2 Shtator, 2025 - 10:00 am
Një nga zbulimet më të rëndësishme të arkeologjisë shqiptare ka dalë në dritë së fundmi, duke tërhequr vëmendjen e komunitetit shkencor dhe të institucioneve kulturore në vend. Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja, publikoi lajmin përmes rrjeteve sociale, duke theksuar rëndësinë unike të këtij zbulimi për trashëgiminë tonë historike.
Gjatë punimeve të projektit kërkimor-shkencor “Kërkime Arkeologjike në Luginën e Bulqizës”, të udhëhequr nga Instituti i Arkeologjisë, është zbuluar varri i parë monumental i periudhës romake në territorin shqiptar. Ky varr përfaqëson një kompleks arkitektonik të rrallë, me përmasa mbresëlënëse prej rreth 9 x 6 metra dhe një dhomë funerare me lartësi 2.4 metra, transmeton KultPlus.
Një nga elementët më të rëndësishëm të monumentit është mbishkrimi bilingual romak, i pari i këtij lloji i gjetur në zonën e Dibrës. Ky mbishkrim i është kushtuar të ndjerit, Gelliano-s, si dhe perëndisë Jupiter, duke hedhur dritë mbi ndikimet kulturore, fetare dhe sociale të periudhës romake në këtë rajon.
Monumenti përbëhet nga tre ambiente: dhoma e varrimit, një paradhomë dhe një shkallare monumentale, çka sugjeron tipologjinë e një mausoleumi. Kjo është një formë e rrallë e arkitekturës funerare për rajonin, e cila përforcon teoritë mbi praninë e elitave të romanizuara në trevat verilindore shqiptare gjatë antikitetit.
Në varr janë gjetur objekte të rëndësishme arkeologjike si enë qelqi, objekte kocke, armë, si dhe fragmente të tekstilëve të qëndisur me fije ari, që dëshmojnë për statusin e lartë të të ndjerit.
Për shkak të rëndësisë së jashtëzakonshme të këtij zbulimi, Instituti Kombëtar i Trashëgimisë Kulturore, në bashkëpunim me DRTK Tiranë dhe Institutin e Arkeologjisë, ka nisur procedurat për vendosjen në mbrojtje paraprake të këtij siti arkeologjik. Zbulimi i Strikçanit do të jetë pjesë e një studimi më të gjerë që synon të dokumentojë dhe kuptojë më mirë rrjetin e qendrave të banuara dhe të varrimit në hinterlandin romak të Shqipërisë.
Ky varr monumental është më shumë sesa një objekt arkeologjik – ai është një dritare në të kaluarën, një dëshmi e qartë e kompleksitetit të shoqërive që kanë jetuar në këtë territor. Përmes mbështetjes së vazhdueshme të Ministrisë së Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit (MEKI), Institutit Kombëtar të Trashëgimisë Kulturore (IKTK) dhe Institutit të Arkeologjisë, Shqipëria vazhdon të zbulojë dhe ruajë pasuritë e saj të jashtëzakonshme historike.
Zbulime si ky e bëjnë hartën arkeologjike të vendit gjithnjë e më të pasur, duke e kthyer Shqipërinë në një pikë referimi për studimin e historisë së lashtë në Ballkan dhe më gjerë./KultPlus.com