Më 27 qershor mbahet audicioni për çmimin Special të Chopin Piano Fest

3 Qershor, 2018 - 1:00 pm

Audicioni për Çmimin Special për piano që ndahet në kuadër të ChopinFest-it për një të ri /të re të talentuar nga Kosova, do të mbahet me 27 qershor 2018. Ndarja e këtij çmimi ishte menduar që të bëhej gjatë edicionit të 9-të të festivalit mirëpo ndarja e tij ishte shtyrë për të iu mundësuar më shumë hapësirë aplikuesve, shkruan KultPlus.

Të drejtë pjesëmarrjeje në audicion kanë studentët e pianos së Fakultetit të Arteve të UP-së dhe nxënësit e pianos së shkollave të muzikës të Kosovës fitues të çmimeve në gara paraprake, të cilët në repertorin e tyre kanë të përgatitur një program në kohëzgjatje prej 60 minutash në rast se do të përzgjidheshin si fitues.

Në audicionin përzgjedhës, kandidatët duhet të performojnë një program prej 45 min. duke përfshirë një vepër obligative të Beethoven-it, përveç Sonatave, Variacioneve, Bagatellave mund të luhen edhe vepra tjera më të shkurtra nga ky kompozitor.
Pjesa tjetër e repertorit është e lirë. Inkurajohen kandidatët që në program të përfshijnë një pjesë nga kompozitorët shqiptarë. Programi në audicion luhet përmendësh.

Paraprakisht, deri me datën 20 qershor, të interesuarit duhet të aplikojnë duke dërguar organizatorëve në emailin [email protected], program-propozimin e recitalit (në formë të shkruar, komplet programin në kohëzgjatje prej 60 min dhe një pjesë për bis (encore)) te cilin kandidati fitues do ta luante në Bonn ne rast se shpallet fitues.
Kandidatët që nuk aplikojnë me programin e shkruar dhe me detajet përkatëse deri me 20 qershor, nuk do të mund të luajnë në audicion ndërsa kandidatët fitues të edicioneve paraprake të ChopinPianoFEST-Çmimit Special ) nuk do të kenë të drejtë garimi.

Në këtë edicion çmimi special i Chopin Fest-it përfshin: një koncert recital në Bonn (Gjermani) që do të mbahet në tetor 2018, kontakt me Universitetin për Muzikë dhe Vallëzim (Hochschule für Musik und Tanz HfMT) në Köln (Gjermani) dhe vizitë në vendet me rëndësi muzikore historike në Bonn (Shtëpinë e Beethoven-it dhe shtëpinë e Schumann-it). Të gjitha shpenzimet janë të mbuluara nga sponsori i çmimit. Kujtojmë se vitin e kaluar fituese ishte pianistja Fortesa Jusufi./ KultPlus.com

Të ngjajshme