Ngordh panda gjigante Tuan Tuan, dhuruar Tajvanit nga Kina

19 Nëntor, 2022 - 10:16 pm

Kopshti Zoologjik i Tajpeit njoftoi sot ngordhjen e një mashkulli panda gjigant, i sëmurë, i cili u dhurua nga Kina në vitin 2008 për të shënuar ngrohjen e marrëdhënieve.

Kopshti zoologjik tha se ”Tuan Tuan, 18 vjeç, ngordhi sot në orën 13:48 (0548 GMT)”.

Në gusht, kopshti zoologjik raportoi se Tuan Tuan ishte sëmurur.

Të premten, kopshti zoologjik tha se sëmundja e pandas po përkeqësohej dhe se ishte e pamundur të ruhej një cilësi adekuate e jetës për kafshën edhe me ilaçe.

Tuan Tuan ishte një nga dy pandat gjigante që Kina i dha Tajvanit si pjesë e një programi të shkëmbimit të kafshëve në ngushticë në vitin 2008, vetëm disa muaj pasi presidenti miqësor me Pekinin në atë kohë, Ma Ying-jeou, bëri betimin.

Kina ndërpreu çdo komunikim me udhëheqjen e Tajvanit në qershor 2016, një muaj pasi Tsai Ing-wen e Partisë Demokratike Progresive, me prirje për pavarësi, mori detyrën.

Tensioni përgjatë ngushticës së Tajvanit u përshkallëzua më tej në gusht, menjëherë pas një vizite në Tajvan nga kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesve të SHBA, Nancy Pelosi.

Tajvani ka një qeveri të pavarur që nga viti 1949, por Kina e konsideron ishullin demokratik pjesë të territorit të saj dhe kundërshton çdo formë të kontakteve zyrtare midis Tajvanit dhe vendeve të tjera. /atsh /KultPlus.com

Të ngjajshme