FemFest 2024, festivali i arritjeve dhe problemeve të grave shqiptare

29 Shkurt, 2024 - 12:43 pm

Në prag të festës së 8 marsit, po përgatitet FemFest, festivali me në fokus gruan. FemFest 2024 do të mbahet nga data 4-8 mars dhe ky do të jetë edicioni i tretë i këtij festivali.

Sikundër edhe një vit më parë, FemFest është ndërtuar me një platformë shfaqjesh mbresëlënëse, debatesh, e diskutime me fokus gruan.

Pjesë e festivalit do të jenë artiste, aktiviste, shkrimtare, politikane dhe këngëtare të cilat nëpërmjet zhanreve të ndryshme të artit do t’u japin zë edhe problemeve që nuk fliten, apo atyre që nuk dëgjohen. Të ardhurat e mbledhura nga biletat do të shkojnë për 4 bursa studimi për katër studente të Universitetit të Arteve.

I planifikuar të vazhdojë çdo vit, duke shënuar Ditën Ndërkombëtare të Gruas, festivali synon të ringjallë qëllimin fillestar të 8 marsit: të shënojë arritjet kulturore, politike dhe socio-ekonomike të grave, duke bërë thirrje për arritjen e plotë të të drejtave të tyre.

Ky edicion do të shfaqë 10 shfaqje, si edhe çdo ditë, nuk do të mungojnë rubrikat “FemTalk” e panele të cilat do të moderohen nga figura femërore të rëndësishme të jetës publike në vend./ atsh / KultPlus.com

Të ngjajshme