Vdes në moshën 92-vjeçare Dukesha e Kentit, Katharine

5 Shtator, 2025 - 6:29 pm

Katharine, Dukesha e Kentit, ka vdekur në moshën 92 vjeçare, njoftoi Pallati Buckingham, përmes një komunikate për media. Katharine ishte anëtarja më e vjetër e Familjes Mbretërore britanike, e martuar me Princin Edward, Dukën e Kentit, kushëri i parë i Mbretëreshës së ndjerë Elizabeth II. 

“Me hidhërim të thellë, Pallati i Buckingham-it njofton vdekjen e Lartësisë së Saj Mbretërore, Dukeshës së Kentit.

Lartësia e Saj Mbretërore ndërroi jetë në paqe mbrëmë në Pallatin Kensington, e rrethuar nga familja e saj.

Mbreti dhe Mbretëresha dhe të gjithë anëtarët e Familjes Mbretërore i bashkohen Dukës së Kentit, fëmijëve dhe nipërve e mbesave të tij në zi për humbjen e tyre dhe kujtojnë me dashuri përkushtimin e përjetshëm të Dukeshës ndaj të gjitha organizatave me të cilat ajo ishte e lidhur, pasionin e saj për muzikën dhe empatinë e saj për të rinjtë” thuhet në njoftim.

Katherine ka qenë e njohur për angazhimin e saj në punë bamirësie dhe arsim. Ajo ka qenë veçanërisht e lidhur me Royal Northern College of Music, ku ka dhënë mbështetje të madhe për studentët e talentuar. Për disa vite ka punuar edhe si mësuese muzike në një shkollë fillore në Hull – gjë e pazakontë për një anëtare të familjes mbretërore, pasi ajo zgjodhi të jetojë thjesht dhe pranë njerëzve të zakonshëm./ KultPlus.com

Të ngjajshme