4 Shtator, 2025 - 5:30 pm
Njomza Emini është përzgjedhur Anëtare e Bordit Ekzekutiv të Komitetit Paralimpik Evropian (EPC).
Në Asamblenë e Përgjithshme të mbajtur në Londër, për herë të parë në histori, Kosova ka zërin e saj në strukturën më të lartë vendimmarrëse të parasportit evropian.
Përmes një njoftimi në rrjetin social Facebook, Njomza Emini këtë arritje e ka cilësuar si fitore kolektive, pasi sipas saj sportistët dhe trajnerët e kanë trasuar rrugën deri në nivelin aktual, në kushte aspak adekuate.
“Kjo nuk është vetëm një arritje personale, por është një fitore kolektive për të gjithë ata që kanë besuar në këtë rrugëtim për parasportistët që kurrë nuk janë dorëzuar, për trajnerët që kanë punuar edhe pa kushte dhe për secilin që me durim dhe dashuri e ka ndërtuar këtë rrugë hap pas hapi”, thuhet në njoftimin e Eminit.
Më poshtë gjeni postimin e plotë të Eminit:
Me kënaqësi ju njoftoj që jam zgjedhur Anëtare e Bordit Ekzekutiv të Komitetit Paralimpik Evropian (EPC).
Në Asamblenë e Përgjithshme të mbajtur në Londër, për herë të parë në histori, Kosova ka zërin e saj në strukturën më të lartë vendimmarrëse të parasportit evropian.
Kjo nuk është vetëm një arritje personale, por është një fitore kolektive për të gjithë ata që kanë besuar në këtë rrugëtim për parasportistët që kurrë nuk janë dorëzuar, për trajnerët që kanë punuar edhe pa kushte dhe për secilin që me durim dhe dashuri e ka ndërtuar këtë rrugë hap pas hapi.
Kjo është edhe për KOSOVËN:
Për një vend të vogël që sot flet me një zë të fuqishëm në Evropë;
Për parasportistët tanë që meritojnë çdo mundësi;
Për secilin që beson në barazi dhe përfshirje në sport;
Por unë nuk do të jem vetëm zëri i Kosovës. Do të jem zëri i çdo Komiteti që ka nevojë të dëgjohet më shumë. Një aleate e çdo përpjekjeje për një parasport më të drejtë, më gjithëpërfshirës dhe më njerëzor.
Në këtë udhëtim me EPC-në, do të jem aty me zë, me përkushtim dhe me shumë krenari./ KultPlus.com