Promovohet libri “Bllaca – dhimbja e lirisë” nga Emin Azemi

22 Qershor, 2019 - 9:27 am

Është promovuar libri “Bllaca – dhimbja e lirisë”, i publicistit Emin Azemi. Ky libër është vlerësuar si i veçantë dhe u tha se po vjen në kohën e duhur për të dëshmuar gjenocidin dhe krimet serbe që kanë ndodhur në Kosovë.

Autori i librit, Emin Azemi tha se ky libër është një përmbledhje e aktakuzave që do të duhej të procedoheshin nga dikush në mënyrë që gjenocidi serb të marr dënimin e duhur.

“Është një përmbledhje aktakuzash të cilat fatkeqësisht po rrinë në këtë libër dhe do të duhej që të procedoheshin nga dikush. Po bëhen 20 vite dhe gjykatat ndërkombëtare për krime kundër njerëzimit nuk e di shumë pak kemi, Serbia dhe gjenocidi serb nuk është dënuar”, tha Azemi.

Recensenti i librit, historiani Sevdail Demiri tha se ky libër vjen në kohën e duhur për të rikujtuar sakrificën dhe vuajtjen e qytetarëve që ka ndodhur 20 vite më parë, transmeton kp.

“Dy dekada më parë Kosova u gjend para sprovës së madhe të mbijetesës. Shumica e shqiptarëve iu nënshtruan dhunës në përmasa gjenocide që po ushtronte makineria vrastare serbe e Millosheviqit. Vjen para lexuesit në kohën e duhur për të na rikujtuar vuajtjet dhe sakrificën sublime të mijëra shqiptarëve të shpërngulur dhunshëm nga trojet e veta 20 vite më parë. Por dhe me solidarizimin e miliona shqiptarëve të tjerë me këtë tragjedi kolektive”, tha Demiri.

Ndërkaq, profesori Arben Fetoshi u shpreh se ky libër vjen si një monument i rëndësishëm për gjenocidin që e ka bërë Serbia në Kosovë.

“‘Bllaca- dhimbja e lirisë’ është segment i Holokaustit shqiptar, i cili na ofron pasqyrë të qartë të terrorit, perversitetit, sadizmit të shfrenuar, një kronikë të dokumentuar të gjenocidit serb. Një rrëfim autentik në mënyrë që siç ka thënë Vizel që bota mos të harroj kapacitetin çnjerëzor të njeriut mbi njeriun”, deklaroi Fetoshi.

Kryetari i Shoqatës për Kthimin e Shqiptarëve në trojet e veta, Jahja Lluka deklaroi se nuk duhet të tmerrohemi nga e kaluara dhe ky libër, sipas tij jep dëshmi për ato që kanë përjetuar qytetarët.

Ai bëri thirrje që të përkujtohet sa më shumë Bllaca në mënyrë që mos të harrohet.

“Duhet të përkujtojmë Bllacën të shënojmë, mos të harrojmë. Këto 20 vite Bllaca është përkujtuar vetëm me një orë letrare me disa poet, faleminderit atyre, por është shumë pak”, tha Lluka.

Ndërsa, studiuesi i letërsisë dhe shkrimtari Arben Veselaj tha se ky libër përmbledh shkrimet për vuajtjet e refugjatëve shqiptarë në disa kampe si ai i Bllacës dhe Stankovecit. Ai kërkoi që të kenë sa më shumë shkrime dhe botime për të dëshmuar krimet serbe në Kosovë.

Të ngjajshme