QKRMT sot mbushë 23 vjet, këtë përvjetor ia dedikon dokumentimit të krimeve të dhunës seksuale të ndodhura gjatë luftës në Kosovë

13 Tetor, 2022 - 12:24 pm

23 vjet pas themelimit të saj, QKRMT vazhdon të shërbejë si qendër rehabilituese dhe e kujdesit për të mbijetuarit e torturës, avokimit për të drejtat e tyre dhe rritjes së vetëdijes shoqërore, me theks të veçantë për të mbijetuarit e dhunës seksuale nga koha e luftës në Kosovë. 

Këtë përvjetor, QKRMT ekskluzivisht ia dedikon dokumentimit të krimeve të dhunës seksuale të ndodhura gjatë luftës në Kosovë. 

Në shënimin e këtij përvjetori tematik, me datë 18 tetor QKRMT organizon Konferencën Ndërkombëtare “Dokumentimi i dhunës seksuale në konflikt: Standardet dhe Praktikat” ku do të shpalosin punën e tyre tre vjeçare në dokumentimin e detajuar të rasteve të dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë.  

“Përveç që do të flasim për rëndësinë e dokumentimit të dhunës seksuale në kohë lufte, gjatë kësaj konference do të bëhet edhe një prezantim preliminar i  Manualit për Dokumentimin e Dhunës Seksuale gjatë Luftës, përgatitur nga QKRMT. Ky Manual është një ekstrakt i mësimeve të nxjerra nga përvoja jonë e dokumentimit dhe do të shërbejë si udhërrëfyes për shumë organizata e institucione të tjera në mbarë botën, të cilat do të nisin proceset e tyre të dokumentimit të dhunës seksuale në konflikt. Gjithashtu, Konferenca do të jetë një mundësi e jashtëzakonshme për diskutim, ku ekskluzivisht do t’i ndajnë përvojat e tyre në dokumentimin e krimeve të dhunës seksuale në konflikt, përfaqësues nga Ukraina dhe Kolumbia”, thuhet në njoftim.

Krahas dokumentimit, në frymën e shënimit të këtij përvjetori, përmes artikullit të gazetares Ukrainase Lyudmilla Makey do të vënë fokusin në rëndësinë dhe impaktin e raportimit profesional në media, të çështjeve të ndërlidhura me dhunën seksuale në konflikt. Për më tepër, ky artikull  botuar në mediat ukrainase reflekton edhe punën e QKRMT-së, si dhe rëndësinë e përvojës dhe profesionalizmit tonë në kontekstin aktual të dokumentimit të krimeve të dhunës seksuale në Ukrainë.  

Gjithashtu, me datën 19 tetor organizojnë punëtorinë me gazetarë vendas dhe ndërkombëtar: “Hapësira dhe Qasja mediatike në raportimin e dhunës seksuale të ndërlidhur me konfliktin” e cila ka qëllim të stimulojë debatin mbi raportimin sensitiv të dhunës seksuale në konflikt dhe impaktin e mediave në perceptimin shoqëror dhe politikat vendimmarrëse në çështjet e ndërlidhura me dhunën seksuale në konflikt. / KultPlus.com

Të ngjajshme