Trashëgimia e Nënë Terezës dhe mesazhi i Presidentes Osmani: Një thirrje për më shumë dashuri dhe humanizëm

5 Shtator, 2025 - 11:26 am

Në një postim prekës dhe domethënës të publikuar në rrjetet sociale, Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka kujtuar figurën e Shën Nënë Terezës në përvjetorin e ndarjes së saj nga jeta, duke theksuar rolin e saj të pazëvendësueshëm në historinë e humanizmit botëror dhe duke bërë një thirrje të qartë për reflektim.

“Nga fshati i vogël i Letnicës, ku dëgjoi thirrjen hyjnore, në Sheshin ‘Shën Pjetri’ në Vatikan dhe pastaj në çdo anë të botës, Nënë Tereza i dha zë të varfërve, të sëmurëve dhe të harruarve, duke lënë pas një trashëgimi të pakrahasueshme bamirësie dhe humanizmi,” shkruan Presidentja Osmani.

Duke u ndalur te rrugëtimi i pazakontë i murgeshës shqiptare, Presidentja vë në pah se historia e Nënë Terezës nuk është vetëm një kronikë e përkushtimit shpirtëror, por një udhërrëfyes moral që vazhdon të frymëzojë breza të tërë, transmeton KultPlus.

“Veprat e Shën Terezës na kujtojnë fuqinë e bamirësisë dhe humanizmit,” vazhdon ajo. “Trashëgimia e saj është një thirrje për secilin prej nesh: të jemi pranë të tjerëve, të dhurojmë dashuri dhe shpresë, si dhe ta ndërtojmë një botë më të drejtë dhe më paqësore.”

Mesazhi i Presidentes Osmani shkon përtej një përkujtimi ceremonial. Ai shndërrohet në një thirrje të qartë për rikthimin e vlerave humane në një kohë ku bota përballet me sfida të shumta: nga varfëria dhe krizat humanitare, tek ndarjet sociale dhe mungesa e solidaritetit. Në thelb të këtij mesazhi qëndron besimi se ndryshimi nis nga secili prej nesh, një ide që edhe vetë Nënë Tereza e përçoi gjatë gjithë jetës së saj./KultPlus.com

Të ngjajshme