Haradinaj: Në marsin e ’98-s u shua një familje, pas kësaj bota ndaloi shuarjen e një populli

5 Mars, 2019 - 12:22 pm

Në fjalimin e tij në kazermën “Adem Jashari”, kryeministri Ramush Haradinaj, ka thënë se në marsin e ‘98-s u shua një familje e tërë.

Sipas tij pas kësaj ngjarjeje, bota reagoi dhe ndaloi shuarjen e një populli, raporton KTV.

Ai ka folur edhe për transformimin e FSK-së në ushtri, që sipas tij është projekt që i shërben paqes.

“Deputetët me 107 vota i thanë po një projekti nacional që ka synim paqen, e që është transformimi i UÇK-së. Ushtria është për paqe dhe nuk do të përdoret kundër popullit, as në jug e as në veri”, ka thënë Haradinaj.

Haradinaj me këtë rast ka përmendur edhe ruajtjen e marrëdhënieve me SHBA-në. 11:52

Thaçi: Kujtojmë sakrificën e familjes Jashari, nga e cila bota filloi ta kuptojë drejt Kosovën

Presidenti Hashim Thaçi në ceremoninë ushtarake të FSK-së ka thënë se sot kujtohet 21-vjetori i epopesë së lavdishme të UÇK-së

Ai ka thënë se sot kujtojmë sakrificën sublime të familjes Jashari, nga e cila bota ka filluar të kuptojë drejt Kosovën.

“Kjo epope dëshmoi se nuk kishte kthim mbrapa në luftën tonë për liri”, tha Thaçi, transmeton KTV.

Thaçi përmendi të gjithë ata që kontribuuan në lirinë e vendit.

Presidenti ka përmendur mbi 13 të vrarë, mbi 400 masakra dhe mijëra të dhunuara nga regjimi serb

“Për herë të parë po e shënojmë me ushtrinë e Kosovës të njohur ndërkombëtarisht”, tha ai.

Thaçi më tutje ka shtuar se Kosova po konsolidohet edhe më shumë në rrafshin kombëtar e ndërkombëtar, derisa ka theksuar se “të bashkuar miqtë do të na përkrahin edhe më shumë”.

“Do t’i forcojmë edhe më tepër raportet me SHBA-në”, deklaroi presidenti. 11:04

Limaj: Më 5 mars në Prekaz nisi epoka e lirisë së Kosovës

Zëvendëskryeministri Fatmir Limaj, ka përkujtuar Epopenë e UÇK-së, duke thënë se edhe pse po bëhen 21 vjet nga rënia e komandantit legjendar, Adem Jashari, kujtimi për të dhe familjen e tij vazhdon të mbetet në mendjen dhe zemrat e të gjithëve.

Limaj në llogarinë e tij në Facebook, ka shkruar se 21 vjet me parë në Prekaz, u vendosen themelet e shtetit të Kosovës.

Postimi i plotë i Limajt:

Në përkujtim të Epopesë së UÇK-së dhe sakrificës së Familjes Jashari në krye me komandantin legjendar, Adem Jashari, ndonëse po bëhen 21 vjet nga rënia e komandantit legjendar, Adem Jashari, kujtimi për të dhe familjen e tij vazhdon të mbetet në mendjen dhe zemrat tona. 21 vjet me parë në Prekaz, u vendosen themelet e shtetit të Kosovës. Në kohën kur popullit shqiptar të Kosovës i kishte humbur shpresa dhe i ishte thyer morali, në skenë doli komandanti legjendar Adem Jashari, i cili bashkë me familjen e tij sakrifikuan gjithçka dhe bënë të mundur një rinisje të madhe, e cila, kulmoi me lirinë e Kosovës. Pikërisht, sakrifica e familjes Jashari në krye me kryekomandantin Adem Jasharin mobilizoi gjithë kombin shqiptar dhe bëri të mundur nisjen e një kthese historike për popullin shqiptar. Më 5 mars në Prekaz nisi Epoka e Lirisë së Kosovës. Lavdi e përjetshme jetës dhe veprës së komandantit legjendar, Adem Jashari, fa miljes së tij dhe gjithë dëshmorëve të Kombit! Lavdi! FL 10:55

Mustafa: Vepra e familjes Jashari shënoi ndryshim në historinë e kombit shqiptar

Image

Kryetari i LDK-së, Isa Mustafa, ka kujtuar 21 vjetorin e rënies së komandantit legjendar, Adem Jashari dhe familjes së tij.

Përmes një komunikate për media, Mustafa thotë se marsi është muaj i sakrificës që kulmoi me veprën më sublime të familjes Jashari, dhe shënoi ndryshim në historinë e kombit shqiptar.

Rënia e familjes Jashari, sipas tij, ktheu vëmendjen e botës demokratike drejt Kosovës, ku lufta tashmë kishte filluar në një kahe tjetër.

“Komandanti Legjendar Adem Jashari dhe vepra sublime e tij janë rast unik në gjithë historinë e luftërave, prandaj si të tillë edhe do ta mbajmë gjithmonë në mend. Adem Jashari dhe sakrifica e tij heroike u bënë të pavdekshme dhe gur themel i pavarësisë të Kosovës”, ka thënë Mustafa.

Në muajin e lavdishëm Mars, Mustafa ka kujtuar edhe, siç thotë, fillet e rezistencës të armatosur me Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, ku shumë burra e gra po niseshin në një rrugë të pakthim, drejt lirisë.

“Marsi padyshim është muaj dhimbjeje por edhe krenarie për çdo gjeneratë të cilët do ta mësojnë në çdo libër ku do të përmendet historia drejt lirisë deri të shtetndërtimi i Kosovës. Lavdi për gjithë Familjen Jashari dhe të gjithë ata që kanë rënë për Kosovën shtet të lirë”, ka përfunduar Mustafa. 09:45

Veseli: Adem Jashari ngriti në këmbë gjithë kombin dhe aty nisi rruga e pakthim drejt lirisë

Image

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, ka kujtuar 5 marsin, ditën e rënies heroike të komandantit legjendar të UÇK-së, Adem Jashari dhe familjes së tij.

Kryeparlamentari, nëpërmjet një statusi në faqen e tij në Facebook, ka thënë se më 5 mars 1998, në Prekaz ka nisur të ndryshojë historia e kombit shqiptar dhe Kosova nga aty nisi rrugën e pakthim drejt lirisë.

“Adem Jashari dhe familja e tij ranë, që kombi ynë të ngrihej në këmbë. Dhe ne u ngritëm. I madh e i vogël, burra e gra, nga të gjitha katër anët e kombit, nga të katër anët e diasporës. U bashkuam nën emblemën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe bëmë realitet ëndrrën për të cilën ra Adem Jashari dhe mijëra dëshmorë të lirisë”, ka shkruar Veseli në faqen e tij në Facebook.

Statusi i plotë i Kadri Veselit:

Janë disa ngjarje që bartin peshën e ndërrimit të epokave. Ato shënojnë ndarjen e të tashmes prej të shkuarës, duke hapur shtigje të reja nëpër të cilat ecin popujt dhe shtetet. Një peshë të tillë padyshim e ka 5 marsi i vitit 1998. Atë ditë në Prekaz po ndryshonte historia e kombit tonë. Kosova po niste rrugën e pakthim drejt lirisë dhe padyshim simboli më unik i kësaj rruge ishte Adem Jashari dhe familja e tij martire. Lufta dhe rënia e tyre, sakrifica e tyre e pashembullt në historinë njerëzore, e vulosën përcaktimin e popullit tonë për liri. Adem Jashari dhe familja e tij ranë, që kombi ynë të ngritej në këmbë. Dhe ne u ngritëm. I madh e i vogël, burra e gra, nga të gjitha katër anët e kombit, nga të katër anët e diasporës. U bashkuam nën emblemën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe bëmë realitet ëndrrën për të cilën ra Adem Jashari dhe mijëra dëshmorë të lirisë. LAVDI! / KultPlus.com

Të ngjajshme