja, – sipas skenarëve.

Eklipsi

E kë nuk e shqetëson kjo? Në vetëdijen e krijuesit kishte ndodhur një eklips i tmerrshëm, humaniteti as dinjiteti nuk ekzistonte më. Sipas kokave nacionaliste një “popull qiellor” nuk mund të gabojë. Atij i lejohet çdo gjë. Edhe krimi. Toka serbe shpalleshin brenda nate edhe ato vende ku një qorr apo topall i sojit të tyre kishte kaluar ndonjëherë. Ose, ekspeditat ndëshkuese shpejtonin të shlyenin çdo gjurmë nga trashëgimia kulturore e identitetit të të tjerëve në trojet e pushtuara me dhunë. Nga një filozofi primitive nuk mund të lindte diçka njerëzore, pos një krijesë kiç, pikëlluese, pa vlerë – me një mjerim të thellë shpirtëror. Sepse, dihet, nacionalizmi është kiç. Kështu thoshte dhe Danilo Kishi. Por mu nacionalizmi na u bë ushqim kryesor për mediokër, që shtoheshin rreth tryezës nacionale. Ata krijues të paktë, të cilët kishin guxim intelektuali t’i kundërvihen kësaj paranoje kolektive, shpalleshin tradhtarë të interesave kombëtare; botuesit ua mbyllnin dyert, ose detyroheshin ta marrin udhën e ekzilit. Guximi i Mirko Kovaçit ma kujtonte fatin edhe të një poeti serb i cili, duke parë në ekranin TV se ç’po ndodhte me fëmijët shqiptarë, në demonstrata paqësore dhe masakra të policisë serbe kishte qarë për shkak të turpit dhe mjerimit të popullit të vet. Dorë pas dore, pas sa ditësh, më kishte arritur një poezi e tij për fëmijët, që kishin rënë nga breshëri i plumbave dumdum. E kishte shkruar atë natë të kobshme. “Ti mund ta botosh. Unë do të të jem mirënjohës tërë jetën se më ndihmon ta pështyj në fytyrë nacionalizmin e popullit tim”, kaq më kishte thënë në telefon, por edhe në një letër që kisha marrë pas një gjysmë viti udhe. Poeti që e thoshte këtë, e kishte kundërshtuar regjimin totalitar një gjysmë jete dhe poezia për fëmijët shqiptarë, as mllefi i tij nuk ishte një gjest. Ai besonte në vlerën dhe lirinë e njeriut, para se gjithash, ai mbronte etikën e shkrimtarit në një kohë të ligë kur euforia nacionaliste u bë metaforë e së keqës, eklips, më e fortë se fjala e tij prej humanisti.

Në mes nacionalizmit e kombëtares: udha e krimeve

Devavlimin shpirtëror të krijuesit, që e mundonte jo vetëm Mirko Kovaçin, e theksonte edhe më rëndë disidenti dhe bardi malazias, Jevrem Bërkoviq, në një tubim ndërkombëtar të shkrimtarëve të mbajtur në Bled. Por tmerri e agresiviteti i një diktature nacionaliste-staliniste ishte diçka e rëndomtë për ne shqiptarët. Vrasjet e eksodet, ndjekjet dhe tmerrin e bardhë ne e kishim përjetuar me dhjetra herë gjatë historisë sonë mijëvjeçare. Nëse Evropës nuk i kujtohet tragjedia e Çamërisë, pastaj ajo e Toplicës; nëse Evropa u mbyll në hipokriziminë e vet edhe pas vrasjeve e eksodeve të mëdha të viteve ’50, ’60, ’80 dhe ’90, duke konstatuar vetëm se atje në Ballkan po ndodh diçka e tmerrshme, kujtesa jonë nuk mund t’i shlyejë vajet e britmat mbi të vrarët e fëmijët e masakruar. Mjafton ta lexoni librin “Luftëtarat e Toplicës” të Dimitrije Petroviqit e të bindeni nëpër çfarë golgote kaloi populli shqiptar, të shikoni deri ku ishin trojet e tij, apo të shfletoni dokumentet e fshehta të ortodoksizmit ekstrem në relacion Beograd – Athinë… T’i kthehemi më mirë të tashmes, që na është bërë shqetësimi ynë i përbashkët. Para katër vjetësh në Beograd u mbajt takimi i parë dhe i fundit i shkrimtarëve serbë dhe shqiptarë. Midis fqinjëve shekullorë kërkoheshin shtigje për një mirëkuptim e dinjitet. Por ç’ndodhi? Shkrimtarët serbë, në vend që të përkrahnin kërkesat e arsyeshme të shqiptarëve rreth thellimit të bashkëjetesës në këtë pjesë të Ballkanit të shqetësuar, ata i shpallën luftë, dhe për çudi, nxitonin këtë ta bënin para Sheshelit, Arkanit, policisë dhe ushtrisë serbe. Gjeniun krijues të popullit serb nuk dua ta fyej, por atë nuk mund ta shoh si kreator të një ideologjie nacionaliste e antihumane. Emrat që i përmendte Bërkoviq në tekstin e vet fatkeqësisht i njihja. Ata ishin shkrimtarë të cilët zjarri i brendshëm demonian i kishte mundur. Tashti ata gjendeshin në krye të ekspeditave të vdekjes, në krye të pastrimeve etnike. Udha e krimeve është përgatitur me vite, në kontinuitet: nga poetika e viktimës si popull i shtypur, i persekutuar, i keqtrajtuar dhe i vrarë nga të tjerët deri te mistifikimi i një patosi e folklorike të çoroditur. Nëse një novelist, siç ishte Ivo Andriq, ose një akademik, siç ishte Vasa Çubriloviq, njëri nga atentatorët e Sarajevës të vitit 1914, pas të cilit shpërtheu Lufta e Parë Botërore – patën guxim që, sy e faqe Evropës, të shkruanin elaboratet fashistoide të viteve 1937, ’39 në stilin e Gebelsit për zhdukjen e qenies kombëtare të popullit dhe të shtetit shqiptar nga faqja e dheut, pse të mos vepronin kështu pasardhësit e tyre mediokër që për virtyt e pranojnë rrenën dhe filozofinë e tyre nacionale e ngrisin mbi të. Apo, siç thotë kryearkitekti i ideologjisë nacionaliste serbe, Dobrica Qosiq: “Rrejmë në mënyrë kreative… të paramenduar!”. E kjo nuk bëhet për shkak të ekzistencës, siç mendon Qosiq, por për të fshehur dhunën, krimet dhe frikën e fajësisë. Ndërkaq, për një popull dinjitoz, civilizues – vrasjet, rrënimet e plaçkitjet nuk janë cilësi krenuese. Shkaktar për një rënie kaq të madhe, para se gjithash, është euforia nacionaliste e cila ka krah të fortë pseudoshkencën dhe propagandën e saj shoviniste e cila, brenda e jashtë trevës gjuhësore sllave bën çmos ta mohojë autoktoninë e të tjerëve, pra edhe të shqiptarëve. E kjo të shtyn të besosh se popullin serb ka zënë ta kaplojë ndjenja e inferioritetit ndaj vlerave e të vërtetave të tjerëve. Bota e ka të qartë se kush nga ka ardhur, po ashtu për popull autokton askund në botë nuk mund të shpallën ardhacakët. E vërteta për shqiptarët si pasardhës të ilirëve dhe popull autokton në etninë e tyre, nga dita më ditë vjen e forcohet me dëshmi e vepra jo vetëm të shkencës shqiptare. Pjesëmarrjen e shkrimtarëve në euforinë nacionaliste, e kuptoj edhe si një fatkeqësi për artin e lirinë e njeriut. Nëpër veprat e shkrimtarëve, që i përmendte Bërkoviq me një shqetësim të thellë, nëpër fjalët e simbolet e tyre bridhte e keqja, e akumuluar me vjet dhe e mbështjellë me një gjak të zi. Ishin ato imazhe të errëta e përmbajtje të vdekura. Në to dorë e artistit më së pakti hetohej. Theksimi i tepërt e arrogant i krenarisë dhe i ndjenjës nacionale kishte arritur të zhdukë çdo dallim të mundshëm në mes nacionalizmit dhe kombëtares.

Miti mbi Kosovën

Duke lexuar librin “Mbretëria e Osmanlinjve” të turkologut të mirënjohur austriak Joseph von Hamerit, nga kapitulli në kapitull, zbuloja mistifikime të mëdha në shumë vepra që i kisha lexuar më parë, në vërtetësinë dhe vlerat e të cilave kisha dyshuar. Koha e humbur më dhimbsej dhe më mundonte mjerimi shpirtëror i autorëve që kishin helmuar breza lexuesish e përçarë popuj. Me këtë rast duhet zënë ngojë, para se gjithash Mitin për Kosovën (Dardaninë), shfaqjen e tij, që ishte ngritur mbi gërmadhat shpirtërore e për të cilin bëhet fjalë aq shumë në historiografinë dhe letërsinë e dy fqinjve shekullorë – serbëve dhe shqiptarëve. Përderisa serbët Betejën e Kosovës e pranojnë vetëm si luftë të drejtë të tyre, shqiptarët e konsiderojnë si luftë të koalicionit ku ballkanasit për herë të parë i kishte bashkuar një e keqe e madhe. Derisa serbët Mitin e Kosovës e ngritin si çështje ekzistenciale të serbizimit dhe me zjarmi duan të dëshmojnë autoktoninë në një tokë të huaj, shqiptarët nuk vuajnë nga ky kompleks; përmes Mitit të Kosovës ata përkujtojnë sa herë i kanoset Ballkanit ndonjë fatkeqësi, popujt e këtij rajoni i kanë harruar hasmëritë. Pra, Miti i Kosovës tek shqiptarët shpie nga mirëkuptimi, bashkëjetesa e paqja. Për qëllime hegjemoniste këtë nuk e pranon pala serbe. “Mbretëria e Osmanlijve”, një çelës i artë, ma hapte derën e rëndë të vilajetit të errët dhe më nxiste të rilexojë shumë vepra, që i kisha hedhur në një qoshk të bibliotekës familjare. Mallkoja shumëçka. Krijuesit ballkanas kishin lëshuar një shans jetik. Përmes Mitit të Kosovës ta madhëronin dhe ta forconin bashkëjetesën në rajon. Këtë, si duket, bëri përpjekje ta korrigjojë shkrimtari me famë botërore, Ismail Kadare; duke iu qasur të kaluarës me një sensibilitet të ri e vërtetësi historie dhe duke respektuar e çmuar edhe përpjekjet e të tjerëve në shtegtimin nga drita e largët e vilajetit të errët. Kështu kishte vepruar edhe historiani i nderuar austriak Joseph von Hamer, i cili njëzet vjet kishte kaluar nëpër arkivat e osmanlinjve, për të kërkuar të vërtetën për atë se ç’kishte ndodhur në Ballkan në kohë të shkuara. Sepse nuk ka gjë më të tmerrshme se kur krijuesi rren lexuesin. Mistifikimi është shkalla e parë e nacionalizmit, ndoshta edhe më e pasigurta.

Bizariteti. Qetësia falso e Evropës

Përkundër përpjekjeve të krijuesve dhe intelektualëve shqiptarë për të vënë një dialog paqësor me palën serbe, gjenocidi kulturor e fizik në hapësirën shqiptare brenda Jugosllavisë së mbeturinave vazhdon të marrë përmasa katastrofike edhe për vetë rajonin. Se deri ku ka arritur paranoja dhe radikalizmi i një politike mesjetare serbe, e ilustron mjaft mirë një barcoletë e cila ka kohë që qarkullon: Ç’bën serbi kur nuk ka para? Shkon në Kosovë, vret ndonjë shqiptar dhe pret Sheshelin t’ia dërgoj 50 markat gjermane të marra nga shqiptari i vrarë! Kjo e vërtetë e hidhur, më tepër tragjike për vetë politikën shtetërore serbe, ta kujton edhe një këshillë bizare të kohës së Pashiqit: Të lindni fëmijë sa vritni shqiptarë! Unë nuk kam kurrfarë komenti për këtë marrëzi njerëzore. Dhuna e krimi u zhvilluan në kontinuitet, në mënyrë të paramenduar. Siç thashë diku më lartë, shkaktarë të një gjendjeje të tensionuar jo vetëm në hapësirën shqiptare, para së gjithash, janë pjesa dërrmuese e shkrimtarëve serbë, të cilët me energjinë e tyre krijuese ushqyen dhunën. Kjo është e tmerrshme, posaçërisht në momentin e pikërishëm kur qetësia e Evropës është një qetësi falso. Ta duash popullin dhe kulturën tënde është gjë e shenjtë. Nuk jam as kundër atyre që bëjnë programe nacionale dhe merren me historicizëm. Jam kundër atyre që rrënojnë qetësinë e të tjerëve. Populli im nuk e pranon dhunën si mjet për zgjidhjen e konflikteve jo vetëm në rajonin tonë të shqetësuar. Fqinjtë e mi shekullorë, po qe se i urrej, para etikës së popullit tim do të turpërohesha. Brengos fati i popullit serb, nëse vazhdon të identifikohet me një ideologji neofashiste. E ardhmja e tij mund të jetë më e zymtë. Shtrohet pyetja: A mund t’i ikim një katastrofe të mundshme dhe të na kthehet paqja në trojet tona? Besoj se po. Vetëm kokat e fjalët tona t’i shkundim nga demonët. Atdheu ynë i vetëm e më i sigurt mbetet Njeriu.

Të ngjajshme