Konkursi “Ngjyrat e shqiptarëve”, promovim i trashëgimisë kulturore (FOTO)

19 Dhjetor, 2021 - 9:15 pm

Ministrja për Europën dhe Punët e Jashtme, Olta Xhaçka ka publikuar foto nga konkursi “Ngjyrat e shqiptarëve 2022”.

Ministrja fton të gjithë që të bëhen pjesë e këtij konkursi fotografik që sjell ngjyrat e shqiptarisë.

Mirëmëngjes me “Ngjyrat e Shqiptarëve 2022”. Bëhu pjesë e konkursit, duke postuar në instagramin tënd foto dhe video. Vendos hashtag dhe bëj edhe tag “Colours of Albanias 2022”, shprehet Xhaçka.

Deri më sot janë organizuar 5 edicione të “Colours of Albania” nga Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme, po ashtu një edicion i ngjashëm është organizuar edhe në Kosovë. Ky është viti i parë që Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme e Shqipërisë dhe Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Kosovës organizojnë këtë  konkurs të  titulluar “Colours of Albanians” apo “Ngjyrat e Shqiptarëve”.

Ky konkurs u lançua në 26 nëntor në kuadër dhe të takimit të dy qeverive të Shqipërisë dhe Kosovës, ndërsa rikthehet pas një viti shkëputje për shkak të pandemisë.

Risia e këtij edicioni është përfshirja akoma më aktive e Diasporës, ndaj fushata e këtij  viti synon të shtrihet tek një audiencë sa më e gjerë, jo vetëm në trojet shqiptare, por edhe në të gjitha vendet ku jeton e punon diaspora, për të promovuar një ndjesi të përbashkët të identitetit shqiptar dhe përkatësisë sonë evropiane.

Konkursi funksionon fare thjeshtë: çdokush me një aparat të telefonit të tij apo aparat fotografik, ftohet të fiksojë një moment nga jeta e përditshme, nga udhëtimet, një moment nga jeta personale si banor apo vizitor në Shqipëri dhe Kosovë dhe ta postojë këtë foto/ video në platformën sociale Instagram #ColoursofAlbanians llogaria zyrtare e këtij konkursi,  duke përdorur hashtagun #ColoursofAlbanians2022 dhe tag @ColoursofAlbanians.

Koleksioni i fotove dhe videove në mbyllje të konkursit i kalon jurisë të përbërë nga shtatë personalitete të njohura të artit e të fotografisë nga Shqipëria, Kosova dhe Diaspora të cilët zgjedhin 50 fotot e videot më të mira të vitit 2022 dhe shpallin 6  fotot dhe videon fituese në një ceremoni përmbyllëse.

Juria përbëhet nga Elina Duni, Fadil Berisha, Arian Mavriqi, Alban Nimani, Andi Deliana, Ilir Kaso, Dardan Luta.

Ceremonia përmbyllëse do të mbahet më 17 shkurt në Kosovë ndërsa fotot në fund do të përmblidhen dhe do të botohen në një album, i cili i cili shpërndahet në të gjithë botën nëpërmjet përfaqësive diplomatike të shërbimit të jashtëm të Shqipërisë dhe Kosovës.

Colours of Albanians synon promovimin e trashëgimisë kulturore të vendeve tona të transformuar në rrugën drejt integrimit në BE, forcimin e markës kombëtare dhe përmirësimit të imazhit të Shqipërisë e Kosovës nëpër botë si dhe forcimin e marrëdhënieve mes diasporës me vendin e origjinës dhe promovimi i identitetit kombëtar të  komuniteteve të diasporës. / KultPlus.com

Të fundit

Të ngjajshme