Hija e gjatë e katastrofës së Marques – Një nënë, një tragjedi dhe një kërkim pa fund për drejtësi

6 Shtator, 2025 - 1:40 pm

Katër dekada pas fundosjes së anijes Marques gjatë garës së famshme “Tall Ships Race”, një nënë vazhdon të kërkojë përgjigje për humbjen e të birit. Historia e saj është e mbushur me dhimbje, zemërim dhe një ndjenjë të thellë padrejtësie.

Në një fotografi të bërë në qershor të vitit 1984, anija Marques largohet nga porti i Hamiltonit në Bermuda, mes brohorimave dhe një flote që e përshëndet me entuziazëm. Në të njëjtën foto, shihet një grua duke u hedhur në ujë, fotografe lokale Ann Spurling, që do të shpëtohej shpejt. Por, vetëm 13 orë më vonë, shumica e personave që ajo la pas në bord do të jenë të vdekur.

Në atë muaj qershori, 39 anije klasike me vela nga e gjithë bota ishin mbledhur në Bermuda për garën prestigjioze Cutty Sark Tall Ships Race. Të ekuipazhuara kryesisht nga marinarë të rinj praktikantë dhe të drejtuara nga kapitenë profesionistë, këto anije sollën një atmosferë të magjishme në ishullin e vogël.

Por ajo që nisi si një spektakël detar i paharrueshëm, u kthye shumë shpejt në një katastrofë. Pas nisjes së fazës nga Bermuda drejt Halifax-it, në orët e para të mëngjesit të 3 qershorit, një valë e madhe përmbysi Marques. Anija 67-vjeçare u mbyt në më pak se dy minuta, duke marrë me vete 19 jetë nga 28 që ishin në bord.

Ndër të paktët që i mbijetuan tragjedisë ishte Bobby Cooper, 19 vjeç nga Skocia. Ai rrëfen momentet fatale me një intensitet që të ngjeth lëkurën:

“Papritur, anija nisi të anonte… mastet dhe velat u shtrinë mbi ujë… Isha ngatërruar në litarë. Marques po fundosej shpejt. Papritmas ndodhesha në sallon, me të gjitha dritat ndezur, si në ndonjë festë. Mendova se kisha vdekur.”

Ai arriti të shpëtonte duke u kapur pas një gomoneje shpëtimi. Kur shikoi prapa, ku dikur qëndronte Marques, nuk pa asgjë. As anije, as zhurmë, vetëm boshësi.

Për Shirley Cooklin, një shkrimtare dhe aktore e njohur, kjo tragjedi ishte personale. Djali i saj, Ben Bryant, vetëm 18 vjeç, ishte një nga viktimat. Fotografia e tij, bërë nga Ann Spurling pak çaste para nisjes së anijes, ndodhet në pjesën e pasme të librit të saj:
“Blame Not the Wind: A tragedy at sea. A cover-up. One mother’s search for justice”.

Në këtë libër të sapobotuar, Cooklin, sot 95 vjeçe, sjell me pasion dhe dhimbje të thellë kujtimin e të birit. Ajo akuzon autoritetet britanike, përfshirë qeverinë e Margaret Thatcher, për neglizhencë, mosveprim dhe një përpjekje për të mbuluar të vërtetën. Pyetjet që ajo ngrit:

A ishte Marques me të vërtetë e sigurt për lundrim?

Pse ishte zgjeruar dera kryesore, duke i bërë përmbytjet më të mundshme?

Pse nuk u shty gara pavarësisht kushteve të këqija atmosferike?

Mes viktimave ishin edhe kapiteni Stuart Finlay, gruaja e tij Aloma dhe djali i tyre 15-muajsh, Christopher, të cilët kapiteni i kishte futur në bord fshehurazi. Prania e tyre në një anije garuese, e destinuar për stuhitë e Atlantikut, e bën edhe më dramatike tragjedinë.

Libri i Cooklin nuk është vetëm një dëshmi e pikëllimit, por edhe një akt akuze ndaj institucioneve që ajo ndjen se kanë dështuar. Edhe pse janë kaluar më shumë se 40 vjet, dhimbja dhe ndjenja e padrejtësisë vazhdojnë.

Pesë ditë pas katastrofës, një tjetër anije, Zawisza Czarny, që ishte nisur me Marques-in, u kthye në Bermuda. Këtë herë jo për të festuar, por për të sjellë të mbijetuarit – në heshtje, në errësirën e agimit, si një funeral detar.

“Blame Not the Wind”, përveçse një kujtesë për një tragjedi të harruar nga shumë, është edhe një homazh për dhimbjen e çdo nëne që humb fëmijën e saj. Historia e Ben Bryant nuk është vetëm një numër në një listë fatkeqësish detare, është kujtimi i një jete të ndërprerë në lulëzim dhe kërkimi i pafund i një nëne për drejtësi dhe përgjigje./theobserver/KultPlus.com

Të ngjajshme