Teqeja e Frashërit, aty ku 117 vite më parë nisi të mësohej gjuha shqipe në Përmet

5 Shtator, 2025 - 4:20 pm

Përmeti feston sot ditën e teqes së Frashërit, një nga monumentet me vlera kulturore dhe historike në vendin tonë.

Teqeja e Frashërit nuk lidhet vetëm me bektashizmin, por mbi të gjitha me përpjekjet dhe kontributin e saj për gjuhën e shkollën shqipe pasi përbën fillesat e arsimit shqip në rrethin e Përmetit.

Kjo teqe, me një histori gati dy shekuj e gjysmë, ka qenë dhe mbetet një vatër e rëndësishme besimi, por dhe një vatër e shquar atdhetare.

Teqeja u ndërtua më 1781 nga Sulejman Beu i Frashërit dhe në 1908 u hap shkolla e parë shqipe nga baba Alushi në të cilën u mësua gjuha shqipe dhe ku u edukuan rilindasit.

Përveç vlerave shpirtërore për besimtarët bektashianë, ky monument kulture që e mori këtë status në vitin 1973, shihet edhe si një objekt me vlera të rralla kulturore dhe historike për vizitorët vendas dhe të huaj.

Ky monument kulti përbëhet nga dy ndërtesa të veçanta, të cilat lidhen me njëra-tjetrën nëpërmjet një muri.

Ndërtesa e sipërme ka formën e shkronjës “L” dhe përbëhet nga tre ambiente: “Kafe Oxhaku”, “Ashefi”, “Furra e Bukës” ndërsa ndërtesa e poshtme është pjesërisht dykatëshe dhe aty ndodhet “Mejdani”, vendi i shenjtë ku zhvilloheshin ceremonitë fetare dhe shkolla bektashiane./atsh/KultPlus.com

Të ngjajshme