26 Gusht, 2025 - 2:15 pm
Në muajin shtator, Shkodra do të presë ekspozitën “Homeward”, një ngjarje e veçantë kulturore që shënon 10-vjetorin e “Art House”.
Ky projekt artistik, i themeluar një dekadë më parë nga artisti i njohur Adrian Paci, është kthyer ndër vite në një hapësirë ku arti takohet me intimitetin e shtëpisë, duke u bërë një qendër e reflektimit dhe imagjinatës kolektive.
“Këto dhjetë vite kemi organizuar shumë takime, shumë biseda, shumë projektime, uorkshope. Kemi organizuar festivalin ‘Ekrani i Artit’. Kemi organizuar botimet e ‘bulëzave’. Por një nga momentet me të rëndësishme të ‘Art House’ në këto 10 vite ka qenë eksperienca me ‘Art House School’,” tha artisti Paci.
Ekspozita “Homeward” do të sjellë sërish së bashku artistët që kanë formësuar dhe shoqëruar këtë udhëtim dhjetëvjeçar, me vepra të ekspozuara në disa pika të qytetit.
“Ajo çfarë mund ta celebronte këtë përvjetor do të ishte rimbledhja e gjithë këtyre artistëve, 33 artistë, për të organizuar një ekspozitë të madhe në Shkodër, siç është bërë traditë me ‘Art House’, që jo vetëm hap dyert e saj, por edhe shkon e gjurmon qytetin në hapësirat publike, duke përfshirë Galerinë e Arteve, Muzeun ‘Marubi’, Auditorin Françeskan dhe për herë të parë do të përdorim edhe Radio Shkodrën si një hapësirë ekspozuese,” u shpreh z. Paci.
Hapja e ekspozitës është parashikuar më 13 shtator, duke i kthyer mjediset publike të qytetit në një skenë të artit bashkëkohor./rtsh/KultPlus.com