займ на карту онлайн потребительский кредит

1 mijë piktura në një ekspozitë për t’i sjellë bibliotekën Fakultetit të Arteve

Nëntor 16, 2017 - 10:20 am

Në muret e Galerisë Kombëtare të Kosovës ishin ngjitur 1 mijë piktura, duke prezantuar kështu ekspozitën “1 në 1000” e cila përmbledh punën e studentëve të Fakultetit të Arteve të nivelit master, shkruan KultPlus.

Gili Hoxhaj

1000 pikturat me format 11x11cm të vendosura kryesisht në vijë të drejtë njëra-pas tjetrës duke lënë kështu shumë pak hapësirë brenda tyre drejtonin vizitorët në një rrugëtim të gjatë e të pasur të artit pamor. Në këtë ekspozitë ishte shkrirë puna e rreth shtatëdhjetë studentëve të Fakultetit të Arteve, nga të gjitha degët e departamentit të arteve figurative, nga programi master.

Ky projekt i filluar si një ide rezultoi me një qëllim kryesor që të mbledhë bazë materiale për realizimin e bibliotekës në kuadër të Fakultetit të Arteve, që përmes saj të inkuadrohen edhe fushat tjera që lidhen me artin.

Arta Bunjaku Agani, drejtoreshë në Galerinë e Arteve këtë ekspozitë e cilësoi si risi për Galerinë Kombëtare të Kosovës.

“Nga ana ime si nikoqire e kësaj ekspozite mund të them se për Galerinë Kombëtare kjo ekspozitë është risi sepse asnjëherë nuk janë ekspozuar 1000 piktura në një vend, këto piktura janë të vogla por kanë premtime të mëdha. Po ashtu duhet ta shohim këtë projekt si një porosi shumë të rëndësishme që është një thirrje vetdijësuese për mosekzistimin e një tregu të artit në Kosovë”, tha Arta Bunjaku Agani në hapjen e kësaj ekspozite.

Në këtë projekt përveç studentëve janë të përfshirë edhe punimet e disa profesorëve kurse ideja e këtij projekti është zhvilluar gjatë ligjëratave të lëndës “Zhvillimi dhe menaxhimi i ideve dhe koncepteve kreative” në kuadër të takimeve të vazhdueshme të studentëve me profesorin Orhan Kerkezi.

Profesori Kerkezi, në hapje të ekspozitës theksoi se ky rrugëtim me 1000 mijë piktura nuk do të ndalet me këtë ekspozitë.

“Ideja ka qenë se si të bëhemi bashkë dhe bashkë kemi ardhur në 11 centimetra dhe në 1000 mijë piktura. Ky rrugëtim nuk do të ndalet këtu por do ta vazhdojmë me katër universitete të tjera, 2019 është projekti ynë me 10 mijë piktura, 2020-shi me 100 mijë dhe 2022-shi me 1 milion piktura”, kështu u shpreh në fjalimin e tij hyrës Orhan Kerkezi, derisa përfundoi me një fjali që shprehte krenarinë e tij për vendin, “Jam shumë krenar që jetoj në Kosovë” tha Kerkezi në përfundim të ceremonisë hapëse.

Engjëll Berisha njëri nga organizatorët e këtij projekti ka sjellë rreth tridhjetë punime në këtë ekspozitë. Ai për KultPlus, tregoi për detajet e realizimit të kësaj ideje ndërsa shtoi se një projekt i tillë me ekspozim të një numri kaq të madh të punimeve nuk është krijuar më parë diku në botë.

Ne së bashku me profesorin Orhan Kerkezi e kemi mbajtur lëndën “Zhvillimi dhe menaxhimi i ideve dhe koncepteve kreative” dhe në kuadër të saj e kemi pasur për detyrë ta krijojmë një projekt dhe kështu kemi arritur bashkimin e ideve. Gjatë kësaj kohe, e kemi praktikuar një sistem që është dashtë me e ngrit dorën dhe ku ideja është dashtë të miratohet nga tërë grupi në mënyrë që të vazhdoj zhvillimi i projektit. Ka qenë një ide bazë, mandej e kemi rafinuar kurse edhe për rafinimin e ideve e kemi praktikuar sistemin e njëjtë me ngritjen e dorës, dhe kështu kemi ardhur deri tek ideja e krijimit të 1000 punimeve, madje kështu kemi ardhur edhe tek ideja që këto punime t’i shesim në mënyrë që ta krijojmë një bibliotekë të fakultetit e cila është shumë e nevojshme për neve si studentë”, ka thënë Berisha për KultPlus.

Ai me tutje tregoi se biblioteka që do të krijohet me fondin e këtyre pikturave do të quhet “Biblioteka Plus” dhe do të jetë një hapësirë në Fakultetin e Arteve e cila do të shërbej si bibliotekë dhe njëkohësisht “Plusi” nënkupton hapësirën rekreative në të cilën studentët mund të mblidhen dhe të mbajnë workshop-e.

Piktori Hajrush Fazliu, vlerësoi së nisma të tilla qoftë nga studentët dhe të njerëzve si profesor Orhan Kerkezi vetëm kontribuojnë në pasurimin e artit pamor.

“Kjo është një befasi e këndshme për artdashësit ku përmes pikturave të vogla ideore prezantohet një art i mirëfilltë. Ashtu siç e kishte quajtur ditë më parë Elmaze Nura, kjo mund të jetë një diplomaci e re kulturore dhe me këtë diplomaci mund të rrugëtojmë drejt vendeve të civilizuara”, u shpreh piktori Fazliu për KultPlus.

Deri më tani janë shitur rreth gjysma e punimeve ndërsa kjo ekspozitë do të jetë e hapur vetëm gjatë ditës së nesërme ndërsa pikturat e shitura do të mund të merren nga blerësit duke filluar nga ora 12:00 deri në orën 16: 00. / KultPlus.com

Të ngjajshme