100 portrete të Ismail Kadaresë, COD sjell biografinë e shkrimtarit përmes artit pamor

2 Korrik, 2025 - 3:00 pm

Qendra për Hapje dhe Dialog (COD) promovoi albumin “100 Portrete”, një biografi e Ismail Kadaresë përmes artit pamor.

Albumi pasqyron një rrugëtim prej 62 vitesh (1962-2024) duke e përkthyer në 100 portrete të shkrimtarit, siç nuk e kemi parë ndonjëherë: përmes pikturës, skicës, grafikës e fotografisë.

Albumi “100 portrete, Kadare në artet figurative”, pati si kurator prof. asoc. dr. Abaz Hadon.

Promovimi në kryeministri ishte një homazh në njëvjetorin e ndarjes nga jeta së shkrimtarit. Ky botim i rrallë përmbledh veprat e artistëve të njohur shqiptarë dhe të huaj, që e kanë portretizuar Kadarenë ndër vite, me dashuri, respekt dhe frymëzim.

Nga pozimet e para për Kilicën e Dilon, tek portretet e fundit për Arif Lushin e Hameraldi Agollin, një jetë e reflektuar në ngjyra, dritë-hije, forma dhe simbolikë.

Kuratori Abaz Hado u shpreh se, asnjë personazh tjetër botëror nuk ka një katalog me 100 vepra arti të dedikuara. “Kadareja vjen i dyti pas Skënderbeut në artin pamor”, u shpreh Hado. Ndërsa studiuesi Ermir Nika e cilësoi këtë botim jo thjesht një koleksion arti, por biografi të Kadaresë përmes imazhit.

Projekti i realizuar nga Instituti Liberal Pashko, Universiteti Europian i Tiranës dhe UET Press, me mbështetjen e Bashkisë Tiranë dhe Fondacionit “Credins”, është vetëm fillimi, pasi dy albume të tjera janë në proces./atsh/ KultPlus.com

Të ngjajshme